Kur kanë mbetur edhe 88 ditë deri te hapja zyrtare e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, “Dhëmbë të fortë” ka nisur të marrë formë, koncepti ka kohë që është shpalosur nga pak, e të mërkurën vepra e Brilant Milazimit është zbërthyer edhe më, bashkë me kuratorin meksikan José Esparza Chong Cuy. Pritja, është zanafilla, çdo gjë lindi nga një skicë me një varg të gjatë njerëzish në pritje që dukej si shënim rastësor, e finalja do të jetë një pikturë 17 metra e lartë e cila synon ta mbajë publikun. Edhe në pritje, që s’ka të bëjë vetëm me atë të refugjatëve apo politike të Kosovës
Në kontekstin vendor, vargu i njerëzve mund të shërbejë për shumë simbolika. E kaluara në kontekste të ndryshme, e tashmja dhe e ardhmja kryqëzohen te emëruesi i përbashkët që është pritja. Edhe pritja në varg. Në kontekstin global simbolikat veçse shtohen e forcohen. Luftërat, refugjatët, negociatat e pritjet nga ato janë disa nga simbolikat.
Në konceptin kuratorial për Pavijonin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit sivjet, vargu i njerëzve vjen “si institucion, pritja si qeverisje e premtimi i hyrjes si mekanizëm kontrolli”. Kjo është pak nga elaborimi që i bëhet veprës “Dhëmbë të fortë” të Briliant Milazimit që do të përfaqësojë shtetin më të ri në Evropë në edicionin e 61-të të ngjarjes më me peshë të artit bashkëkohor që kontinenti i vjetër edhe një pjesë e globit e ka.
Të mërkurën ekipi i Pavijonit të Kosovës është mbledhur në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të shpalosur detaje të prezantimit që do të bëhet në Venecie, prej majit të sivjetmë.
Një përkufizim të gjerë dhe të thellë për konceptin dhe vizionin estetik të Pavijonit e ka shpalosur kuratori José Esparza Chong Cuy. Meksikani që jeton në New York dhe është kurator, shkrimtar e arkitekt ka thënë se bashkëpunimi zë fill në New York për të vazhduar më tej. Ka rrëfyer për përshtypjet që kishte nga pikturat e Milazimit – artist i gjeneratës së re – deri te diskutimet me të e koncepti i përbashkët kuratorial.
Pavijoni do të ketë një pikturë monumentale në gjatësi prej 17 metrash. Ka rrëfyer se në Prizren do të vinte re një skicë të vogël në bllokun shënimeve të Milazimit. Pa një varg të gjatë njerëzish, të radhitur njëri pas tjetrit, në një terren malor.
“Dukej modeste, pothuajse e rastësishme. Por kjo na e hapi një derë”, ka rrëfyer ai përballë të pranishmëve, kryesisht anëtarë të ekipit, pak ish-përfaqësues të Kosovës në Bienale e disa zyrtarë ministrorë. Aty do të nisnin bisedën me pyetjet se kush pret, pse pret e shumë të tjera.
“‘Dhëmbë të fortë’ ka lindur nga ajo bisedë dhe nga realiteti se, në korridoret e gjata të historisë, pritja nuk është kurrë neutrale”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se pritja është një gjendje njëkohësisht politike dhe psikologjike e edhe një formë kohe e formësuar nga dokumentet, kufijtë dhe njohja e mohuar, si dhe një përvojë e jetuar pezull. Ka folur goxha për pritjen në nivel global përderisa sipas tij, kjo gjendje e pritjes së detyruar ka një kuptim të veçantë në Kosovë.
“Këtu, pritja nuk është formësuar vetëm nga zhvendosja dhe lufta, por edhe nga shtyrja e zgjatur e njohjes së plotë politike. Sovraniteti, në këtë kontekst, nuk ka qenë kurrë një parim abstrakt. Ai është përjetuar përmes dokumenteve që nuk vijnë, përmes kufijve që nuk hapen, përmes lejeve që mbeten provizore. Të presësh, në Kosovë, ka nënkuptuar të jetosh në një shtet që ekziston, por që vazhdimisht i kërkohet të justifikojë ekzistencën e tij”, ka thënë José Esparza Chong Cuy. Ka shkuar më tej duke thënë se tashmë jetohet në një moment kur as shtetësia e njohur nuk shërben si mbrojtje. Ka përmendur shtetet që sulmohen, kufijtë e rishkruar përmes forcës e shumëçka tjetër. Në raste të tilla, sipas tij, kultura bëhet mënyra se si një shoqëri e rrëfen veten përtej fjalorit të gjeopolitikës, përmes këmbënguljes për të mbajtur mend, përmes gjuhës dhe formave të jetës që i tejkalojnë kategoritë e imponuara.
