Kulturë

“Net/Rrjet” bashkon trendët vendorë e ndërkombëtarë në art pamor

Net/RRjet

Që në vështrim të parë ato dallohen si vepra bashkëkohore. Mediumet i bëjnë të tilla, por edhe teknikat e punës. Video, instalacion, fotografi e pikturë ka në ekspozitën kolektive tradicionale që sivjet ka shënuar edicionin e 12-të të “Net/Rrjet”

Me edicionin e radhës të ekspozitës “Net/Rrjet”, veprat artistike vijnë në atë dimension që të lidhin skenën artistike vendore me atë ndërkombëtare. Njohja e artistëve të huaj me vendin nëpërmjet skenës artistike ka qenë edhe koncepti i saj. Në qendrën “Barabar” në Prishtinë janë sjellë rrëfime botërore nëpërmjet veprave të 25 artistëve.

Që në vështrim të parë ato dallohen si vepra bashkëkohore. Mediumet i bëjnë të tilla, por edhe teknikat e punës. Video, instalacion, fotografi e pikturë ka në ekspozitën kolektive tradicionale që sivjet ka shënuar edicionin e 12-të të saj. 

Prej të parave vepra me të cilat publiku takohet është ajo e Resul Jusufit. “Surpassing himself” paraqet reflektimin e një njeriu në pllakat ku një palë këpucë janë të vetmet që shihen. Por vepra në përgjithësi ngjan se paraqet një distancë të gjatë kohore. Aty janë të instaluara një palë këpucë të varura, që sikur mbahen peng nga e kaluara. Ndonëse të shqyera copë-copë. 

Vepra “Click heritage” e Rrezeart Galicës thërret për ta ruajtur trashëgiminë kulturore. Mesazhi është më se i qartë kur publikut i ofrohet i shkruar në kornizë. “…as my grandma says: Always click save heritage”, shkruhet aty. Mesazhi rrethohet me lloj-lloj ornamentesh. 

Autori i veprës, Rrezeart Galica, ka thënë se vepra synon të tërheqë vëmendjen në zbulimet e fundit arkeologjike në vend. 

“Kam marrë pjesë me punën time që lidhet me trashëgiminë në përgjithësi, atë kulturore në veçanti. Kjo për të tërhequr vëmendjen për zbulimet e fundit në Kosovë të cilat kanë një vlerë të veçantë, të cilat duhet t’i ruajmë dhe po ashtu të ftojmë sa më shumë vizitorë të vijnë, sepse është një pasuri e veçantë e Kosovës që do të na shërbejë edhe në të ardhmen si një gjë e veçantë që Kosova ka, pra pasuri arkeologjike”, ka thënë Galica. 

Ka treguar se veprën e ka punuar qershorin e kaluar, posaçërisht për këtë ekspozitë. Ka thënë se atë ka në plan ta shfaqë edhe jashtë vendit. 

“Unë e kam sjellë në mënyrë më kontemporane, e kam përcjellë mesazhin përmes saj, sepse ditëve të sotme aplikacionet përdoren vazhdimisht, intensivisht dhe një mënyrë për ta mbajtur mend se trashëgimia duhet ruajtur, kam zgjedhur këtë formë për ta sjellë me punimin tim”, ka thënë Galica më tej. 

Unike dhe kuptimplote janë gjashtë vizatimet e ukrainases Kateryna Repa. Në letra A3, ka sjellë portrete që duken shumë të thjeshta për nga forma që u jepet. Por vetëm nëse thellon shikimin kupton se ato vijëzime janë krijuar prej rrëfimeve të luftës në Ukrainë. Janë lajme të kobshme e histori të trishta. Jo gjithkush mund t’i shohë dhe kjo është edhe reflektim për situatën me luftërat në botë. Është projekt i ukrainases Repa për njerëzit dhe rrëfimet e atyre që vdiqën në luftën midis Rusisë e Ukrainës në vitin 2022. 

“Instalacion” i artistes Leonita Krasniqi është vepra që ngërthen dhjetëra pjesë të varura rend në tavanin e një pjese të hapësirës ekspozuese. Aty ka figura, shenja e portrete që u janë dhënë formë prej letrave të aluminit. 

Artistja Majlinda Kelmendi, udhëheqëse e qendrës për art bashkëkohor “ExpoArt.40” që e organizon ekspozitën “Net/Rrjet” ka thënë se koncepti për të është lidhja e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë midis tyre. 

“Net/Rrjet ka filluar në vitin 2008, është rritur me qindra artistë që kanë marrë pjesë ndër vite. Koncepti i saj, vetë fjala ‘rrjet’ tregon për rrjetëzim, vendosje të urave midis artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë për të ekspozuar më pas së bashku në qytetin e Prishtinës. ‘Net/Rrjet’ është me koncept bashkëkohor. Punimet që janë këtu janë të artistëve të cilët punojnë me një qëllim të caktuar për të përcjellë mesazhe, vepra të mediave të ndryshme. Siç e shihni kemi video, pikturë, fotografi, instalacion”, ka thënë Kelmendi. 

