Kulturë

“Nga arkivi: Të fala shoqërore” hap letrat e dekadës së parë të Galerisë

“Nga arkivi: Të fala shoqërore” e shfaq materiale për secilin vit të dekadës së parë të institucionit, prej vitit 1979 e deri më 1989 (Foto: GKK)

“Nga arkivi: Të fala shoqërore” e shfaq materiale për secilin vit të dekadës së parë të institucionit, prej vitit 1979 e deri më 1989 (Foto: GKK)

Hapja e arkivit të asaj që sot është Galeria Kombëtare e Kosovës, është një rrugëtim jo vetëm në dekadën e parë të këtij institucioni prej vitit 1979 deri më 1989, por nëpërmjet dokumenteve e letrave për atë kohë krejt të zakonshme, lexohet edhe historia e këtij vendi. “Të fala shoqërore”, ishte përshëndetja me të cilën përfundonte secila shkresë, por këtu janë rrënjët e artit institucional

Një fjalë përshëndetëse nga letrat e Galerisë Kombëtare të Kosovës të dekadës së parë të institucionit është bërë shkas për emërtimin e ekspozitës së radhës “Nga arkivi: Të fala shoqërore”. Nga komunikime personale e deri te dokumentacioni zyrtar, materialet arkivore dëshmojnë rolin e institucionit të sapokrijuar kulturor më 1979 e deri te zhvillimi dhe vizioni për të, paralelisht me ndikimin e mendësisë patriarkale në skenën artistike.

Ajo që dikur ishte Galeria e Arteve në Prishtinë, që kishte zënë vend në “Boro-Ramizi” në Pallatin e Rinisë, me t’u themeluar, do të bëhej hapësirë për promovimin e artistëve nëpërmjet veprave të tyre. Prej aty do t’u hapeshin rrugë drejt shumë qendrave prestigjioze në botë. Në ato vende ku sot, gati një gjysmë shekulli pas, pak arrin arti i Kosovës. Një pjesë e këtij zhvillimi vjen nëpërmjet shpalosjes së arkivit të GKK-së në hapësirat e institucionit në galerinë në lagjen “Qafa” në kryeqytet.

Kuruar nga Hana Halilaj, kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës, ekspozita “Nga arkivi: Të fala shoqërore” e hapur të enjten mbrëma, shfaq materiale për secilin vit të dekadës së parë të institucionit, prej vitit 1979 e deri më 1989.

Ekspozita nis si rrëfim kronologjik ku nga hyrja, në të djathtë, narrativa zë të shpaloset me fjalimin e hapjes së institucionit.

“Hapi Galerinë e Arteve në Prishtinë si institucion me rëndësi të posaçme shoqërore për zhvillimin e mëtejmë të kulturës estetike dhe artit figurativ njerëzit punonjës e qytetarët e kombeve dhe kombësive të KSA të Kosovës dhe mbarë vendit tonë”, thuhet në fjalimin e Pajazit Nushit, shoqëruar me fotografi nga fjalimi i tij me rastin e hapjes së ekspozitës së parë të institucionit me titull “Bashkëkohësit tanë”.

Ekspozita nis si rrëfim kronologjik ku nga hyrja, në të djathtë, narrativa zë të shpaloset me fjalimin e hapjes së institucionit (Foto: GKK)

Kuratorja Hana Halilaj ka theksuar se ekspozita është e konceptuar rreth arkivit të GKK-së.

“Materiale të ndryshme të cilat këta dy vjet e kemi pasur në fokus në aktivizimin dhe funksionalizimin e narrativave të cilat gjenden në arkiv e të cilat janë të rëndësishme në ndërtimin e historisë së artit në vendin tonë. Në një moment kur jemi në hapësirë të re, në renovime të ndërtesës së Galerisë, po i lëvizim edhe koleksionin edhe arkivat. Ka qenë e rëndësishme të bëhet një reflektim në dekadën e parë të funksionalizimit të institucionit”, ka thënë ajo.

Periudha të cilën e shpalos ekspozita me materialet arkivore korrespondon edhe situatën politike në Jugosllavinë e asaj kohe. Halilaj ka thënë se “e veçanta e kësaj periudhe është që vërehet një ndikim politik, mirëpo përmes materialeve mund të lexohen edhe situatat në kontekst shoqëror, politik në të cilin gjendej Kosova në atë kohë si provincë e Jugosllavisë”.

Ajo ka treguar se fokusi ka qenë në letrat e shkruara.

“Materialet janë kryesisht të fokusuara ose prezantojnë shkëmbime dhe letra që janë më personale. Disa prej tyre kalojnë në dokumente administrative, por fokusi kryesor është në letra, që nga telegramet e dërguara deri te letrat e shkruara nga artistët, qofshin ato kërkesa, autorizime apo dorëshkrime të ndryshme rreth ndonjë ekspozite. Prej secilit vit janë të zgjedhura disa materiale të caktuara”, ka thënë ajo.

Dokumentet, posterët e letrat janë dëshmi të përfaqësimit të artistëve të Kosovës në vende si Egjipt, Indi, Argjentinë, Meksikë dhe jo vetëm.

