Kulturë

Panairi i Librit drejt anulimit edhe sivjet, botuesit presin shtetin

Ende nuk ka vendim zyrtar, por Panairi i Librit në Prishtinë edhe sivjet ka pak gjasë që të organizohet. Shoqata e Botuesve të Kosovës thotë se pandemia e bën të pamundur, përderisa organizimi i Panairit në formate të tjetra është i kotë. Për botuesit, kjo është goditja e radhës përderisa shteti s’ka bërë gjë për t’u dalë në ndihmë e botuesit i trajton si biznesmenë. Numri i botimeve, sipas tyre, ka rënë e pa ndihmën shtetërore pasojat do të jenë edhe më të mëdha

 

Kriza e shkaktuar nga pandemia e ka goditur jetën kulturore në përgjithësi. Përderisa disa ngjarje përpëliten të mbijetojnë duke iu përshtatur masave e herë duke i shkelur ato, për të dytin vit Kosova do të mbetet pa Panairin e Librit në Prishtinë. Goditje e madhe për botuesit, shkrimtarët e lexuesit del të jetë mungesa e ngjarjes më të madhe të librit dy vjet radhazi.

Vitin e kaluar fillimisht qe shtyrë për në shtator e më pas u tha se del të jetë e pamundur të organizohet. Sivjet shpresat janë edhe më të vogla. Ngjarja më e madhe e librit në Paris nuk është mbajtur në marsin e sivjetmë. Londra po ashtu ka hequr dorë nga Panairi. E Panairi i Frankfurtit pritet të jetë një lloj hibridi në tetor.

“Nëse e marrim parasysh se çfarë po ndodh me panairet në Evropë dhe flasim duke qenë realë, del e pamundur të kemi Panair për sivjet. Por nëse ndodh mrekullia, vaksinohet një pjesë e madhe e popullsisë dhe lirohen masat, mund ta organizojmë në shtator ose në tetor. Por edhe kjo duket të jetë e pamundur”, ka thënë Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Ai ka përmendur faktin se janë anuluar disa prej panaireve më të mëdha evropiane. Ka sqaruar se nuk janë të interesuar që të organizojnë Panair në ambient të hapur, pasi prapë i bie të grumbullohen shumë njerëz.

“Viteve të kaluara mesatarja ka qenë nga 10 mijë vizitorë në ditë. Paramendojeni se çfarë vatre virusi do të mund të kishim. Botuesit nuk janë në gjendje aspak të mirë. Por shëndeti është mbi të gjitha”, ka thënë Zeneli.

Vjet planifikohej të mbahej edicioni i 22-të i ekspozitës së librit. U anulua shkaku i pandemisë. Në Shqipëri u tentua të mbahej një lloj panairi online. Por Shoqata e Botuesve të Kosovës nuk ka bindje se mund të jetë diçka e efektshme që të organizohet një edicion hibrid.

“Disa shtëpi botuese kanë gjetur rrugë që të jenë me oferta online pranë lexuesve. Panairi organizohet që të bëhen bashkë lexues, botues e shkrimtarë. Natyra e Panairit është diçka që nuk mund të zëvendësohet me ngjarje online. As panairet me karakter joshitës nuk po e bëjnë këtë”, ka thënë Zeneli.

Sipas tij, në Kosovë dhe Shqipëri ka rënë numri i botimeve. Në Kosovë shteti nuk ka treguar kurrfarë kujdesi ndaj veprimtarisë botuese në raport me pandeminë. Vjet ata janë mbështetur sikurse çdo vit nëpërmjet konkursit për botime dhe blerje të veprave.

“Në shtetet evropiane si Gjermania e Austria janë rimbursuar deri në 80 për qind. Te ne sjellja e shtetit është sikurse pandemia nuk ekziston”, ka thënë Zeneli.

Prej vitit 2011 Panairi mbahet në fillim të qershorit, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Nëntë edicione u mbajtën në fund të majit. Historia e Panairit nisi më 1999, me edicionin e parë që u mbajt në nëntor. Asokohe një grup entuziastësh pak muaj pas çlirimit të Kosovës organizoi ekspozitën e librit.

Shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili drejton shtëpinë botuese “Faik Konica”, ka thënë se pa dyshim që mosmbajtja e Panairit është një prej dëmeve më të mëdha me të cilën përballet veprimtaria botuese brenda vitit. Sipas tij, Panairi nuk është vetëm çështje e shitjes së librit, por është edhe e informimit për atë që krijohet brenda vitit.

