Mosnjohja e luftës në Kosovë, mospranimi i krimeve të Serbisë edhe në Bosnjë-Hercegovinë janë ato me të cilat përballet populli serb. Me to është infektuar edhe rinia. Shembulli: një riosh nga Beogradi refuzon ta ilustrojë rrëfimin për luftën të një shkrimtari të Kosovës sepse nuk pajtohet me realitetin. Se kufiri midis luftës dhe paqes është mjegulluar, e se letërsia s’e thyen dot urrejtjen kanë qenë tema diskutimi në debatet e “Mirëdita, dobar dan!” Dy ekspozita janë shembull bashkëpunimi midis artistëve të dy vendeve por gjetja e pikave të përbashkëta mbetet sfidë
Populli serb di pak e fare për luftën dhe gjenocidin që serbët kanë kryer në Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë, gjeneratat e reja nuk e pranojnë dot barbarinë e vendit të tyre, ekziston ende urrejtja e njëjtë dhe letërsia nuk e shuan dot atë. Këto kanë qenë disa prej konstatimeve në ditën e dytë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” E, këto nuk janë tema vetëm në rrafshin politik. Edhe artistët i janë përgjigjur me artin e tyre që e cilësojnë si urë në hendekun midis të rinjve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.
Debati në temën “Paqja në kohën e trazirave globale: E ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” e ka nisur rrëfimin e së premtes në festivalin që synon t’i takojë kulturën serbe e atë shqiptare të Kosovës.
Mjegullimi i kufirit midis luftës dhe paqes
Shkrimtarja serbe Marija Ratkoviq ka thënë se ka hasur shumë raste kur jo veç të rinjtë, por madje edhe ata që u përkasin gjeneratave më të vjetra, nuk e dinë se kur ka filluar a mbaruar lufta. Se në shumë raste nuk i dinë as këto informata themelore e lërë më shumë.
“Kur bisedojmë për konfliktet e luftës në Kosovë është që njëra nga pjesëtaret e gjeneratës sonë nuk e ka ditur se kur ka filluar lufta dhe kur ka filluar paqja. Dhe ky është fakti më i rrezikshëm, që nuk mund të dallojmë qasjet postmoderne të konflikteve ose konfliktet që thirren si intervenime. Ekzistojnë interpretime të ndryshme. Më parë ka ekzistuar zyrtarisht hapja e luftës dhe mbyllja, por tash në ditët e sotme kufijtë janë të mjegulluar dhe nuk e dimë se ku është fillimi dhe mbarimi”, ka thënë ajo.
Ka kujtuar se ku kishte qenë në korrikun e 1995-tës, në kohën kur u krye Masakra e Srebrenicës. Dhe ka thënë se ndihet e turpëruar.
“Për çfarë shkruaja unë, është një turp i madh si person i rritur kur zbulova unë se ku isha kur kishte ndodhur Srebrenica. Isha në det, isha fëmijë, nuk kam pasur idenë se çfarë kishte ndodhur. Ndjeva një turp të madh dhe ekziston gjenocidi që ka ndodhur dhe që po ndodh dhe njerëzit nuk janë të vetëdijshëm që mund të ndodhë. Kjo vazhdon deri në ditët e sotme”, ka thënë Ratkoviq, studiuese e Teorisë së Artit dhe Medias në Universitetin e Arteve në Beograd. Ajo është studiuese, teoriciene dhe shkrimtare me arsim ndërdisiplinor në shkencat humane, shkencat dhe artet.
Debati në katin e parë të hotelit “Grand” është moderuar nga shkrimtari, kolumnisti e përkthyesi Vladimir Arsenijeviq, i lindur në Kroaci e që prej moshës së re jeton dhe vepron në Serbi.
Duke u ndërlidhur me fjalën e Ratkoviqit ka thënë se do të ishte mirë që luftërat të trajtoheshin më ndryshe dhe gjërat të jenë më të qarta.
