Një ditë pas dy reagimeve publike – njëri prej “Grupit të artistëve të pavarur fitues” e tjetri prej “Punëtorëve në Art” – ku ndër të tjera kërkohej që Ministria e Kulturës të tërhiqej nga anulimi i blerjes së veprave, ose do të kërkonin largimin e ministrit Hajrulla Çeku, vetë ministri ka dalë me “disa sqarime”. Ka shprehur keqardhje për anulimin që ia kanë bërë thirrjes për blerje veprash, e ka konfirmuar se kjo është punë e kryer për sivjet e se buxheti prej çerek milioni s’mund të shfrytëzohet sivjet. Me sqarime ka dalë pasi ka takuar disa artistë, në mesin e të cilëve edhe disa që kanë kërkuar largimin e tij, nëse nuk anulohet anulimi. Se çfarë do të kërkojnë tash artistët, të martën nuk janë përgjigjur disa prej tyre
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar publikisht pesë ditë pasi u anulua procesi i blerjes së veprave të artit pamor. Këtë e ka bërë të martën pasdite, pak orë pasi ka pritur në zyrë një grup të artistëve, veprat e të cilëve ishin zgjedhur për t’u blerë nga shteti.
Ministri Çeku reagimin e tij e ka titulluar “Disa sqarime mbi anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artit”. Nëpërmjet këtij postimi në “Facebook”, ka dhënë versionin e tij për anulimin e procesit, ku me 247 mijë euro ishin përzgjedhur të blihen vepra nga 68 artistë. MKRS-ja të martën është përballur me dy reagime nga grupet e artistëve. E ministri Çeku fillimisht ka folur për keqardhje.
“Fillimisht shpreh keqardhjen time për anulimin e procedurës dhe gjithë situatën e krijuar, veçanërisht në raport me të gjithë artistët pjesëmarrës në këtë thirrje”, ka shkruar ai. Më tej ka vazhduar se sulmet ndaj artistëve që kanë qenë në listën e përfituesve dhe ndaj anëtarëve të komisioneve përzgjedhëse janë totalisht të papranueshme.
“Fushata denigruese dhe kërcënimet që nisën nga momenti i shpalljes së listës janë veprime të ulëta”, ka shkruar ministri Çeku. Ka treguar se programin për blerjen e veprave të artit e kanë nisur me qëllimin më të mirë. Por ka numëruar defekte që kanë dalë në pah gjatë procesit.
“Megjithatë, duke e përfshirë brenda Programit të Ringjalljes Ekonomike kemi krijuar pritshmëri të gabuar. Do të duhej ta komunikonim më mirë në publik konceptin e programit”, ka shkruar ai.
Edhe
Grupi i artistëve do largimin e ministrit të Kulturës nëse s’blihen veprat
Ka thënë se ankesat për konflikt interesi, që i kanë pranuar, kërkonin periudhë shtesë shqyrtimi. Në këtë rast, ka treguar se kohën shtesë nuk e kishim, pasi është fundi i vitit dhe brenda pak ditësh mbyllen edhe sistemet e pagesave.
“Për shkak se fondi përkatës i ringjalljes mund të përdoret vetëm sivjet, për shkaqe procedure kërkohej edhe anulimi formal i kësaj thirrjeje”, ka shkruar ai. Sipas tij, menjëherë ka filluar puna për thirrjen e radhës, e cila do të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm. Më pas ka bërë një dozë autokritike.
“Do të jemi të kujdesshëm, kemi nxjerrë mësimet tona. Blerja e veprave të artit nga shteti do të jetë praktikë e rregullt viteve në vijim dhe me buxhet të shtuar”, ka shkruar Çeku. Në fund edhe një herë ka shkruar se shpreh keqardhjen më të thellë, sidomos ndaj artistëve të listës fituese dhe bashkëndien me ta për situatën e krijuar pa fajin e tyre.
“Ju siguroj që angazhimi ynë mëton fuqizimin e artistëve të Kosovës. Në këtë kuptim, besoj thellë që shteti duhet t’i blejë veprat më të mira të artit, duke e nxitur krijimin e tregut të artit, i cili e vlerëson dinjitetshëm artistin dhe artin cilëson”, ka shkruar Çeku.
