Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit  kanë lëshuar paralajmërim urgjent për banorët në Libanin jugor “konkretisht në fshatin Arab al-Jal”, që të evakuohen, ndërsa ushtria thotë se vazhdon të godasë Hezbollahun.

“Ushtria e Mbrojtjes do të sulmojë infrastrukturën ushtarake që i përket organizatës terroriste Hezbollah në një afat të afërt kohor”, tha një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në një postim në X.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo vjen ndërsa mediat shtetërore libaneze raportojnë se sulmet ajrore izraelite kanë goditur tri lagje  në Bejrut herët të martën, sipas AFP-së.

Izraeli konfirmoi më herët se kishte kryer “një valë shtesë sulmesh mbi infrastrukturën terroriste të Hezbollahut në Bejrut”, ka shkruar në Telegram.

Irani konfirmon vdekjen e shefit të sigurisë, Ali Larijani

1 muaj më parë / 17 mar 2026 22:29
Ali Larijani

Photo: Associated Press

Mediumi shtetëror i Iranit ka njoftuar për vdekjen e shefit të sigurisë Ali Larijani. 

Izraeli më herët kishte njoftuar se ishte goditur vendi ku ishte lideri i Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Iranit, Ali Larijani, transmeton "BBC". 

Po ashtu Irani njoftoi se lideri i milicisë Basij, Gholmreza Soleimani po ashtu u vra. Mediumet shtetërore njoftuan edhe vdekjen e Soleimanit. 
 

Izraeli thotë se do ta ndjekë, do ta gjejë dhe do ta “neutralizojë” Mojtaba Khamenein

1 muaj më parë / 17 mar 2026 20:54
Mojtaba Khamenei

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite ka paralajmëruar se do të vazhdojë ta shënjestrojë këdo që “paraqet kërcënim për shtetin e Izraelit”. 

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se do të ndiqet dhe “neutralizohet” edhe lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, raporton “CNN”. 

I pyetur nëse IDF-ja e di fatin e Khameneit, i cili nuk është parë dhe as dëgjuar në publik që nga emërimi i tij, Defrin tha jo dhe shtoi: “Por, mund të them një gjë: ne do të vazhdojmë – siç e kemi dëshmuar – do të vazhdojmë të ndjekim këdo që paraqet kërcënim për shtetin e Izraelit, dhe kushdo që ngre dorë kundër tij nuk është i paprekshëm për ne. Ne do ta ndjekim, do ta gjejmë dhe do ta neutralizojmë”.

Defrin gjithashtu tha se Izraeli do të vazhdojë të shënjestrojë anëtarët e forcave paraushtarake Basij të Iranit. 

“E them sërish këtu, ne do të arrijmë tek të gjithë, pavarësisht se ku apo kur”, tha Defrin. IDF-ja tha më herët të martën se ka vrarë komandantin e kësaj force, Gholamreza Soleimani. Këtë e konfirmuan edhe mediat iraniane.

Irani konfirmon vrasjen e njërit prej zyrtarëve të saj të lartë

1 muaj më parë / 17 mar 2026 20:51
Soleiman

Garda Revolucionare e Iranit ka konfirmuar të martën vrasjen e Soleimanit, sipas Mizan, agjencisë zyrtare të lajmeve të vendit.

Ai ishte një nga dy zyrtarët e lartë të sigurisë për të cilët Izraeli ka thënë të martën se i vrau në sulmet e natës, duke i dhënë një goditje të madhe udhëheqjes së Iranit.

Media shtetërore iraniane ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e Ali Larijani, sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili konsiderohej një nga figurat më të fuqishme në vend. 

Të dy burrat ishin çelësi i shtypjes së dhunshme të protestave nga Irani në janar.

Soleimani ishte sanksionuar gjithashtu nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera për rolin e tij në ndihmën për shtypjen e mospajtimit për vite me radhë përmes Basij, një milici tërësisht vullnetare.

SHBA-ja duhet ta rishqyrtojë anëtarësimin në NATO, thotë Trumpi

1 muaj më parë / 17 mar 2026 20:40
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta rishqyrtojë anëtarësimin e saj në NATO, teksa ka kritikuar aleatët amerikanë për mosndihmën në luftën ndaj Iranit.

