Veprat e mediumeve tradicionale e bashkëkohore sivjet pyesin se “Çfarë duhet të qëndrojë?”. Ekspozita është vazhdimësi e ndërlidhjes së praktikave e kulturave artistike të artistëve vendorë e ndërkombëtarë. Në ambientet e qendrës “Barabar” në Prishtinë, publiku i shumtë i mbledhur ka mundur të eksplorojë gjurmët artistike në urgjencën e paqëndrueshmërisë së kësaj epoke. Aty e tashmja vyshket, ndërsa e kaluara rikthehet veç si imazh i dikurshëm, a i largët
E përkohshmja është në veprat e edicionit të 13-të të ekspozitës ndërkombëtare multimediale “Net/Rrjet”. Të paktën derisa ato të vendosin themelet e së përhershmes. Veprat e mediumeve tradicionale e bashkëkohore sivjet pyesin se “Çfarë duhet të qëndrojë?”. Ekspozita është vazhdimësi e ndërlidhjes së praktikave e kulturave artistike të artistëve vendorë e ndërkombëtarë.
Në ambientet e qendrës “Barabar” në Prishtinë, publiku i shumtë i mbledhur ka mundur të eksplorojë gjurmët artistike në urgjencën e paqëndrueshmërisë së kësaj epoke. Aty, e tashmja vyshket ndërsa e kaluara rikthehet veç si imazh i dikurshëm, a i largët.
E tillë është vepra “Reclaiming the art of handwriting” e artistes Mia Tesic nga Austria. Disa dorëshkrime janë vendosur në mur e dhjetëra të tjera janë varur duke qëndruar si instalacion me shkrime e vizatime të artistes në letra të formateve A3. Në epokën digjitale në të cilën ndodhemi, vjen si praktikë krijuese e përmbushëse, madje edhe e munguar. Nëpërmjet këtyre materialeve, publiku mund të gjurmojë në personalitetin, mendimet, emocionet e stilin e shkrimit të autores.
Kuratorja e edicionit të sivjetmë të “Net/Rrjet”, arkitektja Bora Kelmendi-Beqiraj, ka thënë se nëpërmjet këtyre veprave shihet se çka është e përkohshme e çfarë ka potencial për të kaluar në përhershmëri.
“Sivjet kemi pyetjen ‘Çfarë duhet të qëndrojë?’ që lidhet me të përkohshmen. Një gjendje të cilën jemi duke e jetuar apo që e kemi jetuar më herët e më pas vlerësohet nëse duhet të qëndrojë ashtu siç është apo duhet të ndryshojë. Ka praktika të ndryshme në ekspozitë dhe kjo na lejon të shohim në lentën e tyre sepse cili është realiteti i tyre, kush është i përkohshëm. Lidhet me hulumtimet e mia profesionale të cilat vazhdimisht tentoj të përdor të përkohshmen, strukturat e saj, si një mjet për të testuar idetë me shfrytëzuesin, para se ato të vendosin themelet e të përhershmes në realitet”, ka thënë ajo.
Ka thënë se traditë e ngjarjes është që të ngrihen pyetje që lidhen me kontekstin e kohës.
“Çdo vit është menduar të sillen forma të ndryshme dhe kjo është e bukura e të pasurit kuratorë të ndryshëm, të përzgjedhur dhe të ftuar për ekspozita, sepse çdo vit jep një frymë të re dhe valë të re të shpërfaqjes së pyetjeve. Kjo është edhe tradita e ‘Net/Rrjet’, të ngritën pyetje të cilat lidhen me kontekstin e kohës. Ashtu është vazhduar edhe sivjet. Jam e lumtur që kam pasur mundësinë të jem kuruese e ekspozitës, tashmë shumë e rëndësishme në skenën e artit bashkëkohor kombëtar dhe jo vetëm”, është shprehur ajo.
Artistja Katerina Belkina nga Gjermania, e ilustron trupin e saj si hieroglif. Kështu edhe quhet vepra e saj. Në “Hieroglyph”, imazhi i plotë i saj vjen i pacensoruar. Si luftë kundër identifikimit të tyre vetëm me pamjen e jashtme të grave, e si pranim i cilitdo trup.
Anna Silivonchik nga Polonia ka sjellë video instalacion animues dhe gjashtë imazhe të shkëputura nga kjo punë e saj me titull “Peshku i thellësive”. Subjekti qendror është peshku me kokë njeriu.
Te veprat e Eshref Qahilit me titull “Errësira e artë: Radio” shfaqen pikturat me shumë ngjyra ku radioja si mjet tradicional i informimit vjen me shumë ngjyra kur imagjinata është e lirë e aty gërshetohen kujtimet për të. Por si objekt, në këtë rast si skulpturë, ajo vjen më e zymtë për kontekstet e pozitën që ka sot.
