Arti figurativ shqiptar për dekada është pasuruar me mjeshtërinë e artisti Qirjako Meniko. Përtej kontributit në krijim, Meniko nëpërmjet studimeve të tij i dha historisë së artit vepra me vlerë. E si profesor universitar qe edukator i shumë brezave. Ai vdiq të premten. Ishte 81 vjeç.
Njoftimi për vdekjen e profesor Menikos është dhënë nga Fakulteti i Artit Skenik dhe Universiteti i Arteve në Tiranë duke konsideruar se kanë humbur sot një nga profesorët më të shquar të jetës akademike, pedagogjike e artistike.
Sipas biografisë së publikuar nga Universiteti i Arteve në Tiranë, profesor Meniko u lind në Himarë më 15 korrik 1945. Përfundoi studimet e larta për pikturë në vitin 1970. Në fillimet e tij ishte redaktor për artet figurative në gazetën “Drita”.
Në vitin 1973, punoi në Galerinë Kombëtare të Arteve, në sektorin e studimeve historike dhe teorike. Në 1975 nisi punën si pedagog i lëndës së Historisë së Arteve Figurative pranë Katedrës së Lëndëve Teorike në Institutin e Lartë të Arteve, duke mbuluar këtë lëndë në Degën e Artit Figurativ.
Më pas gjatë viteve 1992-1994 mori drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Në mesin e viteve ‘90 vazhdon si pedagog për dhënien e lëndës Histori Arti Figurativ si dhe lëndës Pikturë pranë Katedrës së Skenografi-Kostumografi në Fakultetin e Artit Skenik.
Edhe
Akademik Emin Riza – guri peshërëndë i studimit të trashëgimisë kulturore
“Ka krijuar tekstin bazë të historisë së arteve figurative botërore në Institutin e Lartë të Arteve, si dhe mjaft shkrime kritike për artet figurative. Ka përgatitur shumë tekste mësimore të historisë së artit, për shkollat profesionale artistike si edhe për studentët e katedrave të arteve monumentale dhe të aplikuara”, shkruhet në biografi.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një mesazhi ngushëllimi në rrjetet sociale, theksoi se ndarja e prof. Menikos nga jeta është një humbje e madhe për kulturën shqiptare.
“Për më shumë se katër dekada, Prof. Meniko i kushtoi jetën formimit të brezave të tërë artistësh, studiuesish dhe skenografësh, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe më pas në Universitetin e Arteve. Si autor i teksteve themelore të historisë së arteve figurative dhe si studiues i palodhur, ai ndihmoi në ndërtimin e bazave akademike të edukimit artistik në vend”, shkruan ai.
Sipas ministrit, kontributi i tij u shtri edhe në drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në kritikën artistike dhe në krijimtarinë e tij si piktor, me vepra të ekspozuara brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare.
Gonxhja theksoi se Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, Universitetit të Arteve, komunitetit akademik dhe gjithë botës së artit për këtë humbje të madhe.
Artisti Alfred Nini ka thënë se Meniko për të nuk ishte vetëm pedagogu që ia mësoi historinë e artit.
“Ishte njeriu që besoi tek unë dhe u bë shtysa që të hyja në fushën akademike. Me kalimin e viteve pata privilegjin ta kem edhe mik. Bisedat tona për pikturën, historinë e artit botëror dhe kulturën ishin gjithmonë frymëzuese dhe mbeten ndër kujtimet më të çmuara të jetës sime”, ka thënë ai në rrjete sociale.
Profesori Meniko sipas Ninit, spikaste për dijen e tij të thellë, por edhe më shumë për karakterin.
Edhe
Emin Riza – intelektuali ekselent që kishte gjithnjë diçka me vlerë për të thënë
“Modestia ishte madhështia e tij. Nuk e dëgjova kurrë të fliste keq për askënd, edhe kur kishte mendime ndryshe. Ishte fisnik, i drejtë, i pakorruptueshëm dhe thellësisht njerëzor. Dinte të fitonte respekt jo me zë të lartë, por me shembullin e jetës së tij”, ka shkruar ai. Sipas Ninit, me shpirtin e lirë të një bregdetasi, me dashurinë për detin dhe notin, me thjeshtësinë që e shoqëronte në çdo stinë të jetës, ai mbeti gjithmonë besnik i vetvetes duke u bërë modeli i intelektualit që e jetonte dijen me përulësi dhe e përcillte atë me pasion.
“Jam i bindur se kolegët, studentët, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin do ta kujtojnë me të njëjtin respekt e mirënjohje. Njerëz si Prof. Dr. Qirjako Meniko nuk largohen kurrë plotësisht, ata vazhdojnë të jetojnë në veprën, mendimin dhe shembullin që lënë pas”, ka përfunduar ai. Sipas njoftimit të Universitetit të Arteve ceremonia e nderimit të jetës dhe veprës së Menikos do të mbahet sot (e shtunë), ditë kjo kur do të kryhet edhe ceremonia e varrimit.