“Kështu bibliotekat ose individët pastaj kërkojnë librat që u interesojnë. Mungesa e këtij kontakti, siç është Panairi, është një dëm dhe boshllëk për botuesit”, ka thënë ai. Ka treguar se të paktën për shtëpinë botuese që ai udhëheq nuk ka pasur kurrfarë ndihme nga shteti pos konkurseve të rregullta për botime dhe blerje të librave.

“Besoj që një prej formave të ndihmës që është dashur të gjendet në këtë drejtim, është që edhe botuesit të kenë një mundësi që të ruhen standardet edhe kushtet e viteve të kaluara”, ka thënë Rrahmani. Sipas tij, ka rënie edhe të botimeve pasi janë vështirësuar kushtet për shitjen e librit.

E Xhemajl Avdyli, i cili udhëheq shtëpinë botuese “OM”, ka zgjedhur që situatën ta përshkruajë me një barsoletë, me një hallexhi që vendos të shkojë ta shikojë fatin te një fallxhor.

“I thotë që ky vit ka me qenë i keq për të pasi do ta humbasë punën e do të ketë ndodhi të tjera. Ky personi i dëshpëruar, por me shpresë ende, i kërkon që ta shikojë fatin për vitin tjetër. I del se do të jetë edhe më i keq se parapraku. E kur kërkon që të mësojë më shumë edhe për vitin e tretë, ai fallxhori i thotë: ‘Hajt se deri atëherë mësohesh...’. Edhe ne u mësuam me të këqijat më, çudi do të ishte po të mbahej Panairi”, ka thënë Avdyli.

Sa i përket qasjes së shtetit ndaj botueseve në raport me gjendjen e krijuar nga pandemia, Avdyli ka thënë se problemi ka nisur qysh në fillim, pasi botuesit cilësohen si biznesmenë, dhe kjo vazhdimisht i ka penalizuar ata.

“Këto i kemi vërejtur sidomos tash në pandemi, kur ne botuesve as nuk marrin vendim me na mbyllë, as s’na japin kurrfarë ndihme direkte. Ne nuk jemi supermarkete të punësojmë nga 100 veta me paga të rregullta, por për çdo projekt angazhojmë përkohësisht ekspertë”, ka thënë ai. Thotë se ka bindjen që shtetit as që i shkon ndërmend që botuesit ekzistojnë. Ka përmendur reduktimin e botimeve.

“Mendoj se institucionet nuk kanë nevojë të na ndajnë ndonjë lëmoshë nga 200 euro, por ta ndryshojnë komplet strategjinë dhe metodat e përkrahjes së kulturës, respektivisht librit”, ka thënë ai.

Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike pasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017. Sa u përket aktiviteteve të atij edicioni, pos promovimeve ishin shënuar 400-vjetori i vdekjes së Lekë Matrëngës, 200-vjetori i lindjes së Walt Whitmanit, 200-vjetori i lindjes së Herman Melvilles, 200-vjetori i lindjes së George Elios, 100-vjetori i lindjes së Alain Bosquetit, 90-vjetori i lindjes së Rexhep Hoxhës, 90-vjetori i lindjes së Kosovë Rexhë Balës, 80-vjetori i lindjes së Adelina Mamaqit, 80-vjetori i lindjes së Rrahman Dedajt, 70-vjetori i vdekjes së Mithat Frashërit, 70-vjetori i vdekjes së Vinçenc Prenushit e 40-vjetori i vdekjes së Jakov Xoxës.

Libri më i shitur ishte “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” i autorit Veton Surroi nga Botimet KOHA, shtandi i së cilës qe shpallur më i vizituari. Çmimin për veprën më të mirë në poezi e mori Ismail Syla për veprën “Sfinksi pyet sërish”, atë për veprën më të mirë në prozë Kim Mehmeti, për veprën “Lutjet e mesnatës”, për veprën kapitale, shtëpia botuese “Meshari” për kompletin e veprimtarisë letrare të Ymer Elshanit. Autori i vitit nga shkrimtarët e huaj ishte përzgjedhur Jacques Baudouin, me veprën “Lindja e një demokracie”, e autori i vitit sa u përket shkrimtarëve shqiptarë, Fatos Kongoli, me veprën “Gënjeshtarë të vegjël”.