Hapja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia ka kohë deri në maj, por ajo tashmë ka marrë edhe vëmendje në skenën botërore. Platforma e njohur amerikane “e-flux”, tek zbërthen veprën e Brilant Milazimit, “Dhëmbë të fortë” zbërthen pritjen, e cila “nuk është abstrakte në Kosovë”. Lidhet me luftën dhe jo vetëm
Platforma, e cila konsiderohet si një prej më të rëndësishmeve në botën e artit bashkëkohor, i ka dhënë rëndësi të veçantë prezantimit të Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias. “Dhëmbë të fortë” nga Brilant Milazimi është publikuar në prestigjiozen “e-flux”. Në publikimin e tyre janë zbuluar edhe detaje të reja të këtij prezantimi.
Ajo çfarë nuk dihej deri tash ishte që ekspozita do të shoqërohet edhe nga një botim i veçantë, i edituar nga José Esparza Chong Cuy, që është kurator i Pavijonit dhe nga shkrimtarja e kuratorja Sarah Demeuse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Botimi është publikuar nga “Sternberg Press”. Kjo bën që projekti të zgjerohet përtej instalacionit fizik, edhe në një formë të reflektimit teorik.
Piktura “Dhëmbë të fortë” e Brilant Milazimit për Pavijonin e Kosovës, në edicionin e 61-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, do të zërë vend në kishën “Santa Maria del Pianto”, përballë lagunës veriore të Venecias, rreth 1.5 kilometra larg “Arsenales”, një prej hapësirave kryesore ekspozuese ku Kosova zakonisht ka pasur Pavijonin. Ambienti i zymtë dhe i çuditshëm i veprës “Dhëmbë të fortë” të artistit Milazimi strehohet në kishën me stil baroku, një nga hapësirat e çmuara të arkitekturës veneciane.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPiktura 17 metra e gjatë e artistit Milazimi do të jetë në komunikim në kishën e stilit barok prej 9 majit deri më 22 nëntor.
Sipas komunikatës për media të Pavijonit, “Dhëmbë të fortë” e trajton pritjen si një përvojë të kushtëzuar nga kufijtë, dokumentet dhe pasiguria, një gjendje kjo që rezonon përtej kontekstit lokal.
“Imazhi i pritjes në radhë në punën e Brilant Milazimit merr një dimension universalisht të njohur: njerëz që ikin prej luftës, që presin në kufi, që presin për azil, që presin të mësojnë nëse do t’u jepet leje qëndrimi, nëse do të kthehen mbrapsht dhe nëse kthimi është fare i mundur”, shkruhet në komunikatën, ku është bërë me dije publikimi në “e-flux”.
E platforma ndërkombëtare e artit bashkëkohor sheh përtej. Në publikim shkruhet se “Milazimi përshkruan një vijë njerëzish që qëndrojnë afër maleve që të kujtojnë terrenin rural të Kosovës. Duke iu bërë jehonë skenave historike dhe bashkëkohore të zhvendosjes, kompozimi panoramik paraqet trupa të brishtë që qëndrojnë pezull në peizazh”. Se figurat e tij shtrihen përgjatë gjatësisë së veprës duke mos përparuar, por këmbëngulur. “…me dhëmbët e shtrënguar fort”, siç shkruhet aty.
“Pritja nuk është abstrakte në Kosovë. Për dekada të tëra, lëvizshmëria është formësuar nga kufijtë, dokumentet dhe ritmi i pasigurt i njohjes. Politika shpesh është përjetuar administrativisht: përmes vulave, vonesave dhe njohjeve të përkohshme. Imazhi i vijës është rikthyer globalisht. Njerëz që ikin nga lufta. Qëndrojnë në pikat e kontrollit. Presin për azil. Presin për të mësuar nëse do t’u lejohet të qëndrojnë, nëse do të kthehen mbrapsht, nëse kthimi është i mundur. Presin, pavarësisht mundësisë së kushteve më të ashpra që vijnë”, shkruhet më tej në publikimin e “e-flux”.
Muajin e kaluar është shpalosur koncepti i plotë i veprës. Në konceptin kuratorial për Pavijonin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit sivjet, vargu i njerëzve përshkruhet “si institucion, pritja si qeverisje e premtimi i hyrjes si mekanizëm kontrolli”.
Një përkufizim të gjerë dhe të thellë për konceptin dhe vizionin estetik të Pavijonit e kishte shpalosur kuratori José Esparza Chong Cuy, në shkurtin e këtij viti në Prishtinë. Meksikani që jeton në New York dhe është kurator, shkrimtar e arkitekt kishte thënë se bashkëpunimi zë fill në New York për të vazhduar më tej.
“Këtu, pritja nuk është formësuar vetëm nga zhvendosja dhe lufta, por edhe nga shtyrja e zgjatur e njohjes së plotë politike. Sovraniteti, në këtë kontekst, nuk ka qenë kurrë një parim abstrakt. Ai është përjetuar përmes dokumenteve që nuk vijnë, përmes kufijve që nuk hapen, përmes lejeve që mbeten provizore. Të presësh, në Kosovë ka nënkuptuar të jetosh në një shtet që ekziston, por që vazhdimisht i kërkohet të justifikojë ekzistencën e tij”, kishte thënë José Esparza Chong Cuy.
Sivjet nën konceptin e kuratores Koyo Kouoh e nën titullin “In Minor Keys”, edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit hapet për publikun më 9 maj. Kuratorja e prezantuar më 2024 vdiq në maj të vitit 2025. Por me mbështetjen e plotë të familjes së saj, Bienalja vendosi ta realizojë ekspozitën sipas projektit që ajo e kishte konceptuar dhe përcaktuar, me qëllimin për të ruajtur, vlerësuar dhe përhapur gjerësisht idetë dhe punën që ajo ndoqi me përkushtim deri në fund të jetës.
Historia e Kosovës në raport me Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia nisi më 2013, kur shteti u përfaqësua nga Petrit Halilaj për të vazhduar me Flaka Halitin më 2015, Sislej Xhafën më 2017, Alban Mujën më 2019, Jakup Ferrin më 2022 dhe Doruntina Kastratin më 2024. E përherë të parë sivjet, Kosova do të përfaqësohet nga një medium si piktura.