“Kjo do të ishte shumë mirë, por nuk kemi mundësinë ta kthejmë kohën prapa dhe në mënyrë të qartë të definojmë gjërat se çfarë ka ndodhur në botë. E kemi konfliktin në Ukrainë, gjenocidin në Gazë, këto janë gjëra shumë të qarta dhe prapë nuk është e mundur disi të definohen qartë, sepse gjenocidi në Gazë daton prej 1948-s”, është shprehur ai.

Millosheviqi në ëndërr dhe paqja e largët
E shkrimtari Arbër Selmani në nisje të fjalës së tij i është referuar lajmit të së premtes për padinë e gazetarit kroat Domagoj Margetiq për lidhjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me “turizmin e snajperëve” në Sarajevë, gjatë kohës së luftës. Rreth 11 mijë civilë u vranë nga granatimet dhe të shtënat me snajperë nga pozicionet e ushtrisë serbe të Bosnjës në kodrat përreth qytetit të rrethuar gjatë luftës së viteve 1992-1995.
Ka thënë se ky rast e bën atë të mendojë se lufta brenda atyre që e kanë përjetuar nuk ka mbaruar.
“Sot e ndjeva që lufta e armatosur, e bombardimeve, ka përfunduar, por ajo që nuk ka përfunduar është lufta brenda secilit prej nesh. Lufta gjithmonë lë pasoja”, ka thënë Selmani para të pranishmëve.
Në këtë ngjarje është promovuar libri “Momenti kur për mua nisi lufta/paqja”, botim nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Rrëfimi i Selmanit është njëri prej tyre aty, por që ende nuk është finalizuar përkthimi i veprës. Sipas Selmanit, përvoja e tij në procesin e këtij botimi është vetë tregues për sfidat e marrëdhënieve midis dy komuniteteve.
“Gjatë luftës kam qenë fëmijë dhe ky ka qenë edhe rrëfimi që e kam shkruar. Madje më kujtohet që edhe pasi është redaktuar, derisa është botuar ka pasur probleme pasi ilustratorët ose dikush që ka punuar me tekstin tim nuk ka qenë dakord me të. Kjo është qesharake sepse teksti është shumë i saktë me atë që e thotë dhe e përçon”, ka treguar Selmani.
Është shprehur se kësisoj lufta nuk ka përfunduar.
“Pse mendoj se lufta nuk ka përfunduar, sepse në kushte normale nuk do duhej që një ilustrator 22-23 vjeçar ta ketë problem përvojën time, realitetin tim, atë çfarë unë e kam përjetuar, njëjtë sikur unë nuk do duhej ta kem problem përvojën e një personi që ka humbur dikë nga pala serbe”, ka thënë Selmani.
Ilustrimin e kësaj vepre e kanë bërë studentët e Artit të Aplikuar në Universitetin e Beogradit. Shkrimtari serb Vladimir Arsenijeviq ka thënë se ilustratori që do ta bënte ilustrimin e rrëfimit të Selmanit, thjesht nuk mund të pajtohej me ato që kishin përjetuar shqiptarët nga të bëmat e serbëve.
Arbër Selmani, duke kujtuar përjetimin e luftës, ka thënë se ishte tetë vjeç atë kohë dhe se e ndiente frikën nga lufta.
“Kisha frikë nëse dikush prej shokëve e shoqeve të klasës do t’i mungonte fotografisë së klasës së dytë. Fytyra e Millosheviqit për mua mbetet një imazh i tmerrshëm, një figurë që kam përshtypjen që del në ëndërr. Këtë nuk po e them për ta përdorur si figurë stilistike, por shumë shpesh më dilte në ëndërr si një figurë që nuk e kuptoja se kush është, çfarë po ndodh, pse është kaq i fuqishëm. Tash e kuptoj me tjetër vetëdije”, është shprehur ai duke e shpjeguar konceptin e paqes.
