Hapësira mbetet sfida kryesore për Panairin e Librit në Prishtinë. Sallat e zakonshme në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet s’kanë qenë asnjëherë ideale. Sivjet s’mund të shfrytëzohet njëra prej tyre, Atelieja. Kjo do t’i lërë gjurmët e veta. Të paktën te pjesëmarrja e shtëpive botuese, gjë që do ta zbresë numrin e titujve të ofruar për vizitorët. Por, Panairit do t’i pritet shiriti të mërkurën në mesditë. Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, Shoqata e Botuesve të Kosovës është munduar të jetë në hap me kohën sa u përket zhvillimeve teknologjike
Sfidat janë më të mëdha në secilin vit. Por, Panairi i Librit në Prishtinë është në prag të edicionit të 25-të. Hapësira mbetet sfida kryesore. Sallat e zakonshme në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet s’kanë qenë asnjëherë ideale. Sivjet s’mund të shfrytëzohet njëra prej tyre, Atelieja. Kjo do t’i lërë gjurmët e veta. Të paktën te pjesëmarrja e shtëpive botuese, gjë që do ta zbresë numrin e titujve të ofruar për vizitorët. Por, Panairit do t’i pritet shiriti të mërkurën në mesditë.
Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, Shoqata e Botuesve të Kosovës është munduar të jetë në hap me kohën sa u përket zhvillimeve teknologjike. Teknologjia dhe libri kohëve të fundit shihen më shumë si komplementare ndaj njëra-tjetrës e jo fort si konkurrencë. Por, përderisa bota merret me këtë anë, në Kosovë problem kryesor dhe i vazhdueshëm mbeten hapësirat për ngjarje të mëdha.
“Sivjet nuk e shfrytëzuam hapësirën e zakonshme. Kjo ndikoi në zvogëlimin e ngjarjes. Edhe pse vend jo aq i përshtatshëm tash, edhe ai vend na mungon. Për pasojë kemi më pak botues që marrin pjesë. Kjo nuk e zbeh traditën, por mungesa vërehet”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli. Sivjet do të shfrytëzohet vetëm Salla e Kuqe bashkë me korridorin hyrës të Pallatit të Rinisë dhe Sportit dhe një pjesë e platesë.
“Kjo është sfida e të jetuarit në Kosovë. Janë vështirësi që s’do të duhej të përballeshim me to. Prishtina mbetet kryeqyteti i vetëm që s’ka hapësirë për ngjarje të tilla. Në këtë formë janë bllokuar potencialet”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, viteve të fundit kanë parë një rënie të vizitave në Panair pasi janë lodhur njerëzit me ato ambiente.
“Por, interesimi për librin vazhdon të jetë në nivel të mirë nëpërmjet platformave të tjera. E organizimet po veniten pasi ka shumë vështirësi”, ka thënë ai. Zeneli në parim nuk është pesimist. Ka thënë se Panairi e ka bërë një traditë duke qenë ndër organizimet e para në Kosovën e pasluftës. Sipas tij, kjo ngjarje vazhdon me synimin thelbësor - sensibilizimi për librin.
“Gjëja kryesore kur vijnë njerëzit në Panair do të jenë botimet e reja. Botuesit kryesorë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë pjesë e Panairit të Librit”, ka thënë ai. Llogarisin që të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Sipas organizatorëve, numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 2 mijë, kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 6 mijë.
Zeneli ka thënë se ngjarja më vete dëshmon se interesimi për librin nuk është në rënie. Duke pasur parasysh moton e këtij edicioni, ai ka thënë se kur filloi në masë përdorimi i teknologjisë kishte një frikë se mos po perëndon epoka e librit.
“Por libri u promovua edhe më shumë në rrjete sociale. Kjo vërtetohet nëpërmjet shitjes së librit. Inteligjenca artificiale nuk e mund dot librin. Duke qenë kontekstuale, motoja është ‘Inteligjenca rrjedh nga libri’”, ka thënë ai. Panairi, që zakonisht mbahet në fillim të qershorit, nuk ofron ndonjë ambient komod. Temperaturat brenda hapësirave janë goxha të larta.
“Vitin e kaluar kishim një rënie të shitjes, por jo edhe të vizitave. Karakteri i Panairit ka ndryshuar. Më herët ishte një librari e madhe. Sot mundësia e blerjes është gjatë gjithë vitit. Tash njerëzit në Panair njoftohen me tituj”, ka thënë ai. Për disa vjet vizitorët, sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, kanë qenë rreth 40 mijë. Por viteve të fundit sillen në rreth 30 mijë. Kaq pritet të jenë edhe sivjet.
“Asnjë vit nuk kemi dështuar me vizitueshmëri”, ka thënë Zeneli. Vazhdimisht gjatë ditëve të Panairit shënohen edhe përvjetorë të letrarëve të mëdhenj. Tradita do të vazhdojë edhe sivjet. Është 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës e 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit, që do të organizohen gjatë ditëve të ngjarjes.
“Përvjetorët janë të rëndësishëm për të kujtuar autorët me peshë. Pastaj promovimet janë mundësi e mirë për të diskutuar për librat. Shoqëria ndryshon e disa tema jenë universale e kontekstuale”, ka thënë Zeneli.
Vitin e kaluar akademikët Rexhep Qosja dhe Ali Aliu qenë nderuar me “Çmimin për Veprimtari Jetësore” në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Në ditën e fundit të kësaj ngjarjeje organizatorët kishin ndarë dhe çmimet vjetore. Si edicion, i vjetshmi është dukur goxha më i zbehtë. Ankesat për mungesë të vizitorëve kanë qenë të vazhdueshme, përderisa rënia e numrit të tyre qe e dukshme. Por, sipas organizatorëve, kjo nuk do të thotë se ka rënie të interesimit për librin, pasi mundësia e blerjes është shumë e madhe edhe jashtë ditëve të ekspozitës së librit.
Në mbyllje të këtij edicioni Çmimi për letërsinë për fëmijë i ishte ndarë Flori Kasajt për librin “Andrushi”, ai për përmbledhjen poetike Donika Dabishevcit, për librin “E gjithkohshmja – ANDËRR”, kurse Çmimi për roman Besnik Mustafajt, për romanin “Fati i marrë”.
Juria në përbërje të Majlinda Nana-Ramajt, Behar Gjokës dhe Alketa Gashit, Çmimin për studim dhe publicistikë ia kishte ndarë Fatmir Toçit për librin “Arbëreshët”, atë për përkthim Aida Barows për librin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, kurse Çmimin si autor i vitit Bajram Kosumit, për librin “Enciklopedia imagjinare”. Akademik Rexhep Qosja qe i pranishëm në këtë ceremoni. Krejt në fillim kishte reaguar duke thënë se i vjen keq të marrë çmime pasi, sipas tij, të rinjtë duhet të motivohen me çmime.
“Vullneti im është që të motivohen krijuesit e rinj, pasi unë jam i pranishëm në Panair tash e shumë vjet”, kishte thënë Qosja. Më pas anëtarët e jurisë dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, që ia kishin ndarë Çmimin për veprimtari jetësore, i kishin sqaruar se bëhet fjalë për nderim për vepër jetësore.