Kulturë

Grupi i artistëve do largimin e ministrit të Kulturës nëse s’blihen veprat

Në dy reagime, artistët kanë kritikuar procesin e anuluar për blerjen e veprave të artit pamor dhe kanë shkuar edhe përtej kësaj. “Grupi i artistëve të pavarur fitues” ka kërkuar që MKRS-ja t’i blejë veprat e vlerësuara përndryshe do të kërkojnë largimin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku nga pozita. E “Punëtorët në Art” kanë kritikuar krejt procesin. Disa prej atyre që janë përfshirë në atë që është quajtur “Deklaratë publike” dalin kontroversë, duke kritikuar në thelb thirrjen publike ku kishin aplikuar vetë

Prishtinë, 13 dhjetor – Katër ditë pasi Ministria e Kulturës hoqi dorë nga procesi i blerjes së veprave të artit pamor, ky institucion është përballur me reagime.

Në dy reagime artistët kanë kritikuar procesin e anuluar për blerjen e veprave të artit pamor dhe kanë shkuar edhe përtej kësaj. “Grupi i artistëve të pavarur fitues” ka kërkuar që MKRS-ja t’i blejë veprat e vlerësuara përndryshe do të kërkojnë largimin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku nga pozita. E “Punëtorët në Art” kanë kritikuar krejt procesin. Disa prej atyre që janë përfshirë në atë që është quajtur “Deklaratë publike” dalin kontroversë, duke kritikuar në thelb thirrjen publike ku kishin aplikuar vetë.

Ministria e Kulturës të enjten anuloi thirrjen publike për blerjen e veprave të artit. Këtë e bëri pas reagimeve e protestës së rreth 20 vetave. MKRS-ja kishte vendosur që nëpërmjet Pakos për ringjallje ekonomike me 247 mijë euro të blejë vepra nga 68 artistë. Çmimet që shkonin deri në 7 mijë euro për një vepër, ishin konsideruar si të larta nga vetë anëtarët e komunitetit.

Reagimi i parë të hënën ka ardhur nga “Grupi i artistëve të pavarur fitues” nëpërmjet letre të hapur drejtuar MKRS-së dhe Qeverisë. Ky grup ka konstatuar se “Anulimi i ‘procedurës’ së thirrjes për blerjen e veprave të artit, pas publikimit të listës së ujdisë, aty ku figurojnë çmimet e dakorduara, nuk është anulim i procedurës, por anulim i blerjes”. Aty shkrihet se ky mund të jetë tentim për të qenë fer, edhe pse çuditërisht vetëmposhtës, por aspak angazhim për mbështetje e fuqizim, “siç ironikisht thuhet në dokumentin zyrtar”.

Sipas tyre, se kush është artist meritor e kush duhet të punojë edhe pak, e ka vendosur vetë juria e caktuar nga ministri Hajrulla Çeku. Sipas tyre, nëse ministri nuk di ta përzgjedhë jurinë, kjo nuk do të thotë që juria nuk di t’i vlerësojë veprat që u caktoi çmime për ta pasuruar koleksionin e Kosovës, i cili rrjedhimisht është koleksion publik dhe paratë janë publike.

Kanë shkruar se vendimi për anulim në emër të pakënaqësisë është i padrejtë, sepse e vendos raportin me publikun para mbështetjes së publikut. “Sa i përket argumentit kundër blerjes në emër të termit të rimëkëmbjes ekonomike, duhet theksuar menjëherë që rimëkëmbja ekonomike nuk është sociale, por siç edhe e thotë vetë termi, ekonomike”, shkruhet në këtë letër. Por, grupi ia ka huqur në këtë rast. Qeveria nuk ka Pako për rimëkëmbje ekonomike, por atë për ringjallje ekonomike.

“Pastaj, pse ky anashkalim i papritur dhe përçmues i 68 artistëve të përzgjedhur për pasurimin e koleksionit që në njëfarë mënyre e përbën historinë e artit kosovar për brezat e ardhshëm?”, shkruhet në letër. Ata kanë pasur edhe një lloj ultimatumi për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Të indinjuar nga ky veprim i papërgjegjshëm dhe abuziv, kërkojmë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes, bashkë me pranim të përgjegjësisë dhe premtim që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Përndryshe, nuk do të na mbetet tjetër opsion përveç kërkimit të largimit të menjëhershëm të ministrit, bashkë me thirrjen për veprimin e drejtë që ai do të duhet ta bëjë”, shkruhet në letrën publike.

