Pesë ditë festival. Plot 18 koncerte me rreth 200 artistë pjesëmarrës. “ReMusica” me edicionin e 24-të vjen në Prishtinë e kësaj here edhe në Prizren, me konceptin e palëkundur të tij. Ndërthur traditën muzikore dhe modernitetin. Tema “Kontrastet” qëndron për dallimet e dukshme stilistike dhe gërshetimin e natyrshëm dhe pret të zbërthehet e të dëshmohet e tillë në festivalin ndërkombëtar të muzikës që mbahet prej 27 deri më 31 tetor.
Pos programit artistik, edicioni sivjet vjen edhe me ngjarje si hapësira për rrjetëzim e bashkëpunim ndërkombëtar. Koncerte, diskutime, punëtori, janë midis aktiviteteve që organizohen dhe përfshijnë emra të shquar të muzikës nga vendi dhe nga skena ndërkombëtare.
Festivali sivjet me temën “Kontrastet”, siç bëhet e ditur vjen “për të reflektuar mbi dialogun mes traditës dhe modernitetit, marrëdhënien e festivaleve me qytetin, rëndësinë e mbështetjes së artistëve në zhvillim”, siç bëhet e ditur.
Drejtoresha artistike e festivalit “ReMusica”, kompozitorja Donika Rudi ka treguar disa detaje.
“Tema pasqyrohet si në programin e festivalit, ashtu edhe në vetë koncertet, ku çdo performancë ndërthur elemente të ndryshme stilistike dhe epoka të ndryshme muzikore, duke krijuar një dialog të gjallë mes së kaluarës dhe së tashmes. Për shembull, këtë vit në kuadër të ‘ReMusica’, artistët rezidentë, ansambli ‘Zefiro Torna’ do të qëndrojnë dhe punojnë gjatë ditëve të festivalit. Ky ansambël ka fokus muzikën e vjetër, me instrumente si luta dhe mandolina, dhe do të bashkëpunojë me Agona Shportën, duke integruar motive të muzikës shqiptare në repertorin e tyre, dhe jo vetëm kaq”, ka thënë Rudi në një përgjigje për KOHËN.
Programi i festivalit hapet me koncertin e dyshes Tedi Papavrami në violinë dhe japonezen Maki Okada në piano me repertor që përfshin vepra të kompozitorëve botërorë e shqiptarë. Koncerti mbahet në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë e po atë natë do të interpretojë edhe ansambli “ReVocal” i drejtuar nga dirigjenti Rafet Rudi, i cili edhe e udhëheq festivalin “ReMusica”. Në këtë koncert, midis tjerash, luhet edhe vepra e tij “Xhike-Loke” dhe vepra të Bahri Mulliqit e Jan Kukuzelit.
Koncertet e dyfishta janë veçanti e këtij edicioni të festivalit.
“Çdo natë e festivalit do të sjellë kështu dy koncerte të ndryshme, plot risi dhe befasi në program, duke ofruar një program të pasur dhe të larmishëm për publikun. Çdo koncert i ‘ReMusica’ është i menduar mbi dy shtylla: 1. Kontrasti i stileve dhe epokave të ndryshme, nga muzika e vjetër deri tek ajo moderne dhe 2. Integrimi i muzikës tradicionale në veprat e reja, duke krijuar një bashkëjetesë mes rrënjëve dhe inovacionit”, ka bërë të ditur kompozitorja Rudi.
Sipas saj, kjo qasje bën që festivali të jetë një përvojë e pasur dhe e larmishme, ku tradita takon modernitetin, dhe publiku njihet me një dialog të gjallë muzikor mes së kaluarës dhe së sotmes”.
Gjatë ditës së 27 tetorit, në hapësirat e Shoqatës së Kompozitorëve zhvillohet diskutimi me temë “Festivalet rreth tryezës: Qyteti dhe festivalet”, si dhe ai me temë “Artistët dhe festivalet rreth tryezës: Tradita dhe moderniteti në muzikë”. E në kuadër të atyre që organizatorët i kanë quajtur koncerte të xhepit, aty do të mbahet koncerti nga “Harmonius Vocal Ensemble”, dirigjuar nga Adelina Ndreca-Kolaj.
