Është një prej muzeve më të vjetër në Kosovë, me koleksion të pasur e tash e ka zënë hapin edhe me trendët më të rinj. Prej së enjtes është lansuar “shëtitja virtuale” nëpër hapësirat e këtij muzeu dhe ajo shoqërohet me tingujt muzikorë të Muharrem Qenës. Është një ofertë për vizitorët, por edhe promovim i institucionit muzeor
Një vend i vogël si Kosova, por me histori të pasur, ka jo pak gjurmë të lëna pas, si objekte kulturore, veshje, tradita unike e simbole që i identifikojnë shqiptarët. E gjithë kjo, dikur është ruajtur me fanatizëm nga populli, mirëpo sot, shumë nga to, siç janë veshjet kombëtare, aksesorët e asaj kohe e shtëpitë tradicionale kanë ndryshuar, ashtu sikurse edhe zakonet.
Megjithëkëtë, shumë muze në Kosovë e Shqipëri kanë këtë mision: të sjellin kulturën, historinë e mënyrën e jetesës së paraardhësve.
Për ta bërë këtë më të lehtë sesa ishte ose për ta promovuar edhe më, Muzeu i Mitrovicës mund të shihet edhe virtualisht nëpërmjet projektit “Digjitalizimi i Muzeut të Mitrovicës/Mundësimi i shëtitjes virtuale”, i realizuar nga Organizata për Hulumtime dhe Vetëdijesim Shoqëror – “Trungu” dhe i financuar me 5 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Kjo metodë ishte praktikuar nga shumë shtete të botës, nga disa vende fqinje veçmas gjatë izolimit nga pandemia. Vizitat virtuale, në kohën e mbylljes prej COVID-19 qenë oferta të shpeshta nga disa muze në Shqipëri, e provuan edhe disa institucione në Kosovë – si Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Muzeu Etnologjik në Prishtinë – por tash Muzeu i Mitrovicës hap një kapitull të ri në këtë drejtim.
“Qëllimi i projektit ka qenë që të kemi sa më shumë vizitorë në muze, edhe duke e ditur që kemi kaluar në një kohë të pandemisë, në atë kohë ka lindur edhe ideja, në mënyrë që institucionet e kulturës të mbesin të qasshme për qytetarët pasi që shumica e institucioneve u mbyllën”, ka thënë drejtori i organizatës “Trungu”, Besfort Islami, për rezultatet e projektit të lansuar të enjten.
Ky projekt, përveçse do t’u shërbejë qytetarëve nga Kosova, Shqipëria e prej viseve të tjera të banuara me shqiptarë, u krijon qasje edhe vizitorëve virtualë nga mbarë bota.
Edhe
Vizitat virtuale si portë drejt vizitave reale në muzetë e Kosovës
“Ne kemi menduar që një projekt i tillë që vetëm se është finalizuar, do të ishte një mundësi e mirë për qytetarët në Kosovë, por edhe më gjerë, për vendet e huaja që duan të njihen me kulturën tonë, të kenë një mundësi përmes shëtitjes virtuale në Muzeun e Mitrovicës”, ka thënë Islami.

Me një klik, vizitorëve u mundësohet që t’i vizitojnë krejt hapësirat e Muzeut të Mitrovicës
Punonjës të Muzeut të Mitrovicës – që ka një traditë 70-vjeçare, i dyti muze më i vjetër në vend – kanë thënë se besojnë që projekti për shëtitjen virtuale do të ketë ndikim pozitiv dhe do të tërheqë edhe më shumë vizitorë në Muzeun që prej vitit 2009 selinë e vet e ka në ish-Shtëpinë e Armatës në qendër të Mitrovicës, ku u zhvendos prej Hamamit te Hamami i Qytetit të Vjetër.