Anëtarësimi në NATO, ka thënë Trumpi, është “sigurisht diçka për të cilën duhet të mendojmë”, ndërsa kritikoi aleatët për refuzimin e kërkesave të tij për ndihmë. 

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka thënë se SHBA-ja nuk ishte e detyruar të ndihmonte kur Rusia pushtoi Ukrainën, duke lënë të kuptohet një krahasim mes luftës atje dhe luftës në Iran.

“Ne i ndihmojmë ata, dhe ata nuk na ndihmuan ne, dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e keqe për NATO-n”, ka thënë Trumpi. 

Trumpi ka shtuar se aleatët e NATO-s mbështesnin qëllimin e SHBA-së për të ndaluar Iranin të sigurojë armë bërthamore, por hezitonin të përfshiheshin në luftë.

“Askush nuk dëshiron që Irani të ketë armë bërthamore sepse këta njerëz janë të çmendur. Janë absolutisht të çmendur, dhe janë të egër e të dhunshëm. Të gjithë bien dakord me këtë, por nuk duan të ndihmojnë”, ka deklaruar Trumpi.

Trumpi shtyn udhëtimin e planifikuar për në Kinë

1 muaj më parë / 17 mar 2026 19:45
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shtyrë një udhëtim diplomatik në Kinë që ishte planifikuar prej muajsh.

Vendimi vjen teksa Trumpi po shton presionin si ndaj Pekinit zyrtar ashtu edhe fuqive të tjera botërore për të përdorur fuqinë e tyre ushtarake për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi ka thënë të martën, gjatë një takimi me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, në Zyrën Ovale, se do të shkonte në Kinë pas pesë ose gjashtë javësh në vend që të udhëtonte në fund të muajit. Ai ka shtuar se do ta “riformatonte” vizitën e tij me presidentin kinez, Xi Jinping.

“Po punojmë me Kinën, ata ishin në rregull me këtë”, ka thënë Trump. 

“Pres me padurim të takoj presidentin Xi. Edhe ai pret të më takojë mua, mendoj”, ka shtuar ai. 

Vizita e Trumpit në Kinë shihet si një mundësi për të forcuar një armëpushim të brishtë tregtar mes dy superfuqive, por ajo është ndërlikuar nga përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për luftën në Iran. 

Menjëherë pasi i kërkoi Kinës dhe vendeve të tjera të dërgonin anije luftarake për të siguruar qasjen në naftën e Lindjes së Mesme gjatë fundjavës, Trumpi ka lënë të kuptohej se planet e tij të udhëtimit vareshin nga përgjigjja e Pekinit zyrtar, megjithëse të martën ai ka shtuar se SHBA-ja nuk kishte nevojë për ndihmën e aleatëve që refuzuan kërkesën e tij.

Sulmohet me dronë ambasada amerikane në Bagdad

1 muaj më parë / 17 mar 2026 19:08
Iran sulmet

Photo: Associated Press

Dy dronë janë rrëzuar nga një sistem mbrojtës në Ambasadën Amerikane në Bagdad të martën, ndërsa një dron i tretë ka rënë brenda kompleksit të ambasadës, kanë bërë të ditur dy zyrtarë irakianë të sigurisë.

Një gazetar i Associated Press në zonë ka thënë se ka parë një zjarr masiv që dukej se përfshiu një strukturë në kompleks.

Objektet amerikane në Irak janë sulmuar shpesh nga Irani ose milicitë irakiane të mbështetura nga Irani që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin, duke shkaktuar luftën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Franca s’do të marrë pjesë në zhbllokimin e Hormuzit, thotë Macroni

1 muaj më parë / 17 mar 2026 17:36
Emmaneul Macron

Photo: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke hedhur kështu poshtë komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, se Parisi zyrtar ishte i gatshëm të ndihmonte.

Duke folur në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Trumpi ka deklaruar se kishte folur me Macronin, duke i dhënë një vlerësim “8 nga 10” për qëndrimin e tij ndaj përpjekjeve për të nxitur aleatët që të zhbllokojnë Ngushticën e Hormuzit, dhe ka sugjeruar po ashtu se Macroni do t’i bashkohej përpjekjeve të mbështetura nga SHBA-ja.