Reagimi tjetër është publikuar nga “Punëtorët në Art”. Deri në mbrëmjen e së hënës prapa këtij reagime emrat i kanë renditur rreth 50 veta. Shumë prej tyre ishin edhe përfitues të thirrjes publike për blerjen e veprave të artit pamor.

Reagimi është tejet kontrovers. Kritikohet mënyra e hapjes së thirrjes në të cilën vetë kanë konkurruar dhe janë shpallur fitues. Kurse reagimin e kanë bërë pas anulimit të procesit.

Në deklaratën publike shkruhet se anulimi i procedurës për blerjen e veprave të artit është veprim përmes së cilit MKRS-ja instrumentalizon 68 artistë për të mbuluar neglizhencën dhe keqmenaxhimin e këtij institucioni ndaj krizës që ka kapluar skenën e kulturës që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit 2020. Kanë hyrë në historinë e skemave qeveritare në raport me pakot ekonomike në kohë pandemie.

“Kapërcimi jotransparent i intervenimit emergjent si dhe mungesa e strategjisë së qartë për implementimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike ka krijuar një narrativë, ku MKRS-ja tenton që njëkohësisht të ofrojë ndihmë sociale për artistët dhe në anën tjetër të pasurojë ‘Fondin Shtetëror’ me vepra të artit përmes një ‘thirrjeje’ të vetme”, shkruhet në këtë deklaratë. Aty po ashtu thuhet se ky synim është i pamundur duke qenë se ndihma sociale dhe pasurimi i fondit shtetëror janë dy procese që kërkojnë qasje, kritere dhe forma vlerësimi të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Kjo politikë në vetvete është kontradiktore dhe si e tillë e ka të pamundur përmbushjen substanciale të të dy qëllimeve, pa sakrifikimin e njërës apo tjetrës. Pikërisht kjo kontradiktë është shpërfaqur me antagonizmin e shprehur në diskursin publik, pas shpalljes së ‘veprave të zgjedhura’ më datën 8 dhjetor 2021 dhe anulimin e menjëhershëm të saj me datën 10 dhjetor 2021”, shkruhet në deklaratë. Sipas tyre, vendimi ad-hoc, i pajustifikuar dhe autoritar i MKRS-së, për anulimin e procedurës “Thirrja publike për blerjen e veprave të artit të artistëve vendorë” ka dëmtuar dhe rrezikuar thellësisht kohezionin shoqëror duke shkaktuar antagonizëm në mes artistëve, MKRS-së, dhe publikut. Sipas tyre, krejt kjo është fuqizuar përmes mbulimit të njëanshëm të çështjes në fjalë nga mediet. Kanë renditur tre kërkesa dhe kur kanë kritikuar qasjen e shtetit ndaj artistëve në kohë pandemie nuk kanë treguar se në dhjetor të vitit të kaluar 40 veta kanë marrë nga 4 mijë euro nëpërmjet projektit “Artisti i mbijetesës”, projekt ky që ka përfunduar me dorëzimin e aplikacioneve.

“Kërkojmë nga MKRS-ja që të ofrojë justifikim zyrtar rreth bazës mbi të cilën është marrë vendimi për anulimin e procedurës ‘Thirrje për blerjen e veprave të artit të artistëve vendorë’”, shkruhet në kërkesën e parë. Në të dytën kërkohet që procedura e krijimit të Fondit Shtetëror të kthehet në fuqi dhe të implementohet siç është deklaruar në thirrjen zyrtare të MKRS-së: “Pasurimi i fondit shtetëror të artit të Kosovës ka për qëllim ruajtjen dhe mbështetjen institucionale të praktikave artistike...”, shkruhet në kërkesën e dytë. Më pas i kërkohet MKRS-së që t’i marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të artistëve të pavarur dhe të krijojë rregulloren adekuate për të mundësuar intervenim në zbutjen e dëmeve në mirëqenien sociale të shkaktuara nga pandemia. “Deklarojmë se ky proces duhet të implementohet ndaras prej politikave të ‘blerjes së veprave për pasurimin e fondit shtetëror’, shkruhet në deklaratë.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës të hënën nuk i kanë komentuar reagimet e dy grupeve të artistëve.

Ministria e Kulturës hoqi dorë nga blerja e veprave nëpërmjet pakos për ringjallje ekonomike, pasi aplikacionet ishin vlerësuar nga dy juri. Në jurinë e parë ishin Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu. Sipas MKRS-së, treshja ka bërë vlerësimin e projekteve në shkallën e parë. Kurse në shkallën e dytë veprat e përzgjedhura janë vlerësuar nga “juria me përbërje vendore dhe ndërkombëtare” në përbërje të Sislej Xhafës, Eleni Laperit dhe Dita Starovës-Qerimit.