Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kryeprokurori Gashi zotohet për forcim të sundim të ligjit

Zejnullah Gashi

Zejnullah Gashi ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeprokurorit të Shtetit. Ai u zotua të punojë për forcim të sundimit të ligjit dhe se do t’u shërbejë të gjithëve. Gashi u dekretua të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi mori votat e mjaftueshme për të udhëhequr pozitën më të lartë në Sistemin Prokurorial

Zejnullah Gashi të mërkurën ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeprokurorit të Shtetit.

Ai e pranoi detyrën nga ushtruesi i detyrës, Agron Qalaj, dhe u zotua të punojë për forcim të sundimit të ligjit e se do t’u shërbejë të gjithëve.

“Faleminderit kolegëve për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i të gjithëve dhe së bashku të gjithë do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Gashi.

Për pozitën më të lartë në Sistemin Prokurorial, ai u dekretua të martën nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se, para marrjes së vendimit për dekretim, është zhvilluar një shqyrtim i kujdesshëm i propozimit dhe dokumentacionit të dërguar nga Këshilli Prokurorial, përfshirë edhe të institucioneve kompetente të sigurisë, si dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka mirëpritur emërimin e kryeprokurorit të shtetit pas më shumë se katër vjetësh prej që kjo pozitë është drejtuar nga ushtrues detyre.

“Përpara zotit Gashi është zbatimi i një mandati të përqendruar në sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies prokuroriale dhe luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Përveç Gashit, pozitën e kryeprokurorit të shtetit e synonin edhe kandidatët: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu. 

Edhe Kryeprokurori i ri i Shtetit zotohet për forcim të sundimit të ligjit Arbëri 9 o. më parë Kryeprokurori i ri i Shtetit zotohet për forcim të sundimit të ligjit

Vendimi për shpalljen e konkursit për kryeprokuror të shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, paraqiti padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi të pezullohet, por Gjykata Administrative e refuzoi atë. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.

Në tetor të 2023-s, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar Isufajn për kryeprokuror të shtetit me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. 
Që nga ajo kohë, institucioni i kryeprokurorit të shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.