“Ne nuk jemi palë në konflikt dhe për këtë arsye Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të hapur apo çliruar Ngushticën e Hormuzit në kontekstin aktual”, ka thënë Macroni në fillim të një mbledhjeje të kabinetit për të diskutuar konfliktet në Lindjen e Mesme.

Zyrtarët francezë kanë thënë se Franca po vazhdon me përpjekjet e saj për të krijuar një koalicion që do të sigurojë Ngushticën e Hormuzit sapo situata e sigurisë të stabilizohet, dhe pa një rol të SHBA-së.

“Ne jemi të bindur se sapo situata të qetësohet, dhe e përdor qëllimisht këtë term në mënyrë të gjerë — sapo situata të qetësohet, pra kur bombardimet kryesore të kenë pushuar, ne jemi të gatshëm, së bashku me kombe të tjera, të marrim përgjegjësinë për sistemin e eskortës”, ka shtuar Macron.

Shtetet evropiane kanë qenë kryesisht të anashkaluara ndërsa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit është përshkallëzuar, teksa Irani ka kryer sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe shteteve të Gjirit.

Por, përderisa rrugët detare janë të prekura dhe konflikti po rrit çmimet e naftës, fuqitë evropiane po përpiqen të gjejnë mënyra për të mbrojtur interesat e tyre.

Zyrtarët kanë thënë se Franca tashmë ka zhvilluar konsultime me shtete evropiane, aziatike, përfshirë Indinë, dhe vendet arabe të Gjirit gjatë javës së kaluar, me synimin për të hartuar një plan që në të ardhmen anijet luftarake të shoqërojnë cisternat dhe anijet tregtare përmes ngushticës.

Trumpi i përgjigjet zyrtarit që dha dorëheqje për shkak të luftës ndaj Iranit: Ishte i dobët

1 muaj më parë / 17 mar 2026 17:22
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ishte kërcënim për SHBA-në, si përgjigje ndaj dorëheqjes se drejtorit të tij të antiterrorizmit, Joe Kent për shkak të luftës ndaj Iranit.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale të martën me kryeministrin e Irlandës, Micheal Martin, Trumpi, ka thënë se gjithmonë kishte menduar që Kent ishte një njeri i dobët në çështjet e sigurisë. 

"E lexova deklaratën e tij. Gjithmonë kam menduar se ishte një djalë i mirë, por gjithmonë kam menduar se ishte i dobët në siguri, shumë i dobët në siguri”.

"Nuk e njihja mirë... Por kur lexova deklaratën e tij kuptova se është mirë që ai është larguar, sepse tha se Irani nuk ishte një kërcënim. Irani ishte një kërcënim, çdo vend e kuptoi se çfarë kërcënimi ishte Irani”, ka shtuar Trumpi.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Kent ka thënë se nuk mund ta mbështeste luftën ndaj Iranit dhe se Irani nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm.

Kent po ashtu ka thënë se SHBA-ja ishte shtyrë nga Izraeli për ta nisur luftën teksa i ka kërkuar Trumpit që “të ndryshojë kurs”.

Trumpi kritikon NATO-n: S’na duhet ndihma e askujt

1 muaj më parë / 17 mar 2026 17:11
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të martën në një postim në Truth Social se nuk është i befasuar nga veprimi i aleatëve të NATO-s për të mos e ndihmuar SHBA-në në hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Ai ka deklaruar se gjithmonë e ka konsideruar NATO-n “si një rrugë njëkahëshe”, teksa ka shtuar se nuk ka më nevojë për ndihmën e aleancës. 

“Për shkak të faktit se kemi pasur një sukses kaq të madh ushtarak, ne nuk ‘kemi më nevojë’, apo dëshirë për ndihmën e vendeve të NATO-s — Ne kurrë nuk e kemi pasur! Po ashtu, Japonia, Australia apo Koreja e Jugut", ka shkruar ai.

Postimi ka ardhur pasi Trumpi kishte kërkuar ndihmën e aleatëve të NATO-s për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe pasi shumë prej vendeve kryesore e hodhën poshtë këtë si mundësi.

E gjatë një takimi në Zyrën Ovale të martën, Trumpi ka thënë po ashtu se aleatët e NATO-s po bëjnë një “gabim të pamend”. 

"Ne nuk kemi nevojë për ta, por ata duhet të kishin qenë atje”, është shprehur ai.

