Me një shëtitje dhjetëminutëshe nëpër qendrën e qytetit të Ferizajt përballesh me dhjetëra murale. Diku portreti që flet me shkrepjet e Hazir Rekës, në një skaj fëmija që mban në duar fotografinë e babait të pagjetur, transformimi i fëmijëve të lagjes, lufta nëpërmjet kampeve e deri te lulet me përmasa të mëdha, tashmë zënë vend në muret e ndërtesave. Por rrugëtimi i ngjyrosjes me gjallëri të këtij qyteti nuk po ndalet.
Për të shtatin edicion me radhë, organizatorët e festivalit të muraleve “Mural Fest” i janë përveshur punës e artistët kanë nisur të zënë vendet e tyre pranë lokacioneve të përzgjedhura nga ata. Objekti i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, ATK-së, shkolla e mesme e muzikës “Çesk Zadeja”, shkolla fillore “Tefik Canga”, rruga “Vëllezërit Gërvalla”, nënkalimi i qytetit e rruga “Nerodimja” në qendër janë shtatë hapësirat e përzgjedhura që do të preken nga ndërhyrjet nga artistë me renome ndërkombëtare e vendore.
Në çdo qoshe ku tashmë ka filluar të marrë formë krijimi i muraleve, gjithçka është në linjë me numrin 7, si simbolikë e edicionit të sivjetmë dhe me temën “On/Offline”. Të nisur nga ideja që secili duhet të ndiejë transformimin e qytetit përmes artit, organizatorët kanë zgjedhur që mesazhi për këtë vit të jetë shkyçje nga bota virtuale dhe inkuadrim në atë artistike. Nuk ekziston as dokumentim në rrjete sociale për atë që po ndodh ditë pas dite në Ferizaj, për shkak të thirrjes për të përjetuar ndryshimin artistik personalisht.
Gjatë këtyre viteve të organizimit, përveç bukurisë që ia ka falur qytetit, “Mural Fest” ka arritur edhe të shtrijë namin e vet te komuniteti artistik ndërkombëtar. Maximiliano Bagnasco, artisti me prejardhje spanjolle, është njëri nga ta. Sipas organizatorëve ai e ka bërë vetë kërkesën për pjesëmarrje, siç ka treguar ai, i shtyrë nga historia e Kosovës dhe rëndësia e Festivalit. Frymë ndërkombëtare edicionit të vjetëm po i sjellin edhe Doug Gillen e Gabriel Pitcher nga Britania e Madhe, Zane Prater nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Theo Magma e Adrián Mateo – DRIDALI nga Spanja, Mate Artist nga Gjermania e Retryone nga Holanda. Nga Kosova përfaqësohen edhe En Sylejmani, e grupi “Spring Flash”, në përbërje prej Antika Veselit, Hana Hazirit dhe Valera Konxhelit.
Përvojën artistike nëpër galeri të San Franciscos, Denverit, Miamit e Barcelonës po e sjell në Ferizaj për të dytën herë me radhë artisti Zane Prater. Pak metra larg nënkalimit të qytetit, në murin e njërit prej komplekseve banesore, brenda më pak se dy dite ai ka filluar t’ia ndryshojë krejtësisht pamjen lagjes. Ka përzgjedhur rrëfim vendor, duke e shfaqur në mural një vajzë ferizajase, si mirënjohje për kontributin e grave për ndryshim në Kosovë.
“Çka më ka pëlqyer shumë nga vizita ime e parë në Kosovë ka qenë fakti se si vajzat e reja po rriten dhe po punojnë aq shumë. Jam shumë i lumtur që po e shoh këtë energji. Kam parë një grup njerëzish të cilët e duan pikturimin, entuziastë për të ndihmuar të tjerët për ta bërë Kosovën më të mirë”, ka thënë i diplomuari në Akademinë e Artit në Barcelonë.
“Në vepër është njëra nga vajzat e këtij grupi, një aktiviste, Valera, doja të fokusohesha te një njeri që është nga këtu dhe që po përdor lule bimore, të cilat përdoren si barna mjekësore”, rrëfeu ai.
Sipas Prater, tema e edicionit të sivjetmë është edhe mundësi për të komunikuar më shumë me vendin dhe me traditat.
“Duket sikur njerëzit krenohen me muralet dhe është komunikim shumë i mirë mes artistëve dhe banorëve lokalë, duke përfshirë pikturimin e punëtoritë në shkollë. Festivali po sjell shumë për qytetin, rinia po inspirohet shumë nga artistët dhe unë si artist po inspirohem nga rinia”, përfundoi ai me entuziazëm.
E njëjta energji i lexohet në sy edhe artistit spanjoll, Maximiliano Bagnasco, i cili tentoi të tregojë për energjinë e ngrohtë të Kosovës me një anglishte me pak çalime.
“E kam parë këtë festival në rrjetet sociale dhe jam interesuar të marr pjesë për shkak të historisë së Kosovës dhe se e di se çfarë ka ndodhur. Më pëlqente të isha pjesë e dhënies së ngjyrave në Kosovë”, ka thënë ai.
Bagnasco, i cili deri më tani ka realizuar pikturat murale të personaliteteve të njohura argjentinase, si Ernesto Sábato, Jorge Luis Borge, Mercedes Sosa, Mariano Mores, Jorge Guinzburg, Ringo Bonavena, Lionel Messi dhe Diego Armando Maradona, në Kosovë ka vendosur të sjellë portretin e një vajze sykaltër.
“Ideja e muralit tim është të pasqyrojë praninë e njerëzve fizikisht, por shumë prej tyre aktualisht për shkak të rrjeteve sociale apo problemeve të tjera të shoqërisë së sotme nuk janë të lidhur me prani fizike e mendore”, ka thënë ai në tentim të përshkrimit të konceptit të portretit të vajzës, puna për të cilën ka avancuar goxha.
Menaxherja e projekteve në “Mural Fest”, Saranda Sefedini, ka thënë se kanë tentuar që temën e sivjetme ta dallojnë nga ato parapraket.
“Jemi munduar që të targetojmë inovacione teknologjike, të cilat sado që kanë avantazhe po dinë të jenë edhe disavantazh për shoqërinë në terme të komunikimit shoqëror, pasi që çdo aktivitet po zhvillohet prapa pajisjeve mobile dhe kemi nisur të harrojmë e injorojmë gjallërinë e të jetuarit tani për tani në ambientet reale”, ka thënë Sefedini për temën “On-Offline”.
Sipas saj, arsyeja e mosdokumentimit të Festivalit në botën virtuale në kohën sa po ndodh qëndron mbi bazën e përjetimit nga afër.
“Përveçse Ferizajt po i jepet më shumë ngjyrë e jetë me murale, është duke u pasuruar trashëgimia kulturore me artistë, të cilët kanë lënë vepra në çdo cep të botës. Artistët që i kemi tani prezentë e identifikojnë Ferizajn si vend të muraleve”, ka thënë ajo të hënën për edicionin që ka nisur të shtunën e do të vazhdojë për një javë.