Tre artistë prezantojnë punimet artistike, si pasqyrë për jetën në Kosovë. Dhëmbë, krijesa surreale, peizazhe natyre e fragmente të poezive shtrihen në gjashtëmbëdhjetë veprat e Blerta Hashanit, Brilant Milazimit dhe Dardan Zhegrova në hapësirën e re të “LambdaLambdaLambda” në Prishtinë
“Nothing Like Home II” në shikim të parë bashkon rrëfime personale të tre artistëve. Kur përballen me publikun, nis dialogu.
Blerta Hashani, Brilant Milazimi dhe Dardan Zhegrova, zgjedhin gjuhë të ndryshme shprehjesh artistike por që, të gjitha bashkohen në një pikë: reflektojnë realitetin në Kosovë. Në këto vepra, përvojat personale janë të ngulitura në kontekste sociale dhe pasqyrojnë gjendjen shpirtërore e psikologjike.
Gjashtëmbëdhjetë punime të tre artistëve kanë zënë vend në hapësirat e galerisë “LambdaLambdaLambda”, në Prishtinë. Muret e bardha të saj janë veshur me vepra arti të dimensioneve, teknikave e materialeve të ndryshme. Treshja flet për rrethanat e jetës në Kosovë nëpërmjet artit në ekspozitën e parë të galerisë, që zgjerohet në objekt të ri. Kësisoj ekspozita ka qenë festë e dyfishtë.

“Falling from nowhere to nowhere”, Brilant Milazimi, vaj në pëhurë, 2022
Prej “Falling from nowhere to nowhere” që konceptohet si një zbërthim i hiçit në ekzistencializëm, Brilant Milazimi buzëqesh me “Ha-ha” ku në metal gdhend dhëmbët veshur në ngjyrë hiri, si kuptim i së cilës del të jetë thyerja e perfeksionit. Dhëmbët janë elemente, që i ka vendosur edhe në disa nga punimet tjera të ekspozuara përderisa “personazhe” ka edhe krijesa me tentakula. Ato janë si armë dhe shënjues për të shkatërruar “të mirën”, që fshihet pas “buzëqeshjes”.
“Brilanti sikur negocion në veprat e tij me politikën, shoqërinë në përgjithësi dhe, sesi njerëzit veprojnë me njëri-tjetrin me mirësjellje, që të gjitha në fakt përfshihen në punën e tij artistike”, ka thënë Isabella Ritter, udhëheqëse e “LambdaLambdaLambda”, e cila tok me Katharina Schendl e themeluan këtë galeri në filllim të vitit 2015. Punën e tre artistëve e ka cilësuar si reflektim për situatat dhe gjithçka, që i rrethon ata.
Edhe
Kosova me “Dhëmbë të fortë” mposht frikën në Bienalen e trazuar të Venecias
Shkrimtarja gjermane Vannesa Joan Müller, në tekstin për ekspozitën ka shkruar se veprat e Brilant Milazimit nuk janë as alegorike dhe as anekdotë, por që janë vizualisht të fuqishme, në përcjellje të traumës dhe asaj se çfarë do të thotë të jetosh në Kosovë.
“Këto piktura të bazuara në kujtesën personale dhe kolektive ofrojnë një analizë intuitive të një gjendjeje bashkëkohore të luftës dhe negocimit, të balancimit të ndjenjave, të shpresave dhe lirisë, si dhe përballjes me realitetin”, ka vlerësuar për punimet Milazimi.
Punimet e artistes Blerta Hashani janë plot ngjyra, të cilat janë vendosur në forma katrore druri, 40 me 40 entimetra. Disave nga to u është vendosur letër përmbi e krejt pasi ka përfunduar punimet, i ka veshur me një substancë vaji për t’u dhënë atyre shkëlqim. Punimet e saj veçohen nga të tjerat për nga kornizat e punuara me pëlhurë thasësh. Ato përmbajnë peisazhe natyre, si skica minimaliste të bazuara në një vijë të skicuar dhe me shtresime të lehta ngjyre. Këto piktura kanë të bëjnë me vendin ku ajo jeton, aq sa edhe me vetë atë si qenie në botë. Disa nga pikturat, sikur synojnë, duan të shpërthejnë nga ngjyrat.

