Në mjediset e amfiteatrit të Pishinës së Gërmisë roku edhe një herë do të bëjë bashkë breza të ndryshëm krijues të këtij zhanri muzikor. Si festival tashmë tradicional, “Rock United II” dhe “Metal United III” kanë paralajmëruar edicionin e sivjetmë, që do të mbahet në datat 27, 28 dhe 29 gusht.
Nëpërmjet një komunikate për media, organizatorët kanë bërë me dije se ky festival është projekt që i bashkon grupet e muzikës rok dhe metal nën moton: “Një për të gjithë, të gjithë për rok”.
“Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të vazhdojë tradita e rock & metal, e cila në Kosovë ka fillet tek në vitet ‘60 dhe të promovohet kjo kulturë tek të rinjtë me pjesëmarrje më të madhe me bende të reja, duke përfshirë të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në komunikatën e shpërndarë në adresë të mediave. “Ky festival, që është shumë i mirëpritur nga të gjithë ata që e vlerësojnë kulturën rock & metal, do t’i bashkojë gjeneratat e ndryshme të krijuesve, ku veprat, përvojat dhe idetë e grupeve pjesëmarrëse do të shkëmbehen dhe përdoren si mësim për gjeneratat e reja”.
Sipas organizatorëve, në “Rock & Metal United 2021” do të marrin pjesë grupe nga Kosova, Shqipëria, Italia, e duke u zgjeruar edhe me bende të tjera ndërkombëtare.
“Ideja është që të ketë shfaqje apo koncerte tri ditë radhazi, me prezantime të bendeve të reja rock & metal, dhe gjithashtu me përkrahje nga bende të famshme që kanë krijuar dhe kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën e rokut shqiptar, rajonal e ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.
Sipas agjendës së publikuar nga organizatorët, koncerti që mbahet në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë do të ketë 23 performanca live.
Në natën e parë të festivalit do të performojnë: “Tre musketarët” nga Tirana (Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi); bendi arbëresh “Shega”; artisti Gima; Epoka 94, “Trampolinë” nga Prishtina, si dhe “Bystander” nga Ferizaj.
Në natën e dytë të festivalit, sipas komunikatës, do të performojnë: Bojken Lako nga Tirana, Jericho, Gillespie, Zwada, Fron, Vini e Veni nga Prishtina, si dhe “Koha” nga Theranda. Në natën e tretë dhe përmbyllëse të festivalit do të performojnë: Eugent Bushpepa, Crossbones dhe TerrorSystem nga Tirana, si dhe Frisson, Sotap, 4x4 dhe Oktappa nga Prishtina.
Me çmimin e biletës ditore, që kushton 5 euro, organizatorët po ashtu kanë njoftuar që ato mund të blihen në pikat: “Rave Travel”, “Rockkuzinë”, “Vendum”, “DefyThem”, “Check in Bar” (Ferizaj), “BarAca (Prizren), “MuseumPub” (Mitrovicë), “RockHouse” (Gjilan) dhe “Rock Hard” (Therandë).