Romani “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes” i Rade Radovanoviqit, i cili zhvesh politikën represive të Serbisë teksa me fakte denoncon krimet e kryera në Kosovë, ka marrë çmimin “Libri i vitit” në Kroaci. Veprën e botuar në shqip nga Botimet KOHA, juria e këtij çmimi e ka vlerësuar si “dokument historik dhe imazh të luftës të shoqërisë serbe, i rrëfyer në atë mënyrë që te lexuesi, edhe ai i Serbisë, mund të depërtojë për ‘krejt çfarë nuk kanë dashur të dini për luftën në Kosovë’”
Romani “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes” i gazetarit dhe shkrimtarit serb, Rade Radovanoviq, ka marrë çmimin “Libri i vitit për vitin 2022/2023” në Kroaci.
Radovanoviqi – të cilit çmimi i është dorëzuar në fund të javës së kaluar në ceremoninë e mbajtur në Osjek – bëhet i pari autor nga Serbia që shpallet fitues i këtij çmimi.
“Libri i vitit” ndahet nga Qendra për Paqe dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut. Në arsyetimin e jurisë shkruhet se “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes” – botuar në shqip në nëntorin e vitit 2021 nga Botimet KOHA, përkthyer nga Flaka Surroi – brenda kornizës së shpërbërjes së Jugosllavisë, tematizon “luftën serbo-botërore”, gjegjësisht bombardimin e Serbisë më 1999.
“Romanin ‘Qeshja nën trekëmbëshin e varjes’ e çmojmë si dokument historik dhe imazh të luftës të shoqërisë serbe i rrëfyer në atë mënyrë që te lexuesi, edhe ai i Serbisë, mund të depërtojë për ‘krejt çfarë nuk kanë dashur të dini për luftën në Kosovë’. Megjithatë, libri në mënyrë të qartë, thuajse tronditëse, tërheq paralele: çfarë duhet të dimë për luftën dhe shoqëritë në luftë, pavarësisht nëse reflektojmë për të kaluarën apo shikojmë përshkallëzimin e dhunës në luftërat e tjera aktuale. Mund të pajtohemi se lufta është e keqe, por është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se si motivet, synimet dhe interesat e ndryshme ndikojnë në vendosjen e kufijve midis së mirës dhe së keqes në luftë, të cilët ndahen jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga inteligjenca, politikanët, diplomatët, aktivistët e paqes, gazetarët...”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Po aty shkruhet se libri, në kuadrin e përgjithshëm të rënies së Jugosllavisë së Dytë, tematizon “luftën serbe-botërore” më 1999, kur Serbia “përfundimisht provokon dhe i detyron SHBA-në dhe NATO-n të ndërhyjnë ushtarakisht” njëkohësisht, përderisa regjimi i Milosheviqit synon t’i japë fund spastrimit etnik të Kosovës.
Autori, si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, ka raportuar për luftën.
Edhe
Radovanoviq: Në Kosovë veprojnë njerëz të Vuçiqit dhe mercenarë rusë
“Tridhjetë vjet më vonë ai shkroi një libër për atë luftë, duke bashkuar pjesët e asaj që përjetoi dhe rishikoi përvojën e tij si korrespondent lufte, me një distancë kohore që përfshin interpretimin e autorit për efektet e luftës në politikën aktuale dhe realitetin social në Serbi”, ka shkruar juria.
“Qeshja...” bazohet në të dhënat për krimet e rënda dhe shkallën e vuajtjeve në Kosovë, të cilat u bënë të disponueshme për publikun falë hulumtimit mbi humbjet e njerëzve dhe mbledhjes së historive personale nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ose që gjendeshin vetëm në aktakuzën dhe gjykimin e Slobodan Milosheviqit dhe gjeneralëve të Ushtrisë jugosllave e të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Duke shkruar librin, autori formon dhe shpreh pikëpamjen e tij për luftën dhe për imazhin e shoqërisë serbe gjatë luftës, ua kujton njerëzve atë që nuk kanë dashur ta dinë për luftën dhe i fton të mendojnë për të. Ia del ta bëjë këtë. Libri ka tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë”, shkruhet në fund të arsyetimit të jurisë, e cila e thekson se libri është botuar në gjuhën serbe, shqipe dhe kroate.
Shtohet se kjo mirënjohje e vlerëson atë që Radovanoviq ka bërë si një individ i përgjegjshëm, sepse “ndryshimet thelbësore fillojnë me një individ të përgjegjshëm”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt tradicionalisht në Teatrin Kombëtar Kroat në Osjek.
Edhe Masakra në Burgun e Dubravës dhe Nataša KandićDisa muaj pasi libri i tij qe botuar në shqip, Rade Radovanoviq do të vinte edhe në Kosovë. Në korrikun e vitit të kaluar, në një intervistë për KOHËN, ai kishte folur gjerë e gjatë për librin, por edhe për atë që kishte parë e përjetuar këndej, në vitet ’80 e më vonë, si gazetar. Regjimi serb kishte provuar disa herë t’ia blinte heshtjen, e në vendin e tij, por prej këtij regjimi e përkrahësve të tij, qe quajtur “spiun i Perëndimit”, “tradhtar i Serbisë”, “antiserb”.
“Unë kam shkruar atë që kam shkruar, ky është këndvështrimi im për atë se çfarë ka ndodhur dhe përse ka ndodhur. E sa i përket asaj se ç’është Kosova, unë mendoj se vetëm një budallai duhet t’i shpjegohet se çfarë është Kosova, a s’është në këtë kuptimin statusor. Kosova është Republika e Kosovës. Është shtet sikurse shtete të tjera të cilat i përmbushin a s’i përmbushin krejt kriteret për këtë”, kishte thënë Radovanoviq. Sipas tij, “ajo çfarë është bërë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në Bosnjë e më shumë e potencuar në Kosovë, është nazizëm. Është tentim i nazizmit serb – që nuk quhet kështu – me metoda naziste, dëbim, spastrim etnik, likuidime”. Botimet KOHA librin e tij e ka përshkruar si “rrëfim spirituoz, dinamik, surreal, por edhe thellësisht prekës për 78 ditët e bombardimit të NATO-s; për censurën; për ministrin, tash kryetar shteti; për krimet e llahtarshme në Kosovë dhe kryerësit e tyre; për gjahun dhe prenë e luftës; për koordinimin e të gjithë aparatit shtetëror e ushtarak serb, që nëpërmjet Kosovës t'i shpallë luftë gjithë botës...”. “Qeshja...”, sipas Botimeve KOHA, është “vepër jashtëzakonisht e guximshme e një gazetari dhe aktivisti serb, që zhvesh tërësisht para lexuesve politikën represive dhe krimet që udhëheqësi me bashkëpunëtorët i kryen në emër të Serbisë”.