Kulturë

Projekt për historinë moderne të Kosovës

Historianët në Kosovë po bëjnë përpjekje për të krijuar një korpus prej disa vëllimesh për historinë e re të Kosovës. Ata mendojnë se ky botim do t’i ndihmojë edhe afirmimit të shtetësisë së Kosovës. Gazetari i Zërit të Amerikës ishte në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, ku intervistoi dy prej pjesëmarrësve të projektit.

Hulumtuesja Lumi Hadri Devine që jeton në Nju Jork dhe profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, erdhën në Bibliotekën e Kongresit për të konsultuar burimet e mundshme të literaturës për projektin e ri trevjeçar.

Ky është projekti më i madh i Institutit të Historisë në Prishtinë dhe ka marrë mbështetjen financiare të qeverisë. Ai synon të përmbledhë në katër vëllime historinë e Kosovës. Pikënisja do të jetë antikiteti, por theksi do të vihet te periudha pas vitit 1913, deri te shpallja e pavarësisë.

Dr. Ibrahim Gashi: Në fakt, ministria e arsimit por dhe gjithë institucionet e vlerësuan të rëndësishëm këtë projekt ndaj edhe i dhanë mbështetje, duke qenë se Kosova, si shtet i pavarur, mbase duhet të ketë një histori të shkruar siç e kanë të gjitha shtetet, e cila përmbledh zhvillimet kryesore që kanë ndodhur. Ky edicion do të jetë i përkthyer edhe në anglisht.

Zëri i Amerikës: Në ç’gjendje janë studimet historike në Kosovë?

Dr. Ibrahim Gashi: Përgjithësisht nuk janë në gjendje të mirë edhe për mungesën e fondeve për hulumtime shkencore. Është ndoshta një prej projekteve të para pothuaj që seriozisht mbështet hulumtuesit e fushës së historisë dhe të tjerë që të mbledhin informacione për këtë edicion dhe të bëjnë diçka siç duhet bërë. Shpresojmë të shkruajmë një histori më objektive, të mbështetur në metodologjinë më të avancuar, pra me një frymë liberale dhe pa asnjë ndikim, qoftë nga politika dhe zhvillimet në të kaluarën, qoftë nga politika aktuale. Pra, bëhet fjalë për një studim, që të jetë i mirëfilltë shkencor, i bazuar vetëm në burime të dorës së parë, që mund të jenë burime arkivore, hulumtime në biblioteka siç është rasti i Bibliotekës së Kongresit, që të përmbledhim të gjitha ato burime primare që kanë qenë deri tash pak ose aspak të shfrytëzuara në shkrimet që janë bërë për historinë e Kosovës dhe të rajonit.

Lumi Hadri-Devine, e bija e profesorit të njohur të historisë, Ali Hadri, ka marrë përsipër të kujdeset për pjesën e lobit shqiptaro-amerikan në projektin e ri. E pyetur se përse ky lobim do të jetë pjesë e projektit, ajo tha:

Lumi Hadri-Devine: Unë jam angazhuar nga Instituti i Historisë si hulumtuese shkencore për shekullin e 20, me fokus të veçantë në fund të shekullit 20, dhe për rolin e lobit shqiptaro-amerikan, por edhe për rolin e Batalionit Atlantiku në luftën çlirimtare për Kosovën. Do të bëjmë hulumtime edhe në dokumentet e Kongresit, të Bibliotekës së Kongresit por edhe të Arkivës Kombëtare në Merilend. Kontributi dhe roli i diasporës dhe lobit shqiptaro-amerikan është i pamohueshëm dhe është aq voluminoz, saqë jo këto katër vëllime por me qindra nuk mjaftojnë. Sidoqoftë, për këtë lob duhet të shkruhet, për shkak se efekti i tyre në politikëbërjen e administratës amerikane ka qenë shumë i madh prej fillimit, kur me ndihmën e senatorit Bob Dole, Presidenti Bush i Vjetër i vuri vijat e kuqe, pastaj tek bombardimi nga Presidenti Bill Clinton e deri te shpallja e koordinuar e pavarësisë me SHBA.

Zëri i Amerikës: Si është sot gjendja e lobimit në favor të Kosovës në SHBA?

Lumi Hadri-Devine: Shpresoja se nuk do të ma bënit këtë pyetje. Sepse sot nga ngelur vetëm hija e asaj që ka qenë. Ndoshta sepse tani nuk kemi tema kaq shumë të nxehta edhe sepse unë mendoj se nuk jemi shtet i konsoliduar plotësisht.

Zëri i Amerikës: Ndoshta nga mendimi që Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe nuk ka nevojë për lobim?

Lumi Hadri-Devine: Lobimi është një lloj tjetër influence nga ajo që mund të bëjnë ambasadorët tanë dhe mund të jetë shumë efektiv. Por Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nuk është më. Ai ka qenë një grup shumë efektiv. E shoh që ish-kongresmeni DioGuardi po bën përpjekje që të qëndrojë i kyçur. Nuk di ndonjë tjetër të jetë duke bërë ndonjë gjë. Të them të drejtën së paku sa lexoj në mediat tona të komunitetit.

Zëri i Amerikës: Profesor Gashi, duhet të jetë e vështirë të krijosh studime që të jenë të pranueshme në qarqet e huaja akademike, për shkak të toneve nacionaliste që zakonisht përdorin studiuesit në Ballkan. A e shihni këtë si problem?

Dr. Ibrahim Gashi: Nuk është e lehtë, por ne kemi menduar që ky edicion të jetë pak më ndryshe sepse do t’i jepet shumë rëndësi metodologjisë dhe prurjeve burimore që do të përdoren. Pra, jo çdo burim do të shërbejë për të shkruar këtë histori. Së dyti, ne kemi menduar që historishkruesit që do të jenë një numër i madh, mbi 50, nga të gjitha trevat shqiptare, do të bëjnë punën e tyre deri kur të vijë faza e recensionit shkencor. Ky recension është menduar të bëhet nga historianë që jo domosdo vijnë nga bota shqiptare. Meqë edicioni do të përkthehet në anglisht, është menduar që për secilën fushë recensionin shkencor ta bëjë një nga historianët e njohur evropianë ose botërorë që merret me atë fushë studimi. Fatmirësisht, kemi shumë publikime të bëra nga studiues të huaj, të cilat i qëndrojnë kritikës historiografike dhe janë të mbështetur në burime. Prandaj kemi menduar t’i përdorim këta historianë të njohur. Sepse ideja është që të bëjmë diçka të besueshme për audienca të lexuesve ndërkombëtarë. Sepse në fund të fundit është menduar që ky botim do t’i ndihmojë edhe afirmimit të shtetësisë së Kosovës.