Projekti për restaurimin e objektit të teatrit “Adriana” në Ferizaj, që është edhe monument, qe paralajmërim se në këtë ndërtesë do të zhvillohen punime. Planifikohej që ato të bëhen sivjet. Madje, jo veç menaxhmentit, por edhe qytetarëve të Ferizajt u ishte thënë qysh në janar se projekti prej 1.2 milion eurosh do të niste shpejt. Procedura e angazhimit të kompanisë punëkryese është telashi i ri, e menaxhmenti i teatrit s’ka informacion për situatën, pavarësisht se punimet do të zhvillohen aty
Teatri “Adriana” i Ferizajt ka nevojë për ndërhyrje restauruese. Ka kohë që e kërkon këtë. Por njëkohësisht është peng i tentimit për restaurim. Sivjet s’kanë qenë në gjendje që të kenë plan të mirëfilltë pune. Paralajmërimet për restaurim të mundshëm kanë ndikuar që të mos bëhen plane të mëdha, shkaku që hapësira pritej të shndërrohej në vendpunishte. Por kjo situatë duket se s’do të marrë epilog shpejt.
Edhe viti tjetër është peng i restaurimit që s’dihet kur do të fillojë. Procedura e angazhimit të kompanisë punëkryese është telashi i ri. E menaxhmenti i teatrit s’ka informacion për situatën, pavarësisht se punimet do të zhvillohen aty.
Projekti për restaurimin e ndërtesës, që është edhe monument, qe paralajmërim se në këtë ndërtesë do të zhvillohen punime. Planifikohej që ato të bëhen sivjet. Madje, jo veç menaxhentit, por edhe qytetarëve të Ferizajt u ishte thënë qysh në janar se projekti do të niste shpejt.
“Në Ferizaj, ky teatër, teatri ‘Adriana do t’i ketë 1.2 milion për projektin që nis shumë shpejt”, kishte thënë ministri tash në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, para qytetarëve të Ferizajt në ditën e 9-të të janarit. Në atë që ishte takim i Qeverisë me qytetarë, i titulluar “Nga zotimet të progresi”, Çeku këtë e kishte thënë i shoqëruar nga kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti, e një pjesë e kabinetit qeveritar.
Por zotimi s’ka filluar të përmbushet as dhjetë muaj pas.
“Ne nuk kemi as informacion se çfarë po ndodh, pos që dimë se ka pasur ankesa prej kompanive që nuk janë zgjedhur për të implementuar projektin dhe kjo është e keqja”, ka thënë drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni.
Ne thirrjen publike të hapur në prill të këtij viti kanë aplikuar pesë kompani. Tri janë eliminuar, kurse nga dy të mbetura MKRS-ja ka vendosur që tenderin t’ia japë kompanisë “Toni O.P.; N.N.P. ATC COM Sh.P.K” nga Malisheva për 1 milion e 187 mijë euro. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1.2 milion euro. Por kompania “Eing Com Sh.P.K” ka bërë ankesë në Ministrinë e Kulturës, duke kërkuar rishqyrtim me pretendimin se janë eliminuar pa pasur bazë për një gjë të tillë. Eliminimi është bërë pasi, sipas MKRS-së, ka shkarje te stafi i paraqitur i punonjësve, ku në një rast kontrata nuk është e nënshkruar, në një tjetër deklarimi i profesionit të punonjësit ka dallim me kontratën e punës me të dhe disa raste të tjera. Pasi MKRS-ja e ka hedhur poshtë këtë ankesë, kompania është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Faza e trajtimit të ankesës ka shkuar deri te shqyrtimi nga ana e ekspertit.
“Eksperti shqyrtues, pasi ka analizuar arsyet e eliminimit të operatorit ekonomik ankues vlerëson se qëndron pretendimi i operatorit ekonomik ankues, se jemi eliminuar për arsye krejtësisht teknike për të cilat mund të kërkohen sqarime...”, shkruhet në raport. Ekspertja Florije Rexhepi ka rekomanduar që lënda të kthehet në rishqyrtim.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës për Lot 1 dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, shkruhet në konkluzion. Situata do të mbetet pezull deri në vendim të panelit shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Në këtë situatë pëson institucioni teatror i Ferizajt.
“Ne kemi qenë peng këtë vit, pasi shkaku i pritjes së renovimit deri tash kemi punuar vetëm dy shfaqje”, ka thënë drejtori Hyseni. Sa i përket vitit të ardhshëm është zor të bëhen plane.
“Ne s’kemi hapësirë tjetër. Në pritje të renovimit s’mund të bëjmë plane për katër shfaqje në vit. Ideja është të lëvizim me shfaqjet që kemi tash në repertor dhe mundësisht të realizojmë ndonjë projekt më të vogël që është produksion më i lehtë”, ka thënë ai.
Hyseni ka përsëritur se s’kanë një plan të zhvillimit të veprimtarisë në kohën e rinovimit të këtij monumenti.
“Ferizaj ka shumë problem për salla. Nuk po dihet saktë kur fillojnë punimet. Duhet të shohim një alternativë ndonjë bashkëpunim me Gjilanin ose me Shtimen. Është edhe opsioni i ndonjë teatri kamertal”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Fatmir Hyseni.
Ai ka sqaruar se gjatë përgatitjes së projektit për restaurim janë mbajtur disa takime.
“Ne kemi kërkuar që pjesa e bodrumit të zgjerohet dhe kjo ndoshta mund të bëhet. Prapa Teatrit pritet të ketë një ngritje të hapësirave që të ketë më shumë hapësirë për fundus. Çdo gjë preket në teatër prej instalimeve e më pas. Akustika po ashtu do të punohet. Besoj që edhe shuma është e mjaftueshme që të bëhet një restaurim shumë i mirë”, ka thënë Hyseni. Sipas tij, madhësia e skenës nuk do të preket. Ajo ka dimensione 12 me 9 metra. Ai ka sqaruar se sa i përket numrit të karrigeve për shikues do të ketë një zvogëlim nga 240 në 200.
KOHA ka raportuar se teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, si ndërtesë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, u është nënshtruar intervenimeve disa herë. Para rreth 15 vjetësh qe bërë i fundit. Nevoja për ndërhyrje që ndërtesa të bëhet më e shfrytëzueshme është e kahershme.
Por përderisa shuma e planifikuar për intervenim është 1.2 milion euro, MKRS-ja për sivjet sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë projekt ka të parapara vetëm 200 mijë euro. Sipas këtij ligji, për dy vjetët e ardhshëm janë paraparë nga 500 mijë euro. MKRS-ja nuk ka ofruar sqarime se nga cilat linja do të shfrytëzohet buxheti nëse punimet përfundojnë sivjet, apo planet janë që të punohet më shumë se dy vjet. Në të njëjtin tender është përfshirë edhe teatri “ODA” në Prishtinë. Puna i është besuar grupit të operatorëve “N.N 100 Design” dhe “Termoizolimi” për 1 milion e 154 mijë euro. Dy kompani të tjera janë eliminuar e dy sosh janë shpallur të pasuksesshme në këtë procedurë prokurimi.
KOHA ka raportuar se pavarësisht procedurës së prokurimit, MKRS-ja s’ka zë buxhetor të dedikuar direkt për këtë hapësirë. Në Ligjin për buxhetin e këtij viti 1 milion euro figurojnë për renovimin e objekteve kulturore. MKRS-ja nuk është përgjigjur se nga cilat linja buxhetore do të paguhet realizimi i këtij intervenimi.