Një gjyq i pazakontë në Los Anxhelos trajton rastin e Kaleyt, një vajze që kalonte deri në 16 orë në Instagram dhe përjetoi probleme të thella të shëndetit mendor. Çështja përqendrohet në pyetjen nëse platformat si Meta duhet të mbajnë përgjegjësi për varësinë dhe dëmet që u shkaktojnë përdoruesve të rinj.
Kaley kalonte orë të tëra duke shikuar në Instagram derisa flinte. Ajo zgjohej gjatë natës për të kontrolluar njoftimet. Hapte aplikacionin sa herë që zgjohej. Një ditë kaloi 16 orë në Instagram.
“Isha ndalur së angazhuari në ndonjë gjë me familjen time, sepse po kaloja gjithë kohën në rrjetet sociale“, tregoi Kaley para një jurie në Los Anxhelos gjatë një procesi gjyqësor kundër Meta dhe Google, dy prej kompanive më të mëdha në botë.
TikTok dhe Snapchat, të cilat gjithashtu ishin përfshirë në padinë e saj fillestare, arritën një marrëveshje me të jashtë gjykatës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKaley, e njohur vetëm me emrin e saj ose inicialet për të mbrojtur privatësinë, ka shndërruar historinë e saj në një rast precedent për mbi 2.000 padi të tjera që synojnë t'i mbajnë kompanitë e rrjeteve sociale përgjegjëse për dëmet që i shkaktojnë shëndetit mendor të përdoruesve të rinj.
Si i pari i këtij lloji, gjyqi është duke u ndjekur me vëmendje nga ekspertët ligjorë dhe prindërit që besojnë se fëmijët e tyre janë dëmtuar, madje shtyrë në vetëvrasje, nga rrjetet sociale.
Lori Schott kaloi disa ditë duke ndjekur gjyqin në Los Anxhelos, megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me padinë. Vajza e saj, Annalee, ia mori jetën vetes në moshën 18- vjeçare, një tragjedi që Schott e lidh me mënyrën se si Instagram e ekspozoi atë ndaj përmbajtjeve psikologjikisht dëmtuese, pavarësisht se kompania pretendon se ishte e vetëdijshme për ndikimet e mundshme të tilla te të rinjtë.
“Ata fshehën kërkimet. E dinin që ishin shpërqendruese dhe shkaktonin varësi. Na dhanë një ndjenjë të rreme sigurie”, tha Schott, duke përshkruar për BBC-në atë që kishte mësuar gjatë gjyqit. “Ekipi i tyre i marrëdhënieve me publikun dukej se po përpiqej të na bindte se gjithçka ishte vetëm e bukur”.
Pesha e procesit
Në qendër të çështjes janë pyetje nëse Kaley kishte një varësi ndaj rrjeteve sociale dhe nëse kompanitë e rrjeteve sociale i projektuan platformat e tyre për të krijuar varësi. Nëse po, juria do të duhet të vendosë se çfarë përgjegjësie kanë kompani si Meta ndaj përdoruesve të rinj, si Kaley, të cilët mund të kenë pësuar dëme nga këto mënyra të projektimit.
Në këtë gjyq ndodhen shumë përballje të mëdha për Meta, Google dhe platformat e tjera sociale.
Shumica e çështjeve ligjore të procesit, të tilla si, që rrjetet sociale janë shpërqendruese për përdoruesit e rinj dhe janë projektuar me qëllim për të qenë të tilla, janë “plotësisht të papara“, siç tha disa herë gjyqtarja Carolyn Kuhl gjatë procesit.
Në një zhvillim të jashtëzakonshëm, Mark Zuckerberg, bashkëthemeluesi dhe shef ekzekutiv i Metas, i cili zotëron Instagram, Facebook dhe WhatsApp, u shfaq personalisht për të mbrojtur platformat e tij. Kjo ishte hera e parë që ai dëshmoi në një gjyq, pavarësisht se kompania e tij është paditur qindra herë në të kaluarën.
