Si dokumentim i traditës muzikore është dëshmuar koncerti nga pianisti e kompozitori Ilir Bajri dhe vokalistja e aranzhuesja Agona Shporta, të enjten mbrëma në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”. Me titullin “Përtej traditës”, dyshja ndërthur stile e zhanre në muzikën popullore. E ajo ka qenë edhe në dialog artistik me kulturat e folklorin e vendeve të tjera në kombinim me atë çfarë kultivon ansambli “Zefiro Torna”.
Koncertet në kuadër të programit të festivalit “ReMusica” janë kapituj të veçantë secilën herë. Koncerte të dyfishta janë organizuar edhe në edicionin e kaluar, por sivjet duken të domosdoshme. Kësisoj publikut i shfaqen kontrastet midis stileve e zhanreve muzikore. I përshtaten edhe temës së edicionit të sivjetmë – “Kontrastet”.
Në pjesën e parë të koncertit të mbrëmjes së të enjtes, publiku ka pasur rastin të njihet jo veç me trashëgiminë e çmuar të muzikës shqipe, por edhe me punën e Bajrit e Shportës në hulumtimin, kultivimin e aranzhimin e kësaj vepre, të fshehur nëpër treva të ndryshme shqiptare. Programi ka përfshirë përpunime të këngëve nga regjioni i Kosovës dhe Shqipërisë nga albumet e tyre “Hape portën” i 2024-s dhe “Introspective” i 2022-tës.
E ata e kanë quajtur koncertin “Përtej traditës”, ashtu siç edhe ka qenë. Zërat lakohen jo përtej teksteve origjinale, por duke marrë ngjyrime të muzikës jazz. E tingujt e pianos shkëputen nga ritmi tradicional drejt po këtij zhanri duke rigjetur përherë vijën melodike të muzikës tradicionale.
Dhe secila këngë është histori më vete. Populli ka rrëfyer nëpërmjet këngëve dhe narrativa e parë e dyshes në koncertin e tyre ka qenë ajo me këngën “Osman Taka”. Me të plotësohet në një formë portreti i artistit të shekullit XIX, valltarit Osman Taka. Historia thotë se si kryengritës luftonte Perandorinë Osmane, që mbante nën pushtim Shqipërinë. Kur ishte dënuar me vdekje, dëshira e fundit ishte që të vallëzonte, para se të vritej në Janinë.
Kënga “Moj Hatixhe” ka ardhur më e heshtur nga versioni popullor. Tash vjen duke iu përshtatur kontekstit, si një lloj kundërvënie ndaj folklorit e revolta vjen edhe nga loja e Ilir Bajrit në piano duke e nxitur Shportën drejt tonaliteteve më të larta të vokalit.
Jazzpianisti e kompozitori i shquar në skenën muzikore ka thënë se programi i është përshtatur temës së festivalit.
“Edhe Agona e ka atë koncept, pra përpunimin e këngëve, hulumtimin me traditën. Plot gjëra të bukura kanë mbetur që janë harruar, ose dhe më keq, nuk dëgjohen fare. Edhe mua më intereson ajo muzikë, pak më e vjetër dhe pyetja se çfarë është tradicionalja, shqipja, a është unike, a është e ngjashme me të tjerat. Këto janë eksperimentet që i bëjmë zakonisht me muzikë. Në këtë festival, meqë ka qenë edhe tema, ka qenë goxha e përshtatshme ta luajmë”, është shprehur ai.
Me këto këngë, harmoninë e këngëve tradicionale, dyshja e ka sjellë tejet bukur. Me krejt ngjyrat e zërit e ritmeve të pianos. Bajri, si mjeshtër në muzikën jazz, e ka kombinuar mahnitshëm zhanrin improvizues me pjesë muzikore të këngëve tradicionale.
Kënga “Djalo i ri” i shkonte vokalit të Agona Shportës. Pianoja me tinguj improvizues shthuret nga ritmet e këngës duke jehuar e duke i dhënë këngës dimensione të reja. E vija melodike me zërin e Shportës e kthen atë në pikën fillestare.
Dyshja Bajri e Shporta kanë sjellë edhe këngët “Zara” e “Asaman moj zojë mirane”.
Pjesa e dytë ka qenë një lloj paralele a krahasimi me koncertin e tyre. Ansambli “Zafiro Torna” ka sjellë këngë që nga baroku e deri te koha moderne. Nga kënga portugeze e greke, është kthyer në atë shqipe, në bashkëpunim me Agona Shportën. Ajo i është bashkuar ansamblit si rrjedhojë e rezidencës artistike që e organizon festivali. “Bashkimi në diversitet” është titulli i koncertit e edhe i projektit të Presidencës belge të Bashkimit Evropian, si dialog artistik me bashkëpunime me vende të ndryshme, e tash edhe në Kosovë.