Udhëheqësja artistike e festivalit, Donika Rudi, ka theksuar se “ReMusica” zhvillon një program ndërkombëtar, përmes të cilit fton udhëheqës festivalesh dhe organizata ndërkombëtare, jo vetëm për të përcjellë festivalin, por edhe për t’u njohur me kulturën vendore e për mundësi bashkëpunimesh të reja. Ka shpjeguar se si rrjedhojë e kësaj janë konceptuar ato që i quan si koncerte të xhepit.
“...morën pjesë në tryeza të rrumbullakëta dhe ndanë perspektivat e tyre me artistët dhe publikun. Falë këtij programi dhe iniciativës që ‘ReMusica’ ka zhvilluar ndër vite, shumë nga artistët pjesëmarrës në festival janë bërë pjesë e festivaleve ndërkombëtare – bashkëpunime që kanë lindur pikërisht nga ky segment i ‘ReMusicës’. Pikërisht nisur nga kjo ide, janë konceptuar koncertet e Xhepit: koncerte me format më të shkurtër, ku vihen në pah veçori të veçanta: qoftë përmes paraqitjes së artistëve të jashtëzakonshëm në një ambient intim, që ofron një përvojë muzikore unike, qoftë përmes koncerteve tematike apo risive muzikore që i sjellin publikut një shije të re”, ka shpjeguar ajo.
Një ditë më pas, në hapësirat e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, programi për të rinj “ReMusica Junior” zhvillon koncertin interaktiv me klarinetistët e kuartetit “Nieuë Amsterdams Klarinet Këartet” nga Amsterdami, ndërsa një ditë më pas ky aktivitet prezantohet edhe në Prizren, në “Autostrada Hangar”.
Programi rikthehet në festival me program të veçantë për fëmijë dhe përfshin koncerte, punëtori e aktivitete interaktive, sipas festivalit, janë krijuar për të nxitur kuriozitetin dhe kreativitetin e fëmijëve.
Po më datë 28 zhvillohet diskutimi me temë “Rëndësia e përkrahjes së artistëve në zhvillim”. Në kuadër të “ReNew” interpreton violonçelisti austriak Jeremias Fliedl. Ndërsa në mbrëmje, në kishën katolike, kuarteti nga Amsterdami interpreton koncertin “Roots”, si dhe ai me titull “From west to east” me sopranon Kaltrina Miftari, kontratenorin Safet Berisha dhe kitaristi Drilon Çoçaj.
“ReMusica Junior” vazhdon programin në Prizren në hapësirat e “Autostradës...” sikurse edhe zhvillohet bashkëbisedimi me temë “Roli i Festivaleve në veprimin për klimën dhe ndërgjegjësimin mjedisor drejt Net-Zero”. Në atë që e quajnë “koncert xhepi” interpreton “Zefiro Torna Ensemble” dhe Agona Shporta, si dhe një koncert akusmatik me Julien Guillamat. Në Prishtinë, në kishën katolike mban koncert Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me solistë Romain Leleu në trumbetë dhe Thomas Leleu me tubë. Koncerti dirigjohet nga amerikani Gregory Charette.
Në ditën e fundit të festivalit, më 30 tetor, zhvillohet koncerti “Beyong Tradition” me këngëtaren Agona Shporta dhe Ilir Bajrin në piano, si dhe koncerti “Unity in diversity” me “Zefiro Torna Ensemble.
Me gjithsej 18 koncerte në programin e tij, festivali ka shënuar rekord në historinë e tij. Ato shtrihen në pesë ditë program.
“Organizimi i 18 koncerteve në pesë ditë, me rreth dyqind artistë, është pa dyshim një sfidë, pasi shumë akterë janë të kyçur dhe shumë detaje duhen koordinuar për një kohë kaq të shkurtër, por edhe ritmi është i shpejtë. Mirëpo, ndjenja e komunitetit dhe shkëmbimi i praktikave mes festivaleve tona dhe atyre evropiane që vizitojnë ‘ReMusican’ çdo vit dhe marrin pjesë në tryezat e rrumbullakëta, i pasurojnë shpirtin dhe mendjen e artistëve, festivaleve dhe audiencës së Prishtinës dhe Prizrenit”, është shprehur Rudi.
“ReMusica” përherë sjell bukuritë muzikore e ngjyrat e shumta të saj. E drejtoresha artistike e ka konfirmuar këtë. “’ReMusica’ këtë vit është vivace/presto me temp, energji dhe shumë larmi, ku secili koncert ka ngjyrën e vet dhe çdo përvojë do të jetë e veçantë”, është shprehur ajo.