Instalacioni i Adem Rusinovcit me titull “Profecia e pasqyrave të thyera” është një tjetër kapitull i ekspozitës. Ai luan aty me një pako te konformizmit e po ashtu me disa miza. Mizat i ka pasur personazhe sikurse edhe pasqyrat në disa tektë në shtojcën për kulturë të “Koha Ditore”. E aty afër janë edhe veprat e Eliska Lubojatzka nga Republika Çeke, Lumturie Krasniqi, Margit C. Egg dhe Rozafa Shpuzës nga Shqipëria.
Kjo e fundit ka marrë pjesë në këtë ekspozitë me veprën “Metamorfozë” që përfshin autoportretet e saj bardhezi në dimensione të vogla.
“Kur mendova se me çfarë do të vij, thashë që pse të mos vij me autoportret. Autoportreti është diçka që sot përdoret shumë. Secili nga ne, në çdo çast e gjen veten me celularin përpara duke bërë autoportret. Pra, njeriu e sheh veten në vende të ndryshme, në çaste të ndryshme të ditës, në stinë të ndryshme. Sheh një ndryshim te portreti i vet. Edhe unë erdha me fotografitë e mia në çaste dhe stinë të ndryshme”, ka thënë. Ka përmendur edhe poezinë që i ka bashkëngjitur veprës së saj.
"Gjithashtu këtij seti të fotografive i kam bashkëngjitur një poezi, sepse poezia ime lidhet shumë me fotografinë. Fotografitë e mia kanë poezi brenda dhe anasjelltas. Ky binom, dy arte të bashkuara, pra poezia dhe fotografia, mendoj se ka qenë një prezantim ndryshe. Një prezantim që mua më bën të ndihem mirë, krenare dhe njëkohësisht prezantimi im është dinjitoz", ka thënë Shpuza.
Artistja Majlinda Kelmendi, udhëheqëse e qendrës për art bashkëkohor “ExpoArt.40” që e organizon ekspozitën “Net/Rrjet”, ka thënë se secilin vit po rritet cilësia e saj.
“Është bukur që po bëjmë një bilanc që po ruajmë kontinuitetin, po e mbajmë këtë gjë që e kemi filluar prej 2008-s, po e rrisim cilësinë me vepra, me mundësitë më të mëdha kemi realizuar instalacione. Kemi punë multimediale, ashtu siç është konceptuar ky projekt prej fillimit, ku kemi video, instalacione, pikturë, skulpturë, të gjitha gjinitë. Kështu edhe është forma e ndërtuar e këtij koncepti. Ne bashkëpunojmë me disa kuratorë dhe sivjet e kemi Bora Kelmendin, arkitekte dhe profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës”, ka thënë ajo.
Sipas konceptit të sivjetshëm kuratorial “Çfarë Duhet të Qëndrojë?”, ekspozita e shqyrton të përkohshmen si një material artistik dhe si një gjendje të jetuar. Sipas konceptit ekspozita sjell së bashku praktika që reflektojnë mbi kalueshmërinë, mbi paqëndrueshmërinë e vlerës dhe mbi qëndrueshmërinë e formës dhe kujtesës.
“Të përballesh me të përkohshmen do të thotë të pranosh përkohshmërinë si gjendjen përcaktuese të së tashmes sonë. Punimet nuk kufizohen nga mediumi, por nga një urgjencë e përbashkët për të menduar çfarë mbijeton në qarkullimin e imazheve, objekteve dhe historive”, shkruhet në koncept.
Sivjet kanë ekspozuar gjithsejtë dhjetë artistë. Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka ndarë 40 mijë euro për sivjet dhe nga 40 mijë për dy vitet që vijnë.
“Është ngritur standardi në Kosovë. Ka shkuar në 40 mijë euro ekspozita kolektive me 10 veta”, ka thënë një artist me emër në vend gjatë bisedave me kolegë pas hapjes së ekspozitës.
Projekti multimedial “Net/Rrjet” i konceptuar nga artistja Majlinda Kelmendi ka filluar që nga viti 2008 me qëllim të afirmimit të kulturës artistike ndërkombëtare dhe vlerave të reja. Qysh atëherë, por edhe në edicionet e tjera në vazhdim, projekti kishte për tendencë zhvillimin dhe shkëmbimin kulturor dhe artistik ndërmjet rajoneve, artistëve me gjuhë dhe kulturë të ndryshme, duke hyrë në një garë, sa të mundimshme aq edhe të bukur nën fokusimin e arteve pamore. Çdo edicion kishte një koncept të veçantë, aktual, rezident të kohës, sugjerim, përmirësim, revoltë, ose edhe parashikim. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në qendrën “Barabar” për një javë.