“Në kuadër të veprimtarisë së Muzeut është edhe promovimi i vlerave që prezanton Muzeun e Mitrovicës, ne si staf mendojmë se ky projekt do ta promovojë dhe do të ndikojë pozitivisht dhe do të ngjallë kureshtje te të tjerët se sa i pasur është dhe ta shohin se me të vërtetë ia vlen ta vizitojnë Muzeun e Mitrovicës”, ka thënë Naser Hajdari, historian në këtë muze.
Shëtitja në 360 shkallë nëpër hapësirat e Muzeut – që ende vazhdon të mos ketë një objekt të vetin të përhershëm – krijon përshtypjen e të qenët brenda mureve të atij objekti. Një shëtitje e cila fillon sikur në një vizitë reale në të, një pamje më e largët e qytetit të Mitrovicës, oborri i muzeut, në të cilin gjenden varreza të lashta ilire, historiku i shkurtër i muzeut, hyrja në të dhe shëtitja nëpër korridore, dhoma e sallat e tij.
I gjithë ky projekt është përmbledhur në një dokument elektronik, i cili përbrenda tij klasifikon kategoritë përbërëse, e që janë fosilet, arkeologjia, etnologjia e historia.
Veçanti e Muzeut është edhe ekspozita nga shoqata “Zëri i prindërve”, e cila trajton temën e shqiptarëve të vrarëve dhe të pagjetur, një zë që flet nëpërmjet fotografive, veshmbathjeve, dokumenteve e gjërave të tjera personale të tyre. Kjo vizitë virtuale, edhe më e veçantë bëhet nën tingujt e këngës “Mallëngjimi” të Muharrem Qenës, kantautori ikonë e qytetit të Mitrovicës.
Projekti që u inaugurua të enjten do të jetë i përhershëm. Ai u mundëson vizitorëve virtualë të shohin fosile të kafshëve të lashta, artefakte, eksponate nga më të ndryshmet, si enë, pjata e gota nga dheu e qeramika, veshje të periudhave kohore e vendeve të ndryshme, aksesorë për gra e zbukurime për shtëpi, historia e qyteteve dhe shkatërrimit të tyre gjatë luftës, paraqitur nëpërmjet fotografive, si dhe odat e improvizuara dhe dhomat e ndejës me muret e veshura nga druri e të shtruara me qilim. Në fakt, koleksioni i fosileve është unik i këtij institucioni muzeor.
Nëpërmjet gjithë kësaj, vizitorëve u mundësohet që nga shtëpitë e tyre apo çfarëdo vendi tjetër të njihen me historinë dhe kulturën e vendit. Numri i vizitorëve ka rënë në dy vjetët e fundit për shkak të masave kufizuese për parandalimin e COVID-19, ndërsa pas lehtësimit të tyre, gjatë vitit të kaluar Muzeu ka pasur mbi 2 mijë vizitorë.
Edhe
Platforma për vizita virtuale nëpër muzetë e Kosovës
Muzeu i Mitrovicës është ndër institucionet e para kulturore në këtë qytet, i cili në fillimet e veprimtarisë së saj u pasurua nga koleksionet e fosileve, ndërsa më pas sirtarëve të tij iu shtuan edhe mijëra gjetje arkeologjike, ndërsa për pjesën tjetër të gjetjeve u përkujdes stafi i këtij muzeu. Ka një koleksion të pasur të artefakteve nga periudha e gurit.
Ish-Shtëpia e Armatës – ku zënë vend Muzeu i Qytetit, shkolla e muzikës “Tefta Tashko”, shoqata e të zhdukurve “Zëri i prindërve”, “Emergjenca” edhe zyra e gazetarëve të kësaj komune – është ndërtim i vitit 1959 dhe i takon periudhës së modernizmit arkitekturor në Kosovë. Në fillim të vitit 2017, autoritetet komunale iniciuan rrënimin e këtij objekti, por pas kundërshtimeve dhe reagimeve publike, vendimi u shfuqizua e më pas objekti u shpall monument i mbrojtur me ligj.