Në ishullin e qetë të Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, ku ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, janë intensifikuar gërmimet arkeologjike. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër bën me dije se projekti kërkimor shqiptaro-francez, nën drejtimin e arkeologeve Etleva Nallbani dhe Elvana Metalla, ka si qëllim dokumentimin e strukturave që shënjojnë urbanizimin e qytetit mesjetar, duke eksploruar një sektor të ri – qytetin e sipërm.
Gjatë punimeve ka dalë në dritë një rrethim i ri, i cili dëshmon se Sarda ka pasur një sistem mbrojtës me tri unaza.
“Projekti prej vitesh synon të zbërthejë dëshmi nga jetesa në kohën e mesjetës, praktikat funerare, paleodemografinë, prodhimet dhe shkëmbimet ndërajonale”, shkruhet në njoftim.
Kërkimet arkeologjike zhvillohen në kuadër të projektit: “Lugina e Drinit në mesjetë”, i cili realizohet nga École française de Rome, Centre National de Recherche Scientifique, Ministère de l’Europe et des affaires étrangères, INRAP, Instituti i Arkeologjisë i Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe DRTK, Shkodër.