Paraprakisht gjatë ditës ai kishte pritur në zyrë disa prej atyre që ishin në listën e veprave të caktuara për t’u blerë në bazë të thirrjes publike të MKRS-së. Ky grup i artistëve, siç ka marrë vesh KOHA, i kishin kërkuar ministrit Çeku përgjegjësi për situatën. I kishin thënë se anulimi pas publikimit të listës dhe ankesave që ka marrë MKRS-ja është duke u interpretuar sikur ata që janë ankuar kanë pasur të drejtë. Në atë takim ministri Çeku u kishte thënë se do të dalë me një kërkimfalje dhe se do ta sqaronte situatën.
Edhe
Ministria hesht për dështimin e Galerisë me blerjen e veprave të artit
Paraprakisht të hënën artistët kanë kritikuar procesin e anuluar për blerjen e veprave të artit pamor dhe kanë shkuar edhe përtej kësaj.
“Grupi i artistëve të pavarur fitues” ka kërkuar që MKRS-ja t’i blejë veprat e vlerësuara, përndryshe do të kërkojnë largimin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, nga pozita. E “Punëtorët në Art” kanë kritikuar krejt procesin. Disa prej atyre që janë përfshirë në atë që është quajtur “Deklaratë publike” ishin në listën “fituese”. Kritikonin në thelb thirrjen publike ku kishin aplikuar vetë. Por këtë e bënin pasi u anulua procesi.
“Grupi i artistëve të pavarur fitues” nëpërmjet një letre të hapur i ishte drejtuar MKRS-së dhe Qeverisë. Sipas tyre, se kush është artist meritor e kush duhet të punojë edhe pak, e ka vendosur vetë juria e caktuar nga ministri Hajrulla Çeku. Kanë shkruar se nëse ministri nuk di ta përzgjedhë jurinë, kjo nuk do të thotë që juria nuk di t’i vlerësojë veprat, që u caktoi çmime për ta pasuruar koleksionin e Kosovës, i cili rrjedhimisht është koleksion publik dhe paratë janë publike.
“Të indinjuar nga ky veprim i papërgjegjshëm dhe abuziv, kërkojmë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes, bashkë me pranim të përgjegjësisë dhe premtim që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Përndryshe, nuk do të na mbetet tjetër opsion përveç kërkimit të largimit të menjëhershëm të ministrit, bashkë me thirrjen për veprimin e drejtë, që ai do të duhet ta bëjë”, shkruhet në letrën publike.
Edhe
Ministria e Kulturës me 300 mijë euro në tentimin e dytë për të blerë art
E “Punëtorët në Art” kërkonin nga MKRS-ja që të ofrojë justifikim zyrtar rreth bazës mbi të cilën është marrë vendimi për anulimin e procedurës. Më pas kërkohej që procedura e krijimit të Fondit Shtetëror të kthehet në fuqi dhe të implementohet, siç është deklaruar në thirrjen zyrtare që MKRS-ja e kishte bërë në tetor. Më pas i kërkonin MKRS-së që t’i marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të artistëve të pavarur dhe të krijojë rregulloren adekuate për të mundësuar intervenim në zbutjen e dëmeve në mirëqenien sociale të shkaktuara nga pandemia. “Deklarojmë se ky proces duhet të implementohet ndaras prej politikave të ‘blerjes së veprave për pasurimin e fondit shtetëror’, shkruhet në deklaratë.
Ministria e Kulturës hoqi dorë nga blerja e veprave nëpërmjet pakos për ringjallje ekonomike, pasi aplikacionet ishin vlerësuar nga dy juri. Në jurinë e parë ishin Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu. Sipas MKRS-së, treshja ka bërë vlerësimin e projekteve në shkallën e parë. Kurse në shkallën e dytë veprat e përzgjedhura janë vlerësuar nga “juria me përbërje vendore dhe ndërkombëtare” në përbërje të Sislej Xhafës, Eleni Laperit dhe Dita Starovës-Qerimit. Paraditen e së enjtes – ditë kjo kur u anulua procesi – nja 20 veta kishin kërkuar këtë anulim para MKRS-së. Çmimet e përcaktuara – ku pikturat ishin vlerësuar deri në shtatë mijë euro, kishte edhe fotografi që ishte vendosur të paguhej me shumë të përafërt – nga një grup artistësh qenë konsideruar shumë të larta. Madje edhe nga ata që kanë shitur vepra jashtë Kosovës.