Ndërkaq, i pyetur nëse ka një plan "një ditë pas" për Iranin, Trumpi ka thënë se nëse ata largohen tani, Teheranit do t’i duheshin "10 vjet që të rindërtoheshin".

"Por ne nuk jemi gati të largohemi ende. Por ne do të largohemi në të ardhmen e afërt, do të largohemi pothuajse në të ardhmen shumë të afërt", ka thënë Trumpi.

Lidhur me marrëdhënien e tij me kryeministrin britanik, Keir Starmer, Trumpi ka thënë se ai nuk ka qenë mbështetës.

"Mendoj se ai është një njeri i mirë, por jam i zhgënjyer", ka deklaruar Trump.

Lufta ndaj Iranit – vjen dorëheqja e parë në administratën Trump

1 muaj më parë / 17 mar 2026 15:11
Donald Trump

Photo: Associated Press

Kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joseph Kent, ka dhënë dorëheqjen të martën, duke u bërë anëtari i parë dhe më i lartë i administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që jep dorëheqjen për shkak të luftës në Iran.

Në letrën e dorëheqjes, ai ka thënë se Teherani zyrtar nuk përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, i ka kërkuar presidentit Trump që të "ndryshojë kurs".

"Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën e vazhdueshme në Iran. Irani nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë dhe është e qartë se ne e filluam këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm", ka shkruar Kent në një letër drejtuar Trumpit të postuar në X.

Disa ekspertë kanë thënë se një kërcënim i drejtpërdrejtë do të ishte i nevojshëm që Shtetet e Bashkuara të nisnin një luftë sipas ligjit aktual.

Në letër, Kent ka thënë më tej se më parë kishte mbështetur platformën e politikës së jashtme të Trumpit dhe deri vitin e kaluar besonte se ai "kishte kuptuar se luftërat në Lindjen e Mesme ia grabitën Amerikës jetët e çmuara të patriotëve tanë dhe varfëruan pasurinë dhe prosperitetin e kombit tonë".

Zyrtarët e inteligjencës raportohet të jenë kapur në befasi nga njoftimi i Kent.

Mediat raportojnë se Kent është i afërt me drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka qëndruar kryesisht e heshtur që nga fillimi i luftës në Iran.

Gabbard nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike dhe është shfaqur në publik vetëm gjatë transferimit dinjitoz të ushtarëve amerikanë të vrarë në fillim të këtij muaji gjatë konfliktit me Iranin.

Kent, 45 vjeç, është një veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s, gruaja e të cilit, teknikja e marinës Shannon Kent, kishte mbetur e vdekur nga një sulm vetëvrasës me bombë në Siri në vitin 2019.

Joseph Kent/Foto: AP

Lufta ndaj Iranit do të çojë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor, thotë OKB-ja

1 muaj më parë / 17 mar 2026 15:02
Uria

Photo: Associated Press

Dhjetëra milionë njerëz do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, sipas një analize të publikuar të martën nga Programi Botëror i Ushqimit, i cili vepron në kuadër të OKB-së.

Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit që filluan më 28 shkurt kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat shpëtimtare për disa nga krizat më të këqija në botë.

45 milionë të tjerë parashikohet të çohen në uri akute për shkak të rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit, duke e çuar numrin global mbi nivelin aktual rekord prej 319 milionësh, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë zëvendësdrejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, Carl Skau.

"Kjo do t'i çonte nivelet globale të urisë në një rekord të të gjitha kohërave dhe është një perspektivë e tmerrshme", ka thënë ai. 

“Tashmë, para kësaj lufte, ishim në një stuhi të përsosur ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, për sa i përket numrave dhe se sa e thellë është ajo", ka shtuar ai. 

Skau ka thënë se kostot e transportit janë rritur me 18% që kur filluan sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt.

BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 17 mar 2026 14:37
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të martën se duhet të gjenden mënyra diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Deklarata e saj vjen teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin, mes luftës në Iran.

"Askush nuk është i gatshëm t'i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë të hapur në mënyrë që të mos kemi një krizë ushqimore, krizë të plehrave kimike, krizë energjie gjithashtu", ka thënë Kallas në një intervistë me Reuters.

