Ka më shumë se shtatë dekada që nuk është më, ajo rron në foto të moçme a në kujtime, por falë teknologjisë, Çarshisë së Vjetër të Prishtinës i hapet një kapitull i ri me aplikacionin “Be here then”, që e ringjall si kujtim e përjetim. Ua mundëson përdoruesve të ecin nëpër Çarshinë e Vjetër e të takojnë personazhet që ndajnë kujtimet e tyre për të. Në esencë, një projekt si ky është cilësuar edhe ndriçim i së ardhmes nëpërmjet së kaluarës
Pos si qendër kryesore e tregtisë në Prishtinë, Çarshia e Vjetër ia jepte qytetit edhe një pjesë të identitetit e trashëgimisë kulturore deri në fillimvitet e 50-a kur u shkatërrua. Hapësira është zhbërë, por me anë të teknologjisë synohet t’i jepet zë historisë nëpërmjet rrëfimeve e përvojës urbane digjitale.
Në hapësirën që konsiderohet si zemra e asaj zone monumentale që s’është më, është përuruar lansimi i aplikacionit “Be here then”, që ka për qëllim rigjallërimin e kujtesës kolektive për Çarshinë e Vjetër.
Figura të animuara me kode skanimi dhe copëza rrëfimesh janë vendosur në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë. Jo rastësisht, pasi po kjo hapësirë ku është i vendosur edhe monumenti që njihet si “Vëllazërim-Bashkim”, Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës e hapësirat përreth, i përkisnin kësaj hapësire. Ka qenë ripërjetim në kushte krejt të reja, në hapësirë të tjetërsuar.
Nga ajo çfarë është parë në aplikacion, “Be here then” ua mundëson përdoruesve të ecin nëpër Çarshinë e Vjetër, të shkatërruar mbi shtatë dekada më parë, e të takojnë personazhet që ndajnë kujtimet e tyre për Çarshinë.
Aktiviteti “Be here then: Zëri i Çarshisë së Vjetër” është organizuar në kuadër të projektit “Tu pa, tu bo” i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga Universiteti i Lundit në partneritet me “Future by Lund”, “Anibar” dhe UN-Habitat Kosovo”, me përkrahje edhe të Ministrisë së Kulturës.
Ylva Sahlstrand, zv.udhëheqëse e sektorit për zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, ka thënë se vlerat kulturore mund të gjallërohen përmes artit.
“Ajo çfarë është shumë e rëndësishme, është se kemi disa vlera suedeze për të ndarë me ju dhe është reciproke: ne mësojmë nga ju, ju mësoni nga ne. Ajo çfarë do të shihni është projekti ‘Tu pa, tu bo’ dhe jemi munduar të tregojmë se si bashkëpunojnë akterë të ndryshëm, të cilët mbase nuk kanë bashkëpunuar më parë. Duhet ta dimë se ne duhet të bashkëpunojmë në mënyrë që të rigjallërojmë këto vlera tona qofshin përmes muzikës, artit, në mënyrë që të shfaqim artin tonë”, ka thënë ajo.
Si shembull për këtë ka marrë veprën “Tell me Your Story” të japonezes Chiharu Shiota, që e pati ringjallur përkohësisht Hamamin e Madh të Prishtinës në 100 ditët e bienales “Manifesta 14” në Prishtinë, në verën e vitit 2022.
“Tani jam shumë e lumtur që kjo pjesë e Prishtinës sërish do të ndriçohet përmes teknologjisë që nuk është përdorur më parë. Ky aplikacion është shumë i qëlluar në këtë aspekt. Përmes së kaluarës mund ta ndriçojmë të ardhmen dhe më pas kjo mund të ndikojë edhe në zhvillim ekonomik. Gjithashtu do të jetë interesante edhe për turistët”, ka thënë Sahlstrand.
Bashkëthemeluesi e drejtor ekzekutiv i “Anibarit”, Vullnet Sanaja, ka thënë se projektin e ngjashëm synojmë ta bëjmë edhe për qytete të tjera.
“Ne jemi shumë të lumtur të jemi pjesë e këtij procesi bashkërisht me partnerët. E kemi privilegjin të punojmë për një projekt si ai për Çarshinë e Vjetër të Prishtinës. Shpresojmë që të njëjtin projekt ta bëjmë edhe për qytetet e tjera, të shikojmë si mundemi ta transformojmë qasjen tonë ndaj këtyre hapësirave të ndryshme”, ka thënë ai.