“Paqja vjen kur e kupton që shokët e shoqet e tua janë mirë, vjen kur të kthehet vizioni yt, gjuha jote, por për mua, paqja nuk vjen asnjëherë e plotë. Unë edhe sot nuk e ndiej veten njëqind për qind në paqe sepse mendoj se tek unë dhe te të tjerët që jetojmë në Kosovë ende i cilësojmë periudhat me ‘paralufte’ dhe ‘paslufte’. E bëjmë këtë ndarje si një lloj muri kah kjo anë dhe kah tjetra”, është shprehur Selmani.
Letërsia e pafuqishme përballë politikës dhe urrejtjes
Nga audienca ka pasur pyetje nëse letërsia mund ta shuajë urrejtjen. E Selmani ka thënë se letërsia mbivlerësohet në këtë aspekt dhe se ajo nuk mund të kontribuojë në këtë aspekt, veçmas kur ka sfida në përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën serbe.
“Sado që mund të shkruajmë, provojmë të krijojmë shoqëri me Serbinë, unë mendoj që as letërsia ime, as e Shkëlzen Maliqit... sado që shkrimtarët mendojnë ta sjellin letërsinë si mjet pajtimi, kjo nuk do të ndodhë. Kjo sepse aparati politik shtetëror është shumë më i fuqishëm se sa letërsia. Pastaj, mos ta përmendim që nuk kemi përkthime mjaftueshëm, nuk e lexojmë njëri- tjetrin. Mendoj se ia veshim shumë letërsisë këtë lloj misionin për ta shpëtuar vendin nga konfliktet. Nuk është e mundur që ne ta shuajmë ose ta ndalojmë një urrejtje kaq të madhe që ekziston historikisht midis shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë shkrimtari Selmani.
Imazhet që luajnë me realitetin
Me dy ekspozita artistike nga autorë serbë janë parashtruar pyetje se si vëzhgohet, prodhohet dhe trashëgohen imazhet e hapësirës sot. Ekspozitat “Falsa Immagine” nga Ivan Shuletiq dhe instalacioni me titull “Do You Want to Flatten All Layers Before Saving?” nga Nemanja Jokoviq dhe Mihaela Vuçiniq, kuruar nga Mia David.
Në veprat e tij në korridorin e katit të katërt të hotelit “Grand”, Shuletiq shpalos atë që ka ekzistuar dikur dhe atë që është rindërtuar. Ka korresponduar mirë me ndërtesën ikonike të kryeqytetit. Veprat janë gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
Imazhet reale transformohen në ato abstrakte. E autori i tyre ka thënë se në to e gjejnë veten ata që vështrojnë te këto vepra të dimensioneve të mëdha.
“Disa piktura duken reale, por nuk janë, ato janë krejtësisht abstrakte, fiktive. Secili vizitor ka kujtimet e tij historike dhe shumë prej tyre kur panë këto vepra, i panë si pasqyra, si vend ku mund të të asocojë me diçka. Veprat i përshtaten perfekt këtij vendi sepse ky hotel ka pasur histori turbulente. Është simbol i historisë lokale dhe në të njëjtën kohë kur sheh veprat dhe sesi ato përshtaten me këtë hapësirë, duken sikur të ishin pjesë origjinale e enterierit”, është shprehur artisti Shuletiq. Në “Grand” në kohë lufte qenë strehuar edhe paramilitarë të udhëhequr prej kriminelit Zhelko Razhnatoviq-Arkan.
Ekspozita është emërtuar sipas operës “Falsa Imagine” të gjermanit Handel. Artisti ka bërë një lloj paraleleje midis imazhit real të ndërtesës me atë në pikturë, që, duke qenë i gjeneruar, është vërtet fals.
“Është titull i marrë nga një operë italiane. Në këtë operë është një vajzë e cila qanë pasi është pajtuar të martohet me një burrë të cilin e ka parë vetëm një pikturë, portret dhe pasi e ka takuar atë ka kuptuar që imazhi real nga ai në pikturë nuk është i njëjtë. Ky ishte vërtet frymëzim sepse shpesh atë që shohim në media nuk është realiteti ai. Fillova të eksperimentoj me Inteligjencë Artificiale dhe imazhet i gjenerova duke përdorur të njëjtën metodë, pra pamjen e hapësirës me arkitekturë të shkatërruar apo ndërtesa të shkatërruara. Kjo është ajo që mora”, është shprehur Ivan Shuletiq në një bisedë për KOHËN.