“’Dhëmbë të fortë’ është pjesë e kësaj përpjekjeje kolektive. Ajo nuk pretendon të zgjidhë atë që mbetet e pazgjidhur, as të përkthejë kompleksitetin politik në simbole që synojnë të largojnë dyshimet. Përkundrazi, vepra i jep formë një atmosfere, presionit të pritjes si një gjendje e përbashkët dhe qëndrueshmërisë që zhvillohet jo pavarësisht saj, por brenda saj”, ka thënë José Esparza Chong Cuy. Sipas tij, piktura monumentale e ekspozitës paraqet një varg të vetëm figurash që qëndrojnë ngjeshur, njëra pas tjetrës, përmes maleve që të kujtojnë terrenin rural të Kosovës. Ka shpjeguar se formati panoramik i referohet skenave të procesionit, atyre imazheve në historinë e artit ku turmat lëvizin së bashku sikur të tërhiqen nga devotshmëria, katastrofa, rituali, forca. Por këtu, procesioni nuk ecën përpara. Ai zgjatet. Pezullohet në peizazh.
“Se çka presin nuk dihet kurrë. Ky refuzim është thelbësor. Qëllimi nuk është të ilustrohet një ngjarje e caktuar, por të vihet në skenë një gjendje: shtyrje pa shpjegim; pasiguria si mjedis; ku sovraniteti përjetohet si një burokraci e papërfunduar e përditshmërisë”, ka sqaruar ai. Derisa ka folur për titullin ka thënë se dhëmbët nuk janë thjesht një motiv në punën e Brilant Milazimit por ata janë një regjistër, mbajnë shënime e ruajnë dëshmitë e kohës si stresin, urinë, zakonin e presionin.
“Janë njëkohësisht kockë dhe kujtesë. Një jetë e interpretuar në një nofull”, ka thënë ai. Më pas ka bërë krahasime me veprat e Francisco Goyas, “Britmën” e Edvard Munchut e “Kështjellën” e Franz Kafkës.
“’Dhëmbë të fortë’ nuk është ilustrim i Kafkës, por është i përndjekur nga një arkitekturë e ngjashme: vargu si institucion; pritja si qeverisje; premtimi i hyrjes si mekanizëm kontrolli”, ka thënë ai.
Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, njëherësh komisionere e Pavijonit të Kosovës në Bienale, Hana Halilaj ka folur për rëndësinë e përfaqësimit të shtetit në ngjarjen me nam.
“E komisionuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, kjo skenë lokale dinamike ka arritur që në çdo edicion të prezantohet globalisht përmes projekteve gjithnjë e më të artikuluara”, ka thënë Halilaj. Në emër të Ministrisë së Kulturës, pas një agresiviteti të shprehur për vendin se ku do të ulej, ka folur Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venecias është një moment i rëndësishëm për prezantimin ndërkombëtar të vendit tonë dhe për forcimin e diplomacisë kulturore. Përmes Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Artit dhe të Arkitekturës, ne vazhdojmë afirmimin e zërave të artistëve tanë dhe dëshmojmë përkushtimin institucional për zhvillimin e artit dhe kulturës”, ka thënë midis të tjerash ajo. Në të kaluarën nuk praktikohej që zyrtarë të MKRS-së të flisnin në konferenca të tilla.
E artisti Briliant Milazimi ka thënë se të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venecias është një nder i madh, jo vetëm si artist, por si dikush që e ka ndërtuar praktikën e vet brenda dhe në përgjigje të vendit.
“Në Venecie dhe më gjerë, artistët nga vende më të vogla si Kosova shpesh priten të shpjegojnë veten, të prodhojnë narrativa të qarta dhe lehtësisht të lexueshme. Kjo nuk ka qenë kurrë ambicia ime. Unë dua të krijoj vepra që qëndrojnë të forta në qetësinë e tyre, që krijojnë një ambient ku të tjerët mund të hyjnë dhe të qëndrojnë. Një hapësirë që rezonon përtej përvojave individuale dhe që përcjell emocione pa pasur nevojë të jetë shpjeguese apo udhëzuese”, ka thënë Milazimi. Këtë vit Pavijoni i Kosovës do të zërë vend në kishën “Santa Maria del Pianto”, objekt tetëkëndor dhe ish-manastir përballë lagunës veriore të Venecias. Është hapësire rreth 1.5 kilometra larg “Arsenales”, një prej hapësirave kryesore ekspozuese ku Kosova zakonisht ka pasur Pavijonin.
Sivjet nën konceptin e kuratores Koyo Kouoh e nën titullin “In Minor Keys” edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit hapet për publikun më 9 maj. Kuratorja e prezantuar më 2024 vdiq në maj të vitit 2025. Por me mbështetjen e plotë të familjes së saj, Bienalja vendosi ta realizojë ekspozitën sipas projektit që ajo e kishte konceptuar dhe përcaktuar, me qëllimin për të ruajtur, vlerësuar dhe përhapur gjerësisht idetë dhe punën që ajo ndoqi me përkushtim deri në fund të jetës.
Historia e Kosovës në raport me Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie nisi më 2013 kur shteti u përfaqësua nga Petrit Halilaj për të vazhduar me Flaka Halitin më 2015, Sislej Xhafën më 2017, Alban Mujën më 2019, Jakup Ferrin më 2022 dhe Doruntina Kastratin më 2024. E përherë të parë sivjet, Kosova do të përfaqësohet nga një medium si piktura.