Prishtinë, 24 qershor – Themeluar dy vjet pas luftës, festivali “Rock për Rock” për 18 vjet ka mbledhur grupe të reja dhe të vjetra, të cilët zhanrin e rockut e kanë në gjenezë të tyre. Edhe këtë vit edicioni i 18-të është hapur me të njëjtin qëllim, promovimin e krijimtarisë artistike të grupeve të ndryshme të rockut.
Inkuadruar në mesin e festimeve në kuadër të 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Festivali këtë vit erdhi më i zbehtë se herëve të tjera. Agim Berisha, njëri nga organizatorët e “Rock për Rock”, faktin se të shtunën janë paraqitur vetëm dy grupe, e ka arsyetuar me ndikimin që kanë pasur organizimet e shumta në kuadër të aktiviteteve për çlirimin e Prishtinës dhe me datën e Festivalit, e cila ka përkuar me pushimet verore.
“Është tkurrur programi dhe terminët e ngjeshur nuk na kanë mundësuar të mbajmë mbrëmjen në terminët e zakonshëm. Kemi pasur mjaft dështime sa i përket ardhjes së grupeve pasi që disa nga anëtaret e tyre kanë qenë të detyruar që të shkojnë në pushime. Sa i përket kualitetit nuk kemi pasur asnjë mangësi”, ka thënë Berisha.
Grupet që u paraqitën në edicionin e 18-të të festivalit “Rock për Rock” ishin “Teli i këputë” nga Kosova dhe “Ave venus” nga Shqipëria/ Alberina Haxhiaj.
(Gjerësisht, sot në "kohën Ditore")