Presidenti Trump ka paralajmëruar të dielën NATO-n se e pret “një e ardhme shumë e keqe” nëse vendet anëtare nuk i ndihmojnë SHBA-së që ta sigurojë Ngushticën e Hormuzit.

Deri më tani, asnjë vend nuk është shprehur publikisht pro thirrjes së Trumpit, teksa vendet si Britania, Gjermania dhe Spanja kanë paraqitur qëndrim kundër, duke thënë se nuk duan të tërhiqen në një luftë më të gjerë, dhe po ashtu se lufta ndaj Iranit nuk është çështje e NATO-s.

Trumpi ka deklaruar të hënën se e dinte që nuk do të merret ndihmë nga vendet e NATO-s, sepse siç ka thënë, kjo ka ndodhur gjithmonë, që SHBA-ja i ka ndihmuar ato, ndërkaq ato kanë refuzuar të ofrojnë ndihmë.

Ai ka thënë po ashtu se disa liderë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe se emrat e tyre do t’i bëjë publik më vonë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Kina ofron ndihmë emergjente humanitare për Iranin dhe tri vende të tjera

1 muaj më parë / 17 mar 2026 12:48
Kine

Kina është duke ofruar ndihmë humanitare emergjente për Iranin, Jordaninë, Irakun dhe Libanin për shkak të luftës.

“Konflikti ka shkaktuar një katastrofë serioze humanitare për popullin e vendeve rajonale, përfshirë Iranin”,  tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian në Pekin.

Ai nuk dha detaje mbi shumën apo natyrën e ndihmës.

Kina më parë kishte njoftuar se do të siguronte 200.000 dollarë për të mbështetur prindërit e nxënësve të vrarë nga një sulm raketor që goditi një shkollë fillore në Iran.

Izraeli thotë se i ka vrarë dy figura të rëndësishme iraniane

1 muaj më parë / 17 mar 2026 11:03 Nga: Associated Press
Israel Katz,

Israel Katz ministër i Mbrojtjes i Izraelit

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka njoftuar të martën se ushtria izraelite ka vrarë zyrtarin e lartë iranian të sigurisë, Ali Larijani në një sulm gjatë natës.

Israel Katz e bëri këtë njoftim dhe shtoi se ushtria izraelite gjithashtu kishte vrarë gjeneralin Gholam Reza Soleimani, kreun e forcës vullnetare Basij të Gardës Revolucionare.

Mediat shtetërore iraniane nuk konfirmuan menjëherë asnjërin prej informacioneve, por thanë se një mesazh nga zyra e Larijanit do të publikohet së shpejti, shkruan AP.

Larijani vinte nga një familjet më të njohura politike të Iranit, ka shërbyer si kryetar i Parlamentit dhe këshilltar i lartë për politikën e sigurisë, duke përfshirë këshillimin e ish-liderit Khamenei në negociatat bërthamore me administratën Trump. Ai ishte gjithashtu sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Larijani ishte një figurë konservatore brenda teokracisë iraniane, i përfshirë në shtypjen e dhunshme të protestave kombëtare të janarit të vitit 2022, të cilat sipas SHBA-së shkaktuan mijëra viktima dhe dhjetëra-mijëra të arrestuar. Ai gjithashtu ishte i ndaluar të kandidojë për president në vitin 2021 nga Khamenei, për shkak të qëndrimeve të tij pragmatike në lidhje me Marrëveshjen Bërthamore të vitit 2015.

Irani godet ambasadën amerikane në Bagdad

1 muaj më parë / 17 mar 2026 09:20
bagdad

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bagdad është sulmuar gjatë natës me dronë dhe raketa, ndërsa burime të sigurisë  në Irak kanë deklaruar se ky ishte sulmi më intensiv që nga fillimi i sulmeve, shkruan AFP.

Përveç kësaj, një zjarr u shkaktua nga një dron në një hotel në Bagdad, pikërisht në pjesën ku ndodhet ambasada e SHBA-së.

Ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në Liban, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar po u bëjnë thirrje të dy vendeve të nisin negociata, pas asaj që ata e quajnë “situatë humanitare thellësisht shqetësuese”.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb mbrojti Keir Starmer pas kritikave të presidentit Donald Trump ndaj Mbretërisë së Bashkuar për “mosndihmën” e Mbretërisë së Bashkuar në sulmet  ndaj Iranit.