Gërmimet arkeologjike që po bëhen te Forumi Bizantin në Durrës, kanë nxjerrë në pah elemente të reja në lidhje me funksionin e këtij monumenti gjatë periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës.
Arkeologia Brikena Shkodra, e cila drejton ekspeditën, ka thënë për mediet shqiptare se qëllimi i tyre, qysh në fillim të gërmimeve ka qenë identifikimi i funksionit të këtij monumenti deri në shekullin XIV dhe XV dhe tashmë kanë zbuluar se shtresa e monumentit ruhet e pagërmuar dhe pas shekullit VI kanë ekzistuar dy nivele përdorimi.
“Sërish këtë vit fokusohemi në mbledhjen e informacioneve të mëtejshme për ta njohur historinë e funksionimit dhe transformimit të forumit rrethor. Është struktura më e rëndësishme e qytetit gjatë antikitetit të vonë, sepse është qendra publike e qytetit në këtë moment historik (shekulli VI)”, ka thënë arkeologia Shkodra, raporton “Balkanweb”.
Kjo është ekspedita e katërt arkeologjike e viteve të fundit. Gjatë këtyre ditëve, arkeologët kanë zbuluar disa skelete njerëzish, për të cilat Shkodra ka thënë se janë me rëndësi për t’i përditësuar të dhënat ekzistuese rreth varrezës mesjetare të qytetit.
“Jemi pothuajse 70 centimetra nën nivelin aktual të përdorimit të qytetit dhe kemi hasur në gjurmët e varrezës. Bëhet fjalë për një varrezë të periudhës mesjetare. Nuk e përcaktojmë dot saktësisht momentin kronologjik se kur në mesjetë, por është një e dhënë shumë e rëndësishme, sepse dokumentimin e periudhës së varrezës mesjetare të qytetit e kemi me të dhëna tepër sporadike”, ka thënë Shkodra.
Forumi Bizantin është monument në formë kolonade, i pambuluar dhe ka qenë një hapësirë ku organizoheshin aktivitete sociale, kulturore dhe politike. Këto janë të dhëna të siguruara nga burimet historike, ndërkohë që ekspeditat arkeologjike që janë zhvilluar në këtë vend kanë zbuluar se në periudha të ndryshme historike kanë ekzistuar edhe taverna që shërbehej ushqim si dhe punishte për prodhimin dhe tregtimin e enëve të qelqit. Kjo ekspeditë që po kryhet është e katërta në harkun e dy vjetëve të fundit. Gërmimet po kryhen në kuadër të projektit ‘Dyrraciumi në antikitetin e vonë”, i cili realizohet nga Instituti i Arkeologjisë i Shqipërisë me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Sipas shënimeve, Forumi bizantin si shesh tregu ka qenë qendër bizantine e qytetit të vjetër, Dyrrah. Zinte pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine. Është ndërtuar gjatë kohës së perandorit romak Anastas, në fund të shekullit VI (481-518). Në qendër ndodhet një podium dhe një pus, mbi një shtrojë pllakash mermeri që mbulojnë dyshemenë, deri pranë kolonadës me një perimetër 40 metra.