“Ha-ha”, Brilant Milazimi, çelik, 300 me 150 me 10 centimetra, 2022
“Artistja hyn në imazh, duke paraqitur pamjen e jashtme dhe të brendshme. Ato janë pasqyrë, që pasqyrojnë informacionet që mbledhin ndjesitë, që jep dhe transformimet, që përjeton. Linjat e horizontit kthehen në koordinata, që ofrojnë orientim dhe prapë i lë shumë vend imagjinatës”, ka shkruar shkrimtarja Müller, derisa ka thënë se veprat krijojnë realitet paralel me botën e konceptuar nga artistja.
Ndërsa drejtoresha e galerisë është shprehur se Blerta Hashani, manifeston një lloj përshtypjeje të të qenurit pjesë e natyrës.
Edhe
Kosova me “Dhëmbë...” në Venecia josh vëmendjen ndërkombëtare
“Ajo ka me të vërtetë një koleksion shumë të thellë në tokë. Ajo mund të përvetësojë natyrën për mënyrën sesi i percepton gjërat që sheh në natyrë dhe më pas ato i përkthen në vepra arti”, ka thënë Isabella Ritter. Gjithë veprat e saj, Hashani i ka quajtur “Ambient”, ndërsa në të gjitha ka përdorur ngjyra vaji.
Ndryshe nga fuqia e imazhit, Dardan Zhegrovës përdor gjuhën poetike. Në fakt ai është poet dhe punimet e tij i karakterizojnë fragmentet e shkrimeve të tij, të vendosura në pllaka qelqi e plastike të tejdukshme. Krejt çfarë ka përdorur janë markerët permanentë dhe kryesisht ngjyra e zezë dominon në punimet e tij, por edhe e kuqja dhe e kaltra. Shpalos gjuhë malli dhe dëshirash, që nisen nga përvoja e jetuar si hapësirë imagjinare. Shmang çdo përemër tjetër dhe gjithë rrëfimet e tij ndërtohen mes “unë” dhe “ti”. Skicat janë të shkurtra dhe poetike, të shkruara në gjuhën angleze. Materiali transparent shton një shtresë hapësinore ndaj fjalëve dhe krijon rrëfimin lundrues në formë të valëve të detit. Fjalët mbi xham hedhin hije mbi vizitorët dhe i përfshijnë në dialog poetik, prej njerëzish të panjohur. Ritter ka vlerësuar se punimet e tij në rend të parë janë poezi, të cilat njëashtu krijojnë edhe performancë më vete.
“Gjithashtu negociojnë për të qenurit këtu apo atje, jo vetëm për të qenë në një vend sepse ai ka pasur interaktivitet me njerëzit, që distancohen nga përdorimi i internetit. Ai negocion pozicionet e tij apo vendet në të cilat është”, ka thënë Ritter.

“Crowned and Conquering Child”, Dardan Zhegrova, 126 me 67 centimetra, marker në plexiglass, 2022
Zhegrova sikur reciton pjesë nga poezia e tij.
Edhe
“Dhëmbë të fortë” shtrëngon pritjen përtej luftës dhe realitetit, sonte në “Express”
“Nisur nga përvoja e jetuar si hapësirë imagjinare, Dardan Zhegrova zhvillon një lloj autofiksioni artistik që reflekton në formësimin e “unë” përmes takimit intim me atë. Edhe folësi dhe dëgjuesi, burimi dhe marrësi i fjalëve, abstraktja nuk lejon asnjë dallim mes vetes dhe tjetrit”, ka shkruar Muller për Zhegrovën teksa vlerëson se motivi qendror i veprës së tij është konstituimi i vetvetes me anë të trillimit, që është në gjendje të lejojë dëshirën dhe të likuidojë kufijtë e botës reale.
Të mërkurën, janë ekspozuar tetë punime të Blerta Hashanit, tri të Brilant Milazimit dhe pesë të Dardan Zhegrovës. Punimet janë në shitje, derisa ekspozita mbetet e hapur deri më 29 tetor.