Mandolinisti virtuoz Alon Sariel, lautisti Jurgen de Bruyn, Christos Barbas me një lloj fyelli, lautë e edhe me vokalin e tij, sikurse edhe vokalistet Elly Aerden e Agona Shporta kanë sjellë repertorin që reprezanton kultura të ndryshme muzikore.
E kanë nisur këtë rrugëtim muzikor me “Gloria: Et in terra pax hominibus” që ka tingëlluar romantike e edhe orientale. Lautat janë në dialog harmonik e të bukur. Më pas kanë interpretuar edhe “Cançao de Embalar”, “La Suava melodia”, “Quante stelle nel cielo” dhe “Mera Merose”.
Te pjesa instrumentale me titull “Perasma”, instrumenti frymor në të cilin luan Christos Barbas, është bërë një lloj zëri i këngës pa këngëtar.
Agona Shporta i është bashkuar ansamblit e krejt bashkë kanë interpretuar këngët “Hapi sytë”, “Çohu Rexho” dhe “Durme durme”.
Veglat muzikore të periudhës së barokut në këtë rast marrin kontekst të muzikës tradicionale shqiptare. Me këngëtaren Elly Aerden, zërat janë kombinuar goxha mirë.
Ansambli “Zefiro Torna” ka interpretuar në pjesën e fundit këngët “To Yasemi” dhe “La comida la manyana”. E krejt në fund, duke iu bashkuar edhe pianisti Ilir Bajri - si dhe dy vajza të reja që kanë prezantuar vegla muzikore nga materiale të ricikluara si produkt i një prej punëtorive të organizuara nga festivali – kanë interpretuar këngën “Hape portën”.
Mandolinisti i shquar Alon Sariel ka treguar që kjo ka qenë hera e parë për ta në Kosovë. Është shprehur se projekti ka qenë për të takuar njerëz të rinj në vende të reja e për të krijuar aranzhime të reja.
“Është për të frymëzuar njëri-tjetrin dhe për t’u ndikuar, duke u bërë bashkë në një program që është themeluar ditë më parë. Kësaj here pati shumë gjëra të reja, si kënga e Kosovës dhe gjuha shqipe, gjë që nuk e kemi bërë më parë dhe natyrisht se ishte shumë emocionuese. Mendoj se ishte frymëzim i dyanshëm, sidomos në njërën vepër, ‘Durme, durme’, ku përfshin traditat e dy vendeve tona dhe ishte frymëzuese për të gjithë ne”, është shprehur ai.
Ka bërë me dije se programi i tyre ka përfshirë kryesisht folklor nga vende të ndryshme.
“Më së shumti ka pasur muzikë të folklorit. Ishte shumë e përzier, muzika vjen nga shumë vende dhe epoka të ndryshme. Edhe pse instrumentet tona janë shumë të vjetra, ne nuk kufizohemi në muzikën e hershme, por luajmë edhe muzikë bashkëkohore dhe aranzhime moderne”, ka thënë ai më tej.
Për tridhjetë vjet, ansambli i asaj që në prezantimin e tyre quhet si muzikë transhistorike, “Zefiro Torna” ka qenë në udhëtim epik nëpër kohë dhe tingull. Ajo që filloi si një kërkim për zëra të harruar nga periudha e Mesjetës, Rilindjes dhe Barokut është rritur në një ndërveprim magjepsës midis së kaluarës dhe së ardhmes – një “alkimi muzikore në të cilën tradita dhe inovacioni bashkohen në një përvojë përtej përkufizimit të qartë”, siç shkruhet aty.
Drejtoresha e festivalit, kompozitorja Donika Rudi, ka thënë se mbrëmja e katërt muzikore e festivalit ka qenë udhëtim i bukur nëpër kultura të ndryshme.
“Jemi shumë të lumtur që këtë vit i kemi pasur artistë rezidentë, këtë ansambël të mrekullueshëm. Alon Sariel, një emër botëror, shumë prezent në skenën ndërkombëtare. Jurgen, Elly dhe bashkëpunimi që e kishim me Agonën ishte fantastik. Një ndërthurje shumë e bukur, jo vetëm e muzikës, kulturave, diversitetit që ansambli përfaqëson, por po ashtu edhe në tingëllimën e përgjithshme të ansamblit me Agonën, ka funksionuar shumë bukur. Pra, një bashkëdyzim jashtëzakonisht spontan dhe shumë natyral”, ka thënë Rudi.
Të mërkurën ansambli ka mbajtur edhe një koncert në “Autostrada Biennale” në Prizren në kuadër të atyre që festivali i quan si koncerte të xhepit të konceptuara për të parën herë sivjet në kuadër të edicionit të 24-të.
Mbrëmja e katërt muzikore e festivalit “ReMusica” ka qenë një lloj burim frymëzimi që shkon drejt horizonteve të reja, ku tradita e muzikës shqipe është krahas kulturave të vendeve të tjera.