Transformimi i “Grandit” në “Jugoslavia”
Kjo ekspozitë, sikur edhe ajo me titull “Do you want to flatten all layers before saving?” nga Nemanja Jokoviq dhe Mihaela Vuçiniq, janë kuruar nga Mia David, arkitekte, kuratore e dizajnere nga Beogradi.
Kjo e fundit e transformon hotelin “Grand” në hotel “Jugoslavia”. I referohen shkatërrimit urban si formë jo vetëm për harresën kolektive, por edhe atë politike.
Në një pjesë muri të qendrës “Barabar”, artistët Jokoviq dhe Vuçiniq kanë vulosur veç skicën e veprës së tyre. Pjesa tjetër është kryer aty për aty, si një lloj pune interaktive edhe me publikun, i cili ka pasur lirinë të bëhet pjesë e rrëfimit artistik të dyshes. Udhëzimet për punë kanë qenë art më vete. E me t’u bashkuar të rinjtë nga Kosova e Serbia në këtë vepër, i ka shoqëruar biseda për kulturat e dy vendeve.
Artisti Nemanja Jokoviq ka thënë se sfida kryesore ka qenë të gjendet një e përbashkët për narrativën e dy vendeve.
“Kur nisëm të punojmë e patëm një lloj krize sepse nuk mund të gjenim një gjë që lidh të rinjtë nga Kosova dhe Serbia. Na u bë një lloj rokade në lidhje me këtë por në këtë pikë vendosëm që mund të krijojmë diçka që është shumë e përafërt me ne, duke sjellë imazhet e emrit ‘Jugosllavia’ në emrin e hotelit i cili nuk ka të njëjtin kuptim si në Kosovë, si në Serbi. Se si të ndërtojmë një urë për këtë hendek, nëpërmjet kësaj lloj pune bashkëpunuese, sepse nuk duam ta sjellim historinë statike, por të ftojmë njerëz të na bashkohen për çështjet kritike të së kaluarës duke ndërtuar të ardhmen”, është shprehur ai.
Ka thënë se me veprën “synohet të arrihet një montazh spontan që nuk është bërë nga kompjuteri, por nga njerëzit si punë kolektive”.
E vepra, në pjesën e poshtme bart edhe deklaratën e ish-presidentit Hashim Thaçi: ““Nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, por kjo vetëm për shkak se bota është shumë e madhe”. I bazuar në këtë deklaratë kishte qenë edhe artikulli “Ndoshta s’është hoteli më i keq në botë, por ‘bota është shumë e madhe’”, i gazetës prestigjioze amerikane “The New York Times” i botuar në marsin e vitit 2018, në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Kjo thënie lidh fatin e hotelit me këtë vend specifik. Është thënie nga Hashim Thaçi për hotelin, por e cila mund t’i referohet fatit të të gjithë vendit, trashëgimisë komuniste rreth Evropës Lindore në përgjithësi apo edhe atij që në këtë vepër e paraqesim si ‘Hotel Jugosllavia’“, ka thënë Jokoviq.
Në mbrëmje, për të përmbyllur ngjarjet e ditës së dytë të “Mirëdita, dobar dan!”, në qendrën “Barabar” është dhënë shfaqja “Të gjitha Barbi të mira”, nën regji të Gjorgje Neshoviq, produksion i “Hartefakt”. Shfaqja ndjek një grua të re e cila, në prag të ditëlindjes së saj të tridhjetë, kthehet në qytetin e saj të lindjes dhe përballet me dështimet e veta dhe të kaluarën përmes një serie intensive takimesh emocionale me familjen dhe miqtë. Krijim miqësish e hapësire dialogu janë shtyllat e “Mirëdita, dobar dan!”