Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pesë kandidatë synojnë pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, mes tyre s’është Isufaj

Prokuroria Speciale

Blerim Isufaj nuk është në mesin e prokurorëve që kanë aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit. Sipas KPK-së, deri më 10 maj, 5 kandidatë e kanë dorëzuar dokumentacionin në formë fizike

Pesë prokurorë kanë konfirmuar kandidimin e tyre për kryeprokuror të Shtetit.

Konkursi i shpallur në maj të këtij viti, është mbyllur të mërkurën. Në Këshillin Prokurorial kanë thënë se deri më 10 maj, pesë kandidatë kanë dorëzuar dokumentacionin në formë fizike.

Zejnullah Gashi, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është njëri nga kandidatët për kryeprokuror. 

Gashi e ka marrë pozitën më të lartë në Prokurorinë e Prishtinës, në dhjetor të 2023-tës, kur anëtarët e Këshillit Prokurorial, kanë votuar pro tij, për të ushtruar këtë pozitë.

“Po e konfirmoj se kam aplikuar dhe se do të jem kandidat”, ka thënë Gashi.

Edhe KPK-ja konfirmon pesë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit Arbëri 1 muaj më parë KPK-ja konfirmon pesë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit

Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale, është kandidati tjetër që ka konfirmuar se ka kandiduar. 

Nga i njëjti departament ka kandiduar edhe prokurori special Rafet Halimi, i cili ka shprehur nevojën që sa më shpejt të zgjidhet kryeprokurori i Shtetit.

“Është në interes të drejtësisë dhe të qytetarëve që kryeprokurori i Shtetit të zgjidhet sa më shpejt përmes një procesi të rregullt dhe transparent”, ka thënë Halimi.

E edhe prokurori Atdhe Dema, i cili është në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit, ka konfirmuar se ka kandiduar për këtë pozitë. Prokurori Dema, ka qenë në listën e kandidatëve që ka aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Pozitën më të lartë në sistemin prokurorial, e synon edhe kandidati Shqipdon Fazliu, i cili është prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit. Fazliu, për këtë pozitë pati kandiduar edhe katër vjet më parë. Atëkohë pati paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e kryeprokurorit të Shtetit.

E kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, ka thënë për KOHËN se janë në pritje të aplikacioneve eventuale me postë, në mënyrë që të publikohet lista e plotë e kandidatëve.

“Pasi t’i sigurojmë të gjitha të dhënat zyrtare nga sekretariati i KPK-së, që ka qenë kompetent për pranim të aplikacioneve, ne si Komision do të publikojmë listën finale të aplikantëve që kanë aplikuar për këtë pozitë”, ka thënë Arian Gashi.

Edhe Pesë kandidatë plotësojnë kushtet për pozitën për kryeprokuror LAJMET E MBRËMJES 1 muaj më parë Pesë kandidatë plotësojnë kushtet për pozitën për kryeprokuror

Konkursi është mbyllur të mërkurën.

Në mesin e kandidatëve nuk është edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, të cilin KPK-ja e pati zgjedhur në konkursin e rreth tre vjetëve më parë. Në tetor të 2023-tës, Vjosa Osmani në cilësinë e presidentes nuk e pati dekretuar Isufajn për këtë pozitë, me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. Që nga ajo kohë, Kosova ka pasur ushtrues detyre të kryeprokurorit të Shtetit.