Menaxherja e projektit në “UN-Habitat”, Zana Sokoli, ka thënë se mesazhi i aplikacionit është se duhet të vazhdojë të bartet historia. Sipas saj, “e kaluara e ndërton të ardhmen”.
“Meqenëse disa pjesë të së kaluarës nuk mundemi më fizikisht t’i shohim, sepse nuk ekzistojnë, si puna e Çarshisë, atëherë kemi vendosur që ne si institucion vazhdimisht të përkrahim zhvillimin e qëndrueshëm urban, trashëgiminë dhe ‘Anibari’ me pjesën e tyre të dizajnit dhe animacionit, ta shfrytëzojmë teknologjinë që të gjithë po ia kanë frikën dhe shkathtësitë që kemi në dizajn, për të sjellë diçka që do të ndihmojë gjeneratat e ardhshme të lidhen me vendin prej nga vijnë, neve që të promovohemi më shumë dhe turistët të dinë më shumë për ne”, është shprehur ajo.

Pas Luftës së Dytë Botërore, nën sloganin “Ta shkatërrojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë”, është shkatërruar një prej aseteve më të rëndësishme kulturore së Prishtinës.
Sipas organizatës “Trashëgimia kulturore pa kufij” në Kosovë, rrugët kryesore rreth të cilave është zhvilluar Çarshia ishin Rruga e Vjetër, që konsiderohet edhe bërthama e saj, (sot rruga e UÇK-së) dhe Korzoja, e cila njëherësh ka qenë edhe shëtitorja kryesore e Prishtinës në atë kohë dhe lidhte Çarshinë me pjesën tjetër të qytetit ku gjendej Xhamia e Llokaqit (sot objekti afarist afër Teatrit).
“Tradicionalisht funksion kryesor i Çarshisë kanë qenë tregtia dhe zejtaria, prandaj edhe dyqanet kanë qenë strukturat që kanë dominuar në përbërjen e saj. Në Prishtinë janë zhvilluar të gjitha zanatet karakteristike të kohës si: plisaxhinjtë, saraçët, këpucëtarët, rrobaqepësit, abaxhinjtë, zdrukthëtarët, farkëtarët, terzinjtë, berberët, teneqepunuesit, lëkuraxhinjtë, konopxhinjtë, nallbanët e të tjerë”, shkruhet në publikimin e “CHwB Kosova” me titull “Trashëgimia e Prishtinës” të vitit 2008.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe një përfaqësues nga Komuna, që kanë qenë në program të hapjes së ngjarjes, nuk kanë qenë të pranishëm.
Bashkëpunëtorja për zhvillim urban në “UN-Habitat” në Kosovë, Lyra Bakija-Vula, e ka konsideruar aplikacionin “Be here then” jo vetëm si teknologji, por edhe kujtesë e zë të gjeneratave të mëparshme.
“Në një kohë kur shumëkush frikësohet nga teknologjia dhe nga ajo çfarë mund të sjellë, ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër: ta përdorim teknologjinë për të sjellë në jetë të kaluarën, për të kujtuar vlerat, për të reflektuar mbi zhvillimin tonë dhe për të festuar trashëgiminë tonë kulturore. Është kënaqësi e veçantë që këtë ngjarje po e mbajmë pikërisht në këtë shesh, në zemër të qytetit, aty ku historia e Prishtinës ka filluar të tregojë vetveten”, ka thënë ajo.
Në përgjithësi është konsideruar si eksperiencë unike që e lidh të kaluarën me teknologjinë.
Është prezantuar edhe një videoanimacion i punuar nga animatorët e “Anibarit”, sikurse edhe karakteret që rrëfejnë janë të animuara. Edvin Susuri, udhëheqës i ekipit të “Anibarit”, e ka prezantuar aplikacionin. Sipas shpjegimit, nëpërmjet pamjeve bëhet e ditur se aty ka edhe të dhëna arkivore, historik e fotografi. Po ato shfaqen automatikisht, bazuar në pamjet që aplikacioni regjistron nga imazhet e hapësirës së sotme. E projekton hapësirën përkatëse të Çarshisë së dikurshme.
Edhe ushqimi e muzika që ka shoqëruar ngjarjen kanë qenë të bazuara në Çarshinë e Vjetër. Këngë qytetare ka interpretuar Nezafete Shala me bend, ndërkohë që ecjen nëpër hapësirat ku dikur ishte Çarshia e ka udhëhequr planerja urbane, Blerina Boshnjaku - Nela.