Përderisa sulmet e vazhdueshme ruse në Ukrainë po shkatërrojnë qytete e objekte të vjetra kulturore, ekspertët gjermanë janë bërë bashkë për të shpëtuar vlerat ukrainase të trashëgimisë kulturore.
Krahas vuajtjeve të popullit qëkur Rusia filloi të pushtonte Ukrainën, më 24 shkurt, lufta nënkupton se po kërcënohet edhe trashëgimia kulturore.
Kjo përfshin kishat, zonat historike, muzetë, monumentet e traditat. Një javë më parë, UNESCO vlerësoi se më shumë se 50 lokalitete të trashëgimisë kulturore janë dëmtuar.
Kryetarja e Degës Gjermane të Këshillit Ndërkombëtar së Muzeve, Beate Reifenscheid, beson se ky numër është edhe më i madh.
“Në Mariupol ne as nuk e dimë çfarë dëmi real është kryer”, ka thënë Reifenscheid. “Mund të supozosh se gjithçka është shkatërruar”.
Edhe
Muzetë në Ukrainë planifikojnë të ardhmen pas luftës
Në mars Claudia Roth, komisionere për Kulturë dhe Media në Qeverinë Federale Gjermane, së bashku me Zyrën për të Huaj në Gjermani lansuan Rrjetin për Mbrojtën e Aseteve Kulturore në Ukrainë.
Qëllimi i kësaj nisme është të mbrohen më mirë thesaret kulturore, të mblidhen informacione dhe të koordinohen masat për ndihmë. Shumica e punës do të kryhet në Gjermani, me ICOM-in gjerman duke shërbyer si qendra kryesore e kontaktit.
ICOM, themeluar në vitin 1964, bashkë me UNESCO-n, përfshin 151 komitete kombëtare. “Duke iu falënderuar këtij rrjeti ndërkombëtar ne nuk kishim nevojë të fillonim nga e para,” ka thënë Reifenscheid.
Përderisa në Bjellorusi më 2020 po organizoheshin protesta kundër qeverisë diktatoriale, institucionet kulturore gjithashtu po kërkonin ndihmë. “(Megjithatë), fakti se një situatë e tillë mund të ndodhte në Ukrainë nuk dukej në radarin tonë”, ka shtuar Reifenscheid.
Puna e vështirë tani është ruajtja e një pasqyrimi të pastër mes asaj që me të vërtetë po ndodh dhe skenarëve të luftës, të cilët po ndryshojnë vazhdimisht.
“Edhe pse të gjithë duan të vijnë në ndihmë sa më shpejt që të jetë e mundur, ka ende shumë gjëra që po ndodhin njëkohësisht. Na duhet të koordinojmë masat më shpejt”.
Fondet që të ndihmohen institucionet brenda Ukrainës njëherë janë të limituara. Aktualisht nuk ka plane për të evakuuar objektet përtej kufirit pasi që kjo “do t’ia merrte Ukrainës asetet e saj kulturore”, ka shpjeguar Reifenscheid.
Edhe
Fotografitë si intervenim për të ruajtur trashëgiminë kulturore ukrainase
Sidoqoftë, nëse do të nxirreshin disa vepra artistike përkohësisht jashtë Ukrainës do të ngrihej një pyetje shumë domethënëse: Çfarë do të ndodhë nëse Rusia e pushton Ukrainën? A i bie që më pas arti t’iu kthehet agresorëve?
Institucionet pjesëmarrëse po përkrahin Ukrainën në fusha të ndryshme ekspertizash. Instituti Arkeologjik Gjerman po ndihmon me vlerësimin e pamjeve satelitore për të dokumentuar dhe verifikuar zonat e dëmtuara kulturore. Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Ukrainë ka krijuar një ueb-faqe nëpërmjet së cilës dëshmitarët dhe banorët mund të raportojnë dëmtimet.
Deri më tani 166 ndërhyrje janë listuar, edhe pse nuk janë verifikuar ende. Fotografitë tregojnë vrima plumbash ose bombardime nëpër muze dhe fasada kishash.
“Dritaret, muret dhe çatia e dhomave të ndërtesave të vjetra kulturore janë dëmtuar shumë herë nga bombardimet” duke u bazuar në një burim nga Mariupoli.
Dokumentimi është gjithashtu proces me rëndësi, sepse shkatërrimi i vlerave kulturore konsiderohet krim lufte. Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, i ka shkruar ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, që trashëgimia kulturore në Ukrainë të ruhet.
Rusia është nënshkruese e Konventës së Hagës, të vitit 1954, për Mbrojtjen e të Mirave Kulturore, e cila tani është pjesë e një konflikti të armatosur. Bazuar në ligjet ndërkombëtare, nënshkruesit angazhohen të mbrojnë trashëgiminë kulturore gjatë luftës ose konflikteve të armatosura nga shkatërrimi, vjedhja, plaçkitja apo okupimi i jashtëligjshëm.
Edhe
Arkivistët ruajnë në mënyrë digjitale trashëgiminë ukrainase
“Ai nënshkrim nuk vlente as sa boja që ishte përdorur”, ka thënë Beate Reifenscheid, duke drejtuar gishtin nga Rusia, e cila mohon identitetin kulturor ukrainas. “Ata duan të shkatërrojnë shpirtin dhe AND-në e Ukrainës” ka thënë ajo.
Përktheu: Amara Sejdiu