Këtë vit, sipas organizatorëve, gjasat janë reale që botuesit të mblidhen në Prishtinë për të ekspozuar e shitur botimet e tyre. Përderisa për botuesit, mbajtja e Panairit është lajm i mirë, organizatorët shpresojnë që situata me pandeminë të mos përkeqësohet. Edon Zeneli kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës që merret me organizim e këtij Panairi, ka konfirmuar mbajtjen e ekspozitës së madhe të librit . “Sipas të gjitha gjasave, Panairi do të mbahet sivjet, me shpresë se nuk do të kemi prapë ndonjë shpërthim të epidemisë.”, ka konfirmuar Edon Zeneli.
Ngjarja më e madhe librit në Kosovë do t’i rikthehet kryeqytetit. Për dy vjet radhazi, pandemia u bë shkas që Panairi i Librit në Prishtinë të mos mbahej. Këtë vit sipas organizatorëve, gjasat janë reale që botuesit të mblidhen në Prishtinë për të ekspozuar e shitur botimet e tyre. Përderisa për botuesit, mbajtja e Panairit është lajm i mirë, organizatorët shpresojnë që situata me pandeminë të mos përkeqësohet.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që merret me organizim e këtij Panairi, ka konfirmuar mbajtjen e ekspozitës së madhe të librit.
“Sipas të gjitha gjasave, Panairi do të mbahet sivjet, me shpresë se nuk do të kemi prapë ndonjë shpërthim të epidemisë. Ai do të fillojë të martën e parë të muajit qershor, që i bie data 7 dhe vazhdon deri më 12 qershor e diel. Ky do të jetë edicioni i 22-të me radhë”, ka konfirmuar Edon Zeneli.
Në vitin 2020 ky Panair nuk u organizua për shkak të masave të vendosura atëherë si pasojë e virusit Covid-19, të cilat pamundësonin grumbullimin e njerëzve në hapësira të brendshme e po ashtu edhe të jashtme.
Panairi i Librit, për të njëjtën arsye, nuk u mbajt as një vit më vonë, më 2021, ndonëse një organizim krejt i njëjtë, me përmasa edhe më të mëdha se ky i Prishtinës, u mbajt po atë vit në Tiranë. Pavarësisht masave që ishin më të buta, organizatorët patën vendosur që të mos rrezikojnë shëndetin publik, duke pasur parasysh se ngjarja grumbullon mijëra vizitorë.
Edhe
Zyrtarizohet mosmbajtja e Panairit të Librit në qershor, vjeshta mbetet opsion
Meqenëse gjendja me pandeminë ende nuk është plotësisht e qartë, Panairi do të pësojë disa ndryshime të vogla. Për dallim nga herët e tjera, këtë vit ai do të zërë jo vetëm pjesën e brendshme të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, por edhe atë jashtë saj.
“Panairi është një ngjarje që grumbullon një numër të madh njerëzish. Meqenëse ky panair nuk është mbajtur qe dy vjet, sivjet pritet të ketë një fluks edhe më të madh të njerëzve. Për këtë arsye, këtë vit, ne si Shoqatë e Botuesve të Kosovës, kemi vendosur që shtëpitë botuese t’i vendosim në një hapësirë më të gjerë duke i shpërndarë edhe në pjesën përballë Sallës së Kuqe në pjesën e hapur të Pallatit”, ka theksuar Zeneli.
Organizimi i panaireve të librit i ndihmon njerëzit jashtëzakonisht shumë, sepse u mundëson atyre që t’i kenë të gjitha shtëpitë botuese në një vend. Kosova ka disa shtëpi të mëdha botuese siç janë: “Artini”, “Faik Konica”, “Pema”, “Buzuku”, “KOHA”, “Dukagjini” e të tjera. Por vitet e fundit, vërehet një shtim i shtëpive të vogla botuese. Zakonisht, Panairi grumbullon rreth vetes pothuajse të gjitha shtëpitë botuese me bazë në Kosovë, por edhe shtëpitë botuese të vendeve të tjera shqipfolëse që nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, Serbia.
