Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për bashkim të të gjithë atyre që e kanë Kosovën në mendje e zemër për të dalë nga kriza ekonomike, politike dhe e sigurisë që sipas tij ka degraduar vendin.
Në një shkrim në Facebook të premten, Haradinaj ka shkruar se Kosova ndodhet në “udhëkryqin e madh” dhe se vendi po përballet me ngërç institucional pas përfundimit të zgjedhjeve dhe me Parlament të pezulluar. Ai kritikoi aktorët politikë që sipas tij kanë vepruar me interesa personale dhe partiake, duke dështuar të zgjidhin situatën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHaradinaj bëri thirrje që të gjithë të vendosin interesin e përbashkët mbi interesat personale, duke kujtuar historinë e Kosovës dhe sakrificat e qytetarëve për ndërtimin e shtetit, të ushtrisë dhe të institucioneve. Ai nënvizoi nevojën për përmirësimin e pagave, pensioneve, arsimit dhe shëndetësisë, si dhe rritjen e sundimit të ligjit dhe të sovranitetit të qytetarëve në vendimmarrje. Ai ka thënë se AAK-ja është e vetëdijshme se këto punë nuk janë kryer.
“Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së. Ta çojmë Kosovën aty ku përket, në mesin e vendeve të zhvilluara e demokratike, ta bëjmë pjesë të Familjes së demokracive perëndimore”, ka shkruar Haradinaj.
Ai përfundoi me një apel për të gjithë ata që e duan Kosovën, duke i ftuar të bashkohen për të ndërtuar një të ardhme të stabilizuar dhe të zhvilluar për vendin.
Shkrimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional.
Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të Shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake.
Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit.
Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët.
Kosova gjithmonë ka pasur njerëz që kanë ditur të pozicionohen drejt në momente të vështira;
Që kanë pasur kurajë ta bëjnë luftën, por edhe ta krijojnë paqen;
Njerëz që kanë shkrirë dije, pasuri e jetë për këtë vend;
Që kanë qëndruar dhe kanë pasur vizion që në çastet më vendimtare të rreshtohen pas aleatëve në krye me Amerikën;
Që kanë ditur si krijohen miqtë e si luftohen armiqtë;
Që kanë ditur ta bëjnë Shtetin, por edhe ta krijojnë Ushtrinë e tij;
Që t’i rikthejnë tapitë e tokave dhe të pasurive të vendit të vet;
Nga pavarësia e mbikëqyrur të bëhemi krejtësisht të mëvetësishëm, duke i realizuar të drejtat tona një e nga një…
Të gjitha këto janë themel i fortë që të shohim veç përpara dhe të mos kërkojmë fajtorë, por ta kalojmë veten tonë e të lidhemi drejt të mirës së përbashkët.
Unë dhe Aleanca jemi më të vetëdijshëm se kurrë se plot disa punë kanë mbetur pa u kryer:
Që zgjedhjet të prodhojnë institucione dhe bllokadat të kalojnë në histori;
Që njerëzit e këtij vendi të jetojnë dinjitetshëm me pagat, pensionet dhe ndihmat që u jep Shteti dhe të mos kërkojnë strehë nëpër botë;
Që më në fund ta krijojmë një sistem modern shkollor që arsimon dhe një sistem shëndetësor që shëron;
Që ta zhdukim distancën midis pushtetit dhe qytetarit, e ky i fundit të jetë sovrani i vendimmarrjes dhe të mos e detyrojmë që katër herë brenda vitit të shkojë në votime;
Shteti dhe pushteti të jenë të tij…
Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së.
Ta çojmë Kosovën aty ku përket, në mesin e vendeve të zhvilluara e demokratike, ta bëjmë pjesë të Familjes së demokracive perëndimore.