Shoqata e Botuesve të Kosovës të martën ka bërë publik vendimin të cilin e kishte paralajmëruar qysh në prill: Panairi i Librit nuk do të mbahet në qershor. Pandemia ka bërë që Shoqata të mos mund të bëjë bashkë mbi 100 botues në kryeqytet, të cilët viteve të fundit vizitoheshin nga mbi 40 mijë veta. Se edhe sivjet ngjarja më e madhe e librit në Kosovë nuk do të mund të realizohet në qershor, KOHA kishte raportuar qysh në prill.
“Me keqardhje të madhe njoftuam vitin e kaluar se nuk takohemi dot siç bënim për vite e vite me radhë në fillim të qershorit. Na munguan pafund takimet mes botuesve, shkrimtarëve, lexuesve, përkthyesve e të gjithë dashamirësve të librit”, shkruhet në njoftim. Aty sqarohet se si organizatorë mendonin se gjendja do të tejkalohej gjatë vitit të kaluar.
“Por shumë shpejt erdhi qershori i dytë e ne nuk mund të takohemi përsëri. Si rrjedhojë e gjendjes me pandeminë, Panairi nuk mbahet dot as këtë qershor”, shkruhet në njoftim. Aty urohet që gjendja të përmirësohet së pari për shëndetin e qytetarëve.
“Do të përpiqemi shumë që gjatë muajit shtator apo muajit tetor, gjithnjë konform vendimeve në fuqi të Ministrisë së Shëndetësisë, të organizojmë kryengjarjen e librit në Kosovë”, shkruhet në njoftim.
Vitin e kaluar fillimisht qe shtyrë për në shtator e më pas u tha se del të jetë e pamundur të organizohet.
“Nëse e marrim parasysh se çfarë po ndodh me panairet në Evropë dhe flasim duke qenë realë, del e pamundur të kemi Panair për sivjet. Por nëse ndodh mrekullia, vaksinohet një pjesë e madhe e popullsisë dhe lirohen masat, mund ta organizojmë në shtator ose në tetor. Por edhe kjo duket të jetë e pamundur”, kishte thënë më 30 prill Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
Vjet planifikohej të mbahej edicioni i 22-të i ekspozitës së librit. U anulua shkaku i pandemisë. Në Shqipëri u tentua të mbahej një lloj panairi online. Ngjarja më e madhe e librit në Paris nuk është mbajtur në marsin e sivjetmë. Londra po ashtu ka hequr dorë nga Panairi. E Panairi i Frankfurtit pritet të jetë një lloj hibridi në tetor.
Prej vitit 2011 Panairi i Librit në Prishtinë mbahet në fillim të qershorit, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Nëntë edicione u mbajtën në fund të majit. Historia e Panairit nisi më 1999, me edicionin e parë që u mbajt në nëntor. Asokohe një grup i entuziastëve pak muaj pas çlirimit të Kosovës organizoi ekspozitën e librit.
Shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili drejton shtëpinë botuese “Faik Konica”, në prill kishte thënë se pa dyshim që mosmbajtja e Panairit është një prej dëmeve më të mëdha me të cilin përballet veprimtaria botuese brenda vitit. Sipas tij, Panairi nuk është vetëm çështje e shitjes së librit, por është edhe e informimit për atë që krijohet brenda vitit.
“Kështu bibliotekat ose individët pastaj kërkojnë librat që u interesojnë. Mungesa e këtij kontakti, siç është Panairi, është një dëm dhe boshllëk për botuesit”, kishte thënë ai. Kishte treguar se të paktën për shtëpinë botuese që ai udhëheq nuk ka pasur kurrfarë ndihme nga shteti, pos konkurseve të rregullta për botime dhe blerje të librave.
“Besoj që një prej formave të ndihmës që është dashur të gjendet në këtë drejtim, është që edhe botuesit të kenë një mundësi që të ruhen standardet dhe kushtet e viteve të kaluara”, kishte thënë Rrahmani. Sipas tij, ka rënie edhe të botimeve pasi janë vështirësuar kushtet për shitjen e librit.
Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike pasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017.