Nëse juria vendos në favor të Kaleyt, kjo mund të ndërpresë dekada të tëra të precedentëve ligjorë dhe kulturorë që i kanë trajtuar platformat si thjesht depozita të natyrës njerëzore.
Po ashtu, do të hapte mundësinë e dënimeve historike që mund të paguhen nga kompanitë si Meta.
Mijëra raste të tjera të ngjashme me atë të Kaleyt janë duke kaluar në sistemin gjyqësor të SHBA-së dhe do të ndikohen nga përfundimi i këtij gjyqi të parë.
Edhe nëse juria e Los Anxhelosit nuk e shpall Metan ose Google përgjegjëse për rastin e Kaleyt, presioni publik dhe politik ndaj kompanive të teknologjisë po rritet viteve të fundit.
Këto kompani, përgjithësisht, nuk mbajnë përgjegjësi ligjore ndaj përdoruesve të tyre, por një valë e të rinjve me shqetësime të rënda për shëndetin mendor dhe rritja e rasteve të vetëvrasjeve mes fëmijëve ka bërë që prindërit dhe qeveritë të fillojnë të ndalojnë përdorimin e rrjeteve sociale për adoleshentët dhe fëmijët e vegjël.
Ata thonë se platformat i ekspozojnë fëmijët ndaj gjithçkaje, nga standardet e pamundura të bukurisë deri te predatorët seksualë.
Aaron Ping ka ndjekur gjithashtu me vëmendje gjyqin. Djali i tij, Avery, iA mori jetën vetes në moshën 16-vjeçare. Ai e përshkroi për BBC-në si një djalë që kaloi nga shoku i tij i aventurave në një djalë me të cilin shpesh diskutonte për përdorimin e YouTube-it.
“Ne hartuam një marrëveshje për kohën para ekranit me këshilltarët e shkollës, se çfarë duhej të realizonte ai për të marrë një kohë të caktuar për përdorim ekrani“, tha Ping.
Meta dhe YouTube nuk dhanë asnjë përgjigje për kërkesën për koment lidhur me përvojat e Schottit dhe Pingut.

Kaley shpjegoi në gjykatë se ajo filloi të përdorte YouTube që në moshën 6-vjeçare dhe Instagramin që në moshën 9-vjeçare.
Meta pretendon se ndalon përdoruesit nën moshën 13-vjeçare që të përdorin platformat e saj, ndërsa YouTube ofron versione të ndryshme të platformës për fëmijë, si YouTube Kids. Duke krijuar dhjetëra llogari në të dy platformat për të marrë pëlqime dhe angazhime me përmbajtjen që po postonte - selfie në Instagram dhe video të saj duke kënduar në YouTube, Kaley donte të ndihej e pëlqyer dhe e vlerësuar.
Kur nuk ishte duke postuar përmbajtje të saj, ajo kalonte orë të tëra duke shfletuar Instagram dhe duke parë video në YouTube. Ajo filloi të dilte më pak jashtë dhe kishte vështirësi në të angazhuarit me njerëz jashtë.
Rreth moshës 10-vjeçare Kaley kujton se pati ndjenjat e para të ankthit dhe depresionit, çrregullime për të cilat ajo do të diagnostikohej vitet më vonë nga një terapist.
Ajo gjithashtu filloi të obsesionohej me pamjen e saj fizike dhe të përdorte filtra në Instagram që do të ndryshonin mënyrën se si ajo dukej – hundë më e vogël, sy më të mëdhenj, makijazh - thuajse sapo ajo filloi të përdorte platformën si fëmijë.
Kaley tani është diagnostikuar me dismorfi trupore, një gjendje ku njerëzit shqetësohen në mënyrë të tepruar për pamjen e tyre dhe nuk e shohin veten siç e shohin të tjerët.
Kur e pyeti avokati i saj, Mark Lanier, nëse ajo kishte pasur këto ndjenja para se të përdorte rrjetet sociale, Kaley u përgjigj: “Jo, nuk i kisha”.