“Janë të zgjedhura arbitrarisht me aq sa janë dukur të rëndësishme ose duke u munduar për të zgjedhur diçka që hap dyer për një narrativë shumë më të madhe, duke u nisur prej asaj që Galeria ka pasur më shumë ekspozita ndërkombëtare si rezultat i përfaqësimit të ish-Jugosllavisë në lëvizjen e vendeve të painkuadruara”, ka thënë Halilaj.

 Periudha të cilën e shpalos ekspozita me materialet arkivore korrespondon edhe situatën politike në Jugosllavinë e asaj kohe. Aty vërehen edhe ndikimi politik e konteksti shoqëror në të cilin gjendej Kosova në atë kohë (Foto: GKK)

Posterët e ekspozuar shfaqin në vitet ‘80 ekspozitën personale me piktura të Hilmija Çatoviq, ekspozitë kolektive të grafistëve të krijuesve nga Kosova, ekspozitën personale të Nebih Muriqit, të Jozhe Ciuhas, të Nuredin Loxhës, të Hysni Krasniqit, Grafikën Bashkëkohore Suedeze, Ekspozitën Vjetore të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Prishtinës më 1982.

Në po të njëjtin vit, në shtator ndodh edhe Salloni i Parë i Karikaturës “Prishtina ‘82”, ilustruar me veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë, midis tyre edhe ato të karikaturistëve Nysret e Nevruz Mala, Veli Blakçori, Mustafa Ferizi, Hidajete Krasniqi e Ramadan Zaplluzha. Një poster për lokacion shënjon “Boro dhe Ramizin” në Pallatin e Rinisë si Galeri të Arteve. Bëhet fjalë për ekspozitën e Goranka dhe Edo Murtiq në tetor të 1985-s. Po aty, dy vjet më herët është mbajtur edhe Salloni i 10-të Pranveror i Arteve Figurative të Kosovës.

Pjesë e ekspozitës është edhe një dokument që dëshmon se në korrik të 1983-s është mbajtur mbledhja e vendeve pjesëmarrëse në Bienalen e Venedikut e aty ka marrë pjesë edhe komisari i seleksionit jugosllav. Për pjesëmarrje në ngjarje në rajon, tregues janë letrat dërguar drejtorit të atëhershëm, Shyqri Nimani, nga institucionet e artit nga Sarajeva e Lubjana. Gjithashtu një dokument miratimi për shfaqjen e veprave të Engjëll Berishës e Simon Shirokës në Paris, është pjesë e ekspozitës.

“Ne e sjellim një qasje shumë personale midis drejtorit të atëhershëm, Shyqri Nimanit dhe artistëve, qasjen e tyre, kërkesat dhe pritshmëritë për Galerinë si institucion i ri në formim i skenës së artit. Janë edhe disa dokumente të drejtorit të atëkohshëm, Nebi Muriqi, që i japin një analizë apo kuptimësi të asaj se çfarë po ndodh këto vite, cilat kanë qenë ndikimet dhe qëndrimet e institucionit, por edhe të artistëve”, ka thënë kuratorja Hana Halilaj.

Pjesë e ekspozitës janë nga dy vepra të pioniereve të artit në Kosovë, Hyrije Krypa dhe Alije Vokshi.

“Të fala shoqërore” ishte fjala e përdorur në fund të secilës letër të dërguar nga artisti Nimani, drejtues i institucionit atëkohë. Edhe në letrën refuzuese për prezantimin e artistes Vokshi në institucionin që drejtonte me arsyetimin se ajo nuk ishte ende e përgatitur, ndonëse ishte në skenën artistike prej më shumë se një dekade.

Kërkesa e Alije Vokshit dërguar Galerisë së Arteve ishte e kompletuar me biografinë e saj, legjendën e punimeve dhe me parathënie. Biografia e saj tregon se veprimtarinë e ka nisur që në vitet '60.  Në vitin 1983 të cilit i përket kërkesa ajo veçse kishte mbi një dekadë përvojë. Por kërkesa e saj u refuzua. E njohja e saj institucionale erdhi vonë, në vitin 2007 me ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Dokumentet, sikur edhe nga teksti kuratorial, theksojnë pengesat institucionale me të cilat përballeshin gratë në sistem patriarkal të artit.

Katalogët janë përzgjedhur nga Nita Salihu Hoxha dhe Bardhi Haliti, themelues të “REDO Prishtina”, me fokus në dizajn grafik.

Zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani, e ka konsideruar ekspozitën të rëndësishme në njohjen e rrënjëve të institucionit.

“Është një ekspozitë mjaft e rëndësishme, e cila prezanton dekadën e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës si institucion. Në të pasqyrohen materiale të rëndësishme arkivore të cilat janë dokumentuar nga ajo kohë. Gjithashtu me to janë të prezantuara edhe disa vepra të rëndësishme që kemi nga koleksioni i Galerisë. Jemi të lumtur që kemi arritur të përfshijmë edhe dy artiste gra, punët e të cilave janë nga blerja e fundit që e kemi zhvilluar, përvetësimi i veprave në Galerinë Kombëtare, e që është Alije Vokshi, gjithashtu grafika e Hyrije Krypës”, ka thënë ajo.

Ekspozita qëndron e hapur deri më 30 nëntor.