“Panairi zakonisht grumbullon 100 deri në 120 shtëpi botuese dhe kështu do të jetë edhe sivjet. Kohëve të fundit kemi vënë re një rritje të botuesve të rinj, të vegjël dhe do të përpiqemi që të bëjmë edhe akomodimin e tyre, por gjithmonë duke pasur parasysh hapësirën që na ofrohet”, Zeneli.
Si njëra prej ngjarjeve më të mëdha të librit, Panairi nuk shërben vetëm për shitblerjen e librave, por edhe për reklamimin e botimeve të reja.
Ndonëse libri ka vazhduar të shitet nëpër librari dhe përmes web-faqeve online, mosorganizimi i Panairit qe dy vjet i ka dëmtuar shtëpitë botuese jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspekt të njohjes e të informimit të publikut rreth prurjeve të reja.
Edhe
Panairi i Librit drejt anulimit edhe sivjet, botuesit presin shtetin
“Mosmbajtja e panairit është gjithmonë humbje për botuesit. Panairi ka qenë gjithmonë një mundësi e mirë e reklamimit të titujve të ri por edhe e shitjes së tyre. Pavarësisht se qytetarët kanë pasur mundësi t’i blejnë librat fizikisht nëpër librari apo edhe online prapëseprapë Panairi është një ngjarje që e kurorëzon punën dhe mosmbajtja e tij sigurisht se e ka pasur efektin negativ”, ka thënë Zeneli
Kufizimet e shumta si pasojë e pandemisë si dhe mosorganizimi i Panairit të Librit, i ka dëmtuar ekonomikisht shumë shtëpitë botuese. Këtë e konfirmojnë edhe përfaqësuesit e dy prej tyre, “Artini” dhe “Faik Konica”.
“Mungesa e Panairit të Librit normalisht na ka dëmtuar shumë si në aspekt të shitjes po ashtu edhe të promovimit të titujve të rinj sepse panairi e krijon një lloj shitjeje afatgjate e cila zgjatë gjatë tërë atij vitit. Një titull i ri i cili paraqitet në Panair fillon të përflitet e pastaj edhe të shkruhet për të dhe si rezultat i kësaj ai libër vazhdon të shitet gjatë tërë viti”, ka thënë Artin Ahmeti nga shtëpia botuese “Artini”.
Nga shtëpia botuese “Faik Konica” kanë thënë se këtë vit, për dallim nga Panairi i fundit do të vijnë me rreth 35 tituj të rinj ,duke theksuar gjithashtu hendikepin që mosorganizimi i Panairit ka shkaktuar midis lexuesit dhe botuesit.
kryesor i botuesit me lexuesin është panairi. Prandaj mosmbajtja e tij i ka dëmtuar të gjitha shtëpitë botuese, përfshirë edhe ne. Dy vjet janë shumë për moskomunikim me lexuesin dhe rikthimi i Panairit do të jetë një mundësi e mirë për ta marrë veten të gjitha shtëpitë botuese.
Edhe
Me rreth 30 mijë vizitorë mbyllet Panairi, fluks më i vogël këtë vit
Panairi i Librit si ngjarja më e madhe e librit në Kosovë për herë të parë u mbajt në nëntor të vitit 1999, ndërsa që nga atëherë ai mbahet në muajt maj ose qershor. Në gati një javë, sa zgjat ky Panair, mbledh rreth vetes shkrimtarë, studiues, kritikë, studentë e njerëz të cilët leximin e kanë gjë të preferuar. Ajo çka në përgjithësi e bën të veçantë këtë ngjarje, përveç çmimeve më të volitshme, është edhe prania e shkrimtarëve nga të gjithë trevat shqiptare e më tej si dhe organizimi i eventeve të ndryshme kulturore.
Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike, pasi sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017. Viteve të fundit, Panairi kishte rreth 40 mijë vizitorë për çdo edicion.