Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkaku i cilësisë së dobët të betonit, mbyllen 104 shkolla në Angli

Qeveria britanike ka marrë vendim për mbylljen e 104 shkollave, për shkak të cilësisë së dobët të betonit. Është raportuar një rast kur betoni i tavanit ka rënë copa-copa. Ndërkaq opozita ka thënë se njoftimi për mbyllje është bërë vonë. Zyra Kombëtare e Auditorit në Britani të Madhe ka njoftuar se lloji i dobët i betonit është gjetur në 572 shkolla në Angli.

Më shumë se 100 shkolla në Angli të ndërtuara me cilësi të dobët betoni do të mbyllen për arsye të sigurisë, ka njoftuar qeveria britanike.

Qeveria ka marrë vendim për mbylljen e këtyre shkollave pak ditë pasi nxënësit të nisin vitin e ri shkollor. Ky departament ka urdhëruar që 104 shkolla t’i mbajnë të mbyllura disa pjesë të objektit kur të nisë viti i ri shkollor të hënën më 4 shtator.

Një lloj betoni përforcues është gjetur në qindra shkolla dhe ky beton ka mundësi të bjerë copa-copa.

“Mund të jetë e rrezikshme, sepse mund të bjerë pa asnjë paralajmërim. Kur e dimë se sa shkolla janë me këtë lloj betoni, kemi pasur vetëm një rast, por një mund të jetë shumë sa dikush të marrë vërtet përgjegjësinë dhe rrezikun”, ka thënë Warren Thomas, ekspert i betonit në Angli.

Ministria e Arsimit ka thënë se nxënësit do të vendosen në pjesët e tjera të objekteve.

Edhe Opozita e akuzon Qeverinë për rezultatet e dobëta në testin PISA LAJMET E MBRËMJES Opozita e akuzon Qeverinë për rezultatet e dobëta në testin PISA

“Disa fëmijë do të vendosen në pjesë të tjera të ndërtesës, disa ndërtesa do të përforcohen, disa të tjera do të kenë klasa të përkohshme, pra jemi duke punuar në disa çështje”, ka thënë ministrja e Arsimit, Gilli Keegan.

Mirëpo Ministria në hije e Arsimit, e cila merret me politikat e kundërta me ato të qeverisë, është ankuar se është dashur të njoftoheshin më herët.

“Është tronditëse se fiks para se të nisë mësimi, para se nxënësit të kthehen për vitin e ri shkollor, ministrat marrin këtë vendim që prek shumë shkolla tona. Mirëpo ende nuk ka përfunduar. Duhet publikuar lista e plotë, të flasin me prindërit dhe të sigurohen se fëmijët mund të shmangin këtë lloj pengese, sepse ata do të humbnin shumë mësim. Duhet të jetë ndryshe”, ka thënë Bridget Phillipson, ministre në hije e Arsimit.

Zyra Kombëtare e Auditorit në Britani të Madhe ka njoftuar se lloji i dobët i betonit është gjetur në 572 shkolla në Angli.

Betoni i gazuar, i njohur në Britani si RAAC, është më i lehtë dhe më i lirë sesa betoni standard i përforcuar dhe ishte përdorur me të madhe në shkolla, spitale dhe ndërtesa tjera publike që nga viti 1950 deri në mesin e viteve ’90. Mirëpo betoni i gazuar është më i dobët sesa materialet e tjera dhe ka një jetëgjatësi prej 30 vjetëve. Kjo do të thotë se tani strukturat me këtë beton duhen zëvendësuar.

Qeveria britanike ishte në dijeni të këtij problemi që prej vitit 1994 dhe kishte filluar me monitorimin e gjendjes së objekteve publike në vitin 2018.

Edhe Britania planifikon t’i detyrojë rrjetet sociale t’u japin përparësi lajmeve të besueshme Tech Britania planifikon t’i detyrojë rrjetet sociale t’u japin përparësi lajmeve të besueshme

Departamenti për Arsim kishte filluar me monitorimin e objekteve shkollore gjatë vitit të kaluar për të identifikuar ato me betonin e gazuar. Më shumë se 50 objekte shkollore ishin mbyllur për shkak të shqetësimeve në lidhje me këtë lloj të betonit.

Ky departament ka urdhëruar që 104 shkolla t’i mbajnë të mbyllura disa pjesë të objektit kur të nisë viti i ri shkollor të hënën, më 4 shtator.