Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Shpallet konkurs për kryeprokuror të Shtetit pas 4 vjetësh “bllokadë”

KPK

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur konkursin për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit. Anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, ka thënë se procesi për Kryeprokuror është bllokuar tash e katër vjet qëllimisht, e po ashtu ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një datë tjetër. E shpalljen e konkursit e ka mirëpritur u.d. e presidentes Albulena Haxhiu

Me 5 vota për, një kundër e asnjë abstenim Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka shpallur të hënën konkursin për kryeprokuror të shtetit.

Në tetor të 2023-ës, presidentja e asaj kohe Vjosa Osmani nuk e pati dekretuar Blerim Isufajn për këtë pozitë, me arsyetimin se janën shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. Që nga ajo kohë, ky post është mbuluar me ushtrues detyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E para shpalljes së konkursit, anëtari i KPK-së nga Prokuroria Speciale, Milot Krasniqi ka thënë se procesi për këtë pozitë është bllokuar qëllimisht. 

“Publiku e dinë që ky proces është blloku qëllimisht tash e rreth katër vjet. Pasi u prit kaq kohë, unë thjeshtë nuk e di arsyen se sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë në shpalljen e konkursit për kryeprokurorit të shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore për këtë veprim, pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folur dhe flasin të tjerët”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë po ashtu se Këshilli Prokurorial po bie ne diktatin, sipas tij, të pushteteve të tjera.

“Siç ishte deklaruar kryeministri në Kuvend, se prokurori i propozuar për t’u bërë Kryeprokuror i Shtetit po bëhet kundër vullnetit të kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të Kuvendit. Me shpalljen e konkursit për kryeprokuror a po bie Këshilli nën diktatin e pushteteve të tjera. Ndonëse kjo përbën ndërhyrje flagrante në pavarësinë e punës së sistemit prokurorial”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar po ashtu se hapja e konkursit të ri pas një procesi të hapur përbën shkelje. 

Ai ka kërkuar që procesi për kryeprokuror të bëhet pa u ndikuar nga procese të tjera.

E kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi ka deklaruar se pa dekret të Presidentit nuk mund të zgjidhet Kryeprokurori i Shtetit.

“Nuk jam nga ata që komentoj as vendime të presidentit, as të institucioneve të tjera të pavarura, secili ka juridiksionin e vet ligjor dhe kushtetues. Është mirë që secili të kryen punën e vetë. Konsideroj që në këtë rast nuk po ngutemi, por jemi të vonuar. Gjitha pozitat tjera në Sistemin Prokurorial zgjidhen nga Këshilli. Për të vetmen pozitë që nga duhet dekret nga ana e Presidentit, është pozita e kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë Gashi.

Anëtari tjetër Visar Krasniqi ka thënë se procesi i Kryeprokurorit të Shtetit i mbetur peng për katër vite, shpërfaq mungesën e vullnetit për t’i adresuar vërejtjet që janë dhënë nga partnerët ndërkombëtarë.

Shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, ndërkohë e ka mirëpritur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Ky veprim i Këshillit Prokurorial të Kosovës rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë. Është me rëndësi që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të besueshme dhe larg çdo ndikimi politik apo interesi të ngushtë, në mënyrë që në krye të Prokurorisë së Shtetit të zgjidhet kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional”, ka shkruar Haxhiu.

Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit i vitit 2023 pati nxitur reagime të shumta dhe disa organizata joqeveritare patën kërkuar përsëritjen e konkursit.