Ka thënë se qëllimi është që pos sjelljes së frymave të ndryshme artistike, të njihet emri i Kosovës në botë nëpërmjet artit. 

“Gjatë kohës që kemi publikuar emrat, shumë artistë nga këto vende na kanë shkruar për të qenë si kontingjent për edicionin tjetër. Kjo nuk ka shërben veç ne si artistë por edhe vetë Kosovës për ta bërë sa më të njohur. Për shembull, kur kemi filluar në 2008-n është dashur të përballemi me pyetjen se ku gjendet Kosova, gjë që nuk ka ndodhur në dy a tri vitet e fundit”, ka thënë ajo derisa ka vlerësuar se “Net/Rrjet” sjell botë të ndryshme brenda një të vetme. 

“Duke ardhur artistë nga vende të ndryshme ofrojnë botën dhe problematikën e tyre në lidhje me temën që kapin. Këtu krijohet një mini-botë ku secili artist shfaq preokupimin që ka pasur gjatë kohës sa ka realizuar atë vepër. Ka botë të ndryshme brenda një bote të madhe”, ka thënë Keelmendi më tej. 

Kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi, ka thënë se koncepti i përgjithshëm i ekspozitës është prezantimi i artistëve ndërkombëtarë. 

“Ekspozita ‘Net/Rrjet’ si edicion i 12-të, si koncept gjeneral të komplet ekspozitës ka prezantimin e artistëve ndërkombëtarë, po ashtu edhe rrjetëzimin e bashkëpunimin e artistëve vendorë. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 artistë dhe pjesa dërrmuese e tyre janë ndërkombëtarë për faktin që kemi vendosur duke u bazuar gjithmonë në dinamizmin e jetës së përditshme, qoftë edhe shpejtësia e jetës që e hasim çdo ditë. Duke marrë parasysh se sot arti e artistët mundësinë më të mirë e gjejnë në këtë shpejtësi e dinamizëm për prezantim në vende të ndryshme të botës, duke shfrytëzuar edhe ekspozitat online”, ka thënë Ballazhi. 

Ekspozitën e ka vlerësuar si diplomaci kulturore për Kosovën. 

“Janë kryesisht mediume të ndryshme duke u nisur nga video, instalacioni, prezantime të fotografive, kemi edhe punime digjitale dhe kjo pjesë e bën më kreative këtë ekspozitë e prezantim të këtyre artistëve. E mira e kësaj ekspozite është se artistët vetëm kanë filluar të bëjnë këtë lloj marketingu në vendet nga ku vijnë. Shpresoj se në të ardhmen ky lloj bashkëpunimi të zgjerohet edhe më shumë se kaq, sepse ne kemi mundësi të bëjmë ekspozita edhe më të mëdha se kaq”, ka thënë ai. 

Në “Net/Rrjet” kanë ekspozuar edhe Alexia Eliha nga Argjentina, Andrea Staniq nga Kroatia, Carroll Tsang Choi Wan nga Hong Kongu, Daiva Kupstienė, Nelė Jurgelionienė, Žiedūnė Aleknaitė dhe Gabrielė Kuizinaitė nga Lituania, Eunjin Ko nga Korea e Jugut, Gloria Keh nga Singapori, Irena Paskali, Iëa Kruczkoëska nga Polonia, Ken Clark nga Zelanda e Re, Larissa Holëeg nga Austria, Maria Jardă nga Rumania, Monique Virelaude nga Franca, Mylene Quito nga Filipinet, Rakesh Kumar Chaudhary, nga India, Ratna Shakya nga Nepali, Victoria Valuk nga Bjellorusia, Ëu, Hui-Lien nga Tajvani dhe  Zhaneta Vangeli nga Maqedonia e Veriut. 

Projekti multimedial “Net/Rrjet” i konceptuar nga artistja Majlinda Kelmendi ka filluar që nga viti 2008 me qëllim të afirmimit të kulturës artistike ndërkombëtare dhe vlerave të reja. Qysh atëherë, por edhe në edicionet e tjera në vazhdim, projekti kishte për tendencë zhvillimin dhe shkëmbimin kulturor dhe artistik ndërmjet rajoneve, artistëve me gjuhë dhe kulturë të ndryshme, duke hyrë në një garë, sa të mundimshme aq edhe të bukur nën fokusimin e arteve pamore. Çdo edicion kishte një koncept të veçantë, aktual, rezident të kohës, sugjerim, përmirësim, revoltë, ose edhe parashikim. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në qendrën “Barabar” për dhjetë ditë.