Qysh në fillim të vitit ishte paralajmëruar se restaurimi i teatrit “Adriana” në Ferizaj “nis shumë shpejt”, por punimet ende as që kanë nisur. Vonesa hyn në kapitullin e radhës, procesi është rikthyer në rivlerësim e në këtë situatë, institucioni teatror është ai që pëson. “Ne jemi pezull. Tash po bëhemi gati ta lëshojmë ndërtesën por nuk e dimë se kur do të nisin punimet”, ka thënë drejtori i Teatrit, Fatmir Hyseni. Sipas tij, hall më vete është edhe hapësira e re ku duhet të punojnë, e cila s’është e lehtë të gjendet
Teatri “Adriana” në Ferizaj është në udhëkryq. Tash e dy vjet menaxhmenti s’mund të bëjë plane të qëndrueshme shkaku i pritjes së renovimit të plotë të ndërtesës. Tash, aprovimi i dy ankesave të dy kompanive nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik dhe kthimi në rivlerësim i ofertave e vështirëson situatën edhe më.
Nisja e restaurimit s’ka datë e për pasojë stafi i Teatrit është në pritje pa alternativë për ndonjë hapësirë tjetër ku do të mund ta zhvillonte veprimtarinë e pa mundësi që të shfrytëzojë objektin aktual për projekte të reja. Viti i ardhshëm ngelet po ashtu i vështirë, pasi restaurimi pritet të nisë pas përfundimit të procedurave të kontraktimit të kompanive.
Në thirrjen publike të hapur në prill të këtij viti, kanë aplikuar pesë kompani. Tri janë eliminuar, kurse nga dy të mbetura Ministria e Kulturës ka vendosur që tenderin t’ia japë kompanisë “Toni O.P.; N.N.P. ATC COM Sh.P.K” nga Malisheva për 1 milion e 187 mijë euro. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1.2 milion euro. Por kompanitë “Eing Com Sh.P.K” dhe “Ideal Partners” kanë bërë ankesë në Ministrinë e Kulturës, duke kërkuar rishqyrtim me pretendimin se janë eliminuar pa pasur bazë për një gjë të tillë.
Eliminimi është bërë pasi, sipas MKRS-së, ka shkarje te stafi i paraqitur i punonjësve, ku në një rast kontrata nuk është e nënshkruar, në një tjetër deklarimi i profesionit të punonjësit ka dallim me kontratën e punës me të dhe disa raste të tjera. Pasi MKRS-ja i ka hedhur poshtë këto ankesa, kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Tash vendimi i OSHP-së e kthen procesin në rivlerësim. Ankesat janë aprovuar si të bazuara.
“Anulohet njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues, Ministria e Kulturës, ndërkaq aktiviteti i prokurimit sipas dispozitivit kthehet në rivlerësim”, shkruhet në vendim. Paneli i OSHP-së i ka dhënë të drejtë vlerësimit dhe rekomandimit të ekspertes, në këtë rast Florije Rexhepi. Ajo kishte konstatuar se kompanitë janë eliminuar për arsye teknike për të cilat mund të kërkoheshin sqarime.
Por në krejt këtë situatë pëson teatri “Adriana”.
“Ne jemi pezull. Tash po bëhemi gati ta lëshojmë ndërtesën por nuk e dimë se kur do të nisin punimet”, ka thënë drejtori i Teatrit, Fatmir Hyseni. Sipas tij, hall më vete është edhe hapësira e re ku duhet të punojnë, e cila s’është e lehtë të gjendet.

“Ne kemi qenë peng këtë vit, pasi shkaku i pritjes së renovimit deri tash kemi punuar vetëm dy shfaqje”, ka thënë drejtori Hyseni. Sa i përket vitit të ardhshëm është zor të bëhen plane.
“Ne s’kemi hapësirë tjetër. Në pritje të renovimit s’mund të bëjmë plane për katër shfaqje në vit. Ideja është të lëvizim me shfaqjet që kemi tash në repertor dhe mundësisht të realizojmë ndonjë projekt më të vogël që është produksion më i lehtë”, ka thënë ai.
Hyseni ka përsëritur se s’kanë një plan të zhvillimit të veprimtarisë në kohën e rinovimit të këtij monumenti.
“Ferizaj ka shumë problem për salla. Nuk po dihet saktë kur fillojnë punimet. Duhet të shohim një alternativë, ndonjë bashkëpunim me Gjilanin ose me Shtimen. Është edhe opsioni i ndonjë teatri kamertal”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni.
Ai ka sqaruar se gjatë përgatitjes së projektit për restaurim janë mbajtur disa takime.
“Ne kemi kërkuar që pjesa e bodrumit të zgjerohet dhe kjo ndoshta mund të bëhet. Prapa Teatrit pritet të ketë një ngritje të hapësirave që të ketë më shumë hapësirë për fundus. Çdo gjë preket në teatër, prej instalimeve e më pas. Akustika po ashtu do të punohet. Besoj që edhe shuma është e mjaftueshme që të bëhet një restaurim shumë i mirë”, ka thënë Hyseni. Sipas tij, madhësia e skenës nuk do të preket. Ajo ka dimensione 12 me 9 metra. Ai ka sqaruar se sa i përket numrit të karrigeve për shikues do të ketë një zvogëlim nga 240 në 200.
Projekti për restaurimin e ndërtesës, që është edhe monument, qe paralajmërim se në këtë ndërtesë do të zhvillohen punime. Planifikohej që ato të bëhen sivjet. Madje, jo veç menaxhmentit, por edhe qytetarëve të Ferizajt u ishte thënë qysh në janar se projekti do të niste shpejt.
“Në Ferizaj, ky teatër, teatri ‘Adriana’ do t’i ketë 1.2 milion për projektin që nis shumë shpejt”, kishte thënë ministri tash në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, para qytetarëve të Ferizajt në ditën e 9-të të janarit. Në atë që ishte takim i Qeverisë me qytetarë, i titulluar “Nga zotimet të progresi”, Çeku këtë e kishte thënë i shoqëruar nga kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti, e një pjesë e kabinetit qeveritar.
KOHA ka raportuar se teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, si ndërtesë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, i është nënshtruar intervenimeve disa herë. Para rreth 15 vjetësh qe bërë i fundit. Nevoja për ndërhyrje që ndërtesa të bëhet më e shfrytëzueshme është e kahershme.
Por përderisa shuma e planifikuar për intervenim është 1.2 milion euro, MKRS-ja për sivjet sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë projekt ka të parapara vetëm 200 mijë euro. Sipas këtij ligji, për dy vjetët e ardhshëm janë paraparë nga 500 mijë euro. MKRS-ja nuk ka ofruar sqarime se nga cilat linja do të shfrytëzohet buxheti nëse punimet përfundojnë sivjet, apo planet janë që të punohet më shumë se dy vjet. Në të njëjtin tender është përfshirë edhe teatri “ODA” në Prishtinë. Puna i është besuar grupit të operatorëve “N.N 100 Design” dhe “Termoizolimi” për 1 milion e 154 mijë euro. Dy kompani të tjera janë eliminuar e dy sosh janë shpallur të pasuksesshme në këtë procedurë prokurimi.
Punimet në “Oda” kanë nisur javën e kaluar. KOHA ka raportuar se pavarësisht procedurës së prokurimit, MKRS-ja s’ka zë buxhetor të dedikuar direkt për këtë hapësirë. Në Ligjin për buxhetin e këtij viti 1 milion euro figurojnë për renovimin e objekteve kulturore.