“Problematikë”? Apo varësi?
Sipas Metas, problemet e shëndetit mendor të Kaleyt burojnë nga jeta e saj personale dhe mënyra se si u rrit, dhe nuk mund të fajësohet përdorimi i Instagramit nga ajo.
Adam Mosseri, drejtuesi i Instagramit, dëshmoi në gjykatë se edhe 16 orë përdorim të Instagramit nuk i dukej si varësi. Ai përshkroi dikë që kalon pothuajse një ditë të tërë në rrjetet sociale si “problematikë”.
Kur Mark Zuckerberg dëshmoi, i shoqëruar nga katër roja personale, ai përsëriti disa herë se kompania e tij gjithmonë ka pasur një politikë që e ndalon përdorimin për fëmijët nën moshën 13-vjeçare.
Kur u pyet të shpjegonte dokumente të brendshme të kompanisë të paraqitura në kuadër të padisë, ku ekzekutivët e Metas diskutonin mbi miliona fëmijë që përdorin Instagram dhe Facebook, dhe madje lavdëronin dhe planifikonin rritjen e përdorimit mes fëmijëve, Zuckerberg u duk i frustruar.
“Unë nuk kuptoj pse kjo është kaq e komplikuar”, tha miliarderi në një moment. “Ka qenë politika jonë e qëndrueshme që ata nuk lejohen dhe ne përpiqemi t’i largojmë. Nuk jemi perfekt”.
Avokatët e Kaleyt e kundërshtuan Mark Zuckerberg për deklaratën e tij se qëllimi i vetëm i Meta Platforms ishte krijimi i platformave të dobishme, të cilat sipas tij në mënyrë të natyrshme i bëjnë njerëzit t’i përdorin më shumë. Lanier argumentoi se edhe varësia mund të bëjë që njerëzit ta përdorin diçka më shpesh, dhe për një moment Zuckerberg u duk i pasigurt.
“Nuk e di çfarë të them për këtë,” u shpreh ai. “Mendoj se mund të jetë e mundur, por nuk jam i sigurt nëse vlen në këtë rast. Unë thjesht po përpiqem të ndërtoj një shërbim”, tha ai.
Fokusi i avokatëve të Kaleyt mbi varësinë nga rrjetet sociale mund të jetë një argument i vështirë për t’u mbrojtur, pasi kjo gjendje nuk ekziston zyrtarisht.
Kur avokatët e Metas folën me një terapiste që kishte trajtuar Kaleyn, ajo pranoi se kurrë nuk e kishte diagnostikuar pacienten e saj me varësi nga rrjetet sociale.
Argumentet kryesore të Metas u përqendruan kryesisht te jeta e Kaleyt në shtëpi, duke iu referuar herë pas here postimeve të saj në Instagram, që tregonin një vajzë që po përballej me prindër të paqëndrueshëm, kritikë ndaj pamjes së saj dhe ndonjëherë abuzues emocional, verbal dhe fizik.
Pyetja kryesore e kompanisë për jurinë ka qenë nëse problemet e shëndetit mendor të Kaleyt shkaktohen qartë nga përdorimi i rrjeteve sociale, ndërsa ata argumentonin se shumë faktorë të tjerë ishin fajtorë.
Kjo njihet si testi “but for” në përgjegjësinë ligjore. Nëse një dëm do të kishte ndodhur edhe pa veprimin e pretenduar të të paditurit, atëherë ai nuk mund të fajësohet për dëm.
Tani, Kaley thotë se ka një marrëdhënie të ngrohtë me nënën e saj dhe po punon ndërkohë që ndjek shkollën.
Përdorimi i saj i rrjeteve sociale vazhdon - madje ajo pranoi në gjykatë se do të ishte e interesuar për një karrierë në menaxhimin e mediave sociale.
Por kur u pyet nëse jeta e saj do të ishte më e mirë po të mos kishte përdorur kurrë platforma si Instagram, përgjigjja e Kaleyt ishte e thjeshtë:
“Po”.