Filmbërësi skocez Doug Gillen ka bashkëpunuar me kolektivin artistik “Void Projects”, për ta shpalosur filmin e metrazhit të shkurtër “Change”, që qëmton ndërkëmbimin e kulturës, aktivizmit dhe ndryshimit shoqëror në Ferizaj. I vendosur përkundrejt pandemisë globale, filmi përvijon 10 artistë ndërkombëtarë që përsiasin në historinë e vendit që po e merr veten nga lufta. Në bashkëpunim edhe me komunitetin vendës, ky brez i ri krijuesish zbulon rrëfime njerëzore në qytetin e Ferizajt.
Në “Change”, arti urban i “Void Projects” bëhet një kremtim pamor i ndërlidhshmërisë në një kohë kur distanca është diçka e bashkëndarë. Ndërtesat, vendet, njerëzit apo historitë e tyre, që të gjitha kanë luajtur rol në kuptimin e marrëdhënies mes artit dhe audiencës. Sa më e madhe që është kjo lidhje, aq më efektive është puna.
“Zhbirimi i rrëfimeve njerëzore të Ferizajt në këtë mënyrë, në këtë çast fort të rrallë në kohë, dukej si një mundësi e rëndësishme për ta dokumentuar kuptimshëm”, thotë regjisori Doug Gillen.
Krahas ndërhyrjeve të artistëve, “Void Projects” në bashkëpunim me ”Mural Fest Kosova” kanë zhvilluar dhe zbatuar një program shumëdisiplinor, përfshirë punëtori, murale, ndërhyrje, ekspozita dhe udhëtime të hapura.
Nisma, tok me aspektin e vet të shoqërorizimit, ka shkuar përtej kufizave të modelit të festivalit tradicional, me synimin për frymëzimin dhe angazhimin e të rinjve të Ferizajt. Duke punuar krahas shkollave lokale e kolegjeve, ata kanë ofruar punëtori dhe lehtësim të përfshirjes së drejtpërdrejtë në prodhimin dhe realizimin e festivalit, për t’i inkurajuar mundësitë praktike të mësimit.
“Change” është i fundit në vargun e filmave që dokumentojnë lëvizjet globale të artit në rrugë, veçmas në momentumin e tyre, që avokojnë për vetëdije më të madhe shoqërore dhe mjedisore. Filmi përmban veprat e Ampparito, Aruallan, Michael Beitz, Helen Bur, Emilio Cerezo, Doa Oa, Alba Fabre, Ivan Floro, Maria Jose Gallardo, Retry One, Zane Prater, Vlada Trocja dhe Axel Void dhe do të jetë pjesë e festivalit të filmit për gjashtë muajt e ardhshëm, të bërë nga “Fifth Wall TV” në bashkëpunim me “Kosovo Mural Festival” dhe “Void Projects”.