Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Objekti i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në rrezik

Ligjvënësit kanë paralajmëruar për një rrezik real e në rritje për Pallatin e Westminsterit, i cili është strehë e Parlamentit të Britanisë, duke theksuar se ka mundësi që të shkatërrohet nga ndonjë katastrofë natyrore, para se të mund të restaurohet

Objekti i Parlamentit të Britanisë është kryevepër arkitekturore dhe pjesë e trashëgimisë botërore e UNESCO-s. Por është në prag të shembjes; çatia pikon, është plot asbest dhe në rrezik të shtuar drejt shkatërrimit, kanë bërë të ditur ligjvënësit britanikë të mërkurën.

Në një raport, Komiteti i Llogarive Publike i Dhomës së Komunave ka shkruar se se selia e demokracisë britanike “po rrjedh, po shembet dhe është në rrezik të vazhdueshëm nga zjarri”.

“Është një rrezik i vërtetë dhe në rritje. Ndonjë katastrofë natyrore do ta shkatërrojë ndërtesën para se të përfundojë restaurimi tashmë shumë i vonuar”, kanë thënë autoritetet britanike. Ata gjithashtu kanë shtuar se “çmimi i rivitalizimit do të jetë i lartë, por vonesat e mëtutjeshme do të rëndojnë edhe më xhepin e taksapaguesit”.

Zvarritje me vite

Në një seri paralajmërimesh prej vitesh, Komiteti ka thënë se puna e rinovimit kishte arritur deri në “rregullimin” e ndërtesës së shekullit XIX, me një kosto prej rreth 2 milionë funtesh (2.5 milionë dollarë, 2.3 milionë euro) në javë.

Pas dekadash konsensusi të gjerë mbi nevojën kritike për të riparuar dhe restauruar Pallatin e Westminsterit, progresi ka qenë i ngadalshëm, me “vjet zvarritjeje”, ka thënë Komiteti.

Në vitin 2018, ligjvënësit kishin votuar për t'u larguar nga ndërtesa deri në mes të vitit 2020 për të lejuar punimet. Por vendimi është vënë në pikëpyetje që atëherë për arsye se të tjerë ligjvënës nuk donin të largoheshin nga hapësirat e Parlamentit.

Vitin e kaluar organi i ngritur për të mbikëqyrur projektin e restaurimit të Parlamentit ishte anuluar.

Çati që pikon dhe rrezik ndaj zjarrit

Sa më shumë kohë që kalon, rritet rreziku i shembjes. Çatia rrjedh, tubat e avullit shpërthejnë dhe copa të mureve herë pas herë bien. Sistemet mekanike dhe elektrike u riparuan për herë të fundit në vitet 1940.

Ka aq shumë asbest sa për ta larguar atë “duhen 300 njerëz të punojnë për më shumë se dy vjet, derisa ndërtesa të mos përdoret”, ka thënë Komiteti i Dhomës së Komunave.

Po ashtu ekziston një kërcënim i vazhdueshëm nga zjarri. Komiteti ka thënë se ka pasur 44 “incidente zjarri” në Parlament që prej vitit 2016, dhe se rojtarët tash bëjnë rojë gjatë tërë kohës.

Ndërtesa aktuale, e projektuar nga arkitekti Charles Barry në një stil neogotik, u ndërtua pasi zjarri shkatërroi paraardhësen e saj në vitin 1834. (Marrë nga “Deutsche Welle” Përktheu: Gonxhe Konjufca)

 

Artikuj të ngjashëm