Kulturë

Ministria hesht për dështimin e Galerisë me blerjen e veprave të artit

gal

Politikë më vete qe paraqitur synimi që shteti për herë të parë pas luftës të blejë vepra arti, për atë që quhej koleksion publik e koleksion shtetëror. Pas dy blerjeve me konkurse publike, Ministria e Kulturës kishte vendosur që vjet Galeria Kombëtare e Kosovës të bënte blerje direkte duke u bazuar në hulumtimin e nevojat e këtij institucioni

Buxheti 400 mijë euro për blerjen e veprave të artit mbeti i pashfrytëzuar, por krejt kjo histori nxori në pah procesin e kompromentuar, shkarje jo të vogla sa u përket vendimeve të marra e po ashtu edhe planifikime të bëra në fund të një procesi që dështoi. Por për krejt këtë histori, Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë. S’është kërkuar kurrfarë përgjegjësie dhe MKRS-ja nuk e ka komentuar fare situatën

Ministria e Kulturës ka zgjedhur të heshtë në raport me dështimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës që vitin e kaluar të blejë vepra nga artistët për ta pasuruar koleksionin. Këshilli Drejtues, përbërja e të cilit është emëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, bashkë me ushtruesen e detyrës së drejtorit, të emëruar nga MKRS-ja, kanë dizajnuar një proces të blerjes së veprave të artit, të cilin e kanë çuar në dështim duke kthyer prapa 400 mijë euro. Por pavarësisht kësaj, Ministria e Kulturës e vazhdon të heshtë. S’është kërkuar kurrfarë përgjegjësie dhe MKRS-ja nuk e ka komentuar fare situatën. 

Politikë më vete qe paraqitur synimi që shteti për herë të parë pas luftës të blejë vepra arti, për atë që quhej koleksion publik e koleksion shtetëror. Pas dy  blerjeve me konkurse publike, Ministria e Kulturës kishte vendosur që vjet Galeria Kombëtare e Kosovës të bënte blerje direkte duke u bazuar në hulumtimin e nevojat e këtij institucioni. 

Por në fund të vitit ka mbetur pezull puna e një komisioni prej pesë anëtarësh, negociatat me të paktën 34 artistë për 76 vepra dhe mbi të gjitha, pasurimi i institucionit. Galeria sivjet përpëlitet që të sigurojë buxhet të ri për ta vazhduar procesin. Por, siç ka raportuar KOHA në fund të muajit të kaluar nëpërmjet një serie prej tri tekstesh, ky institucion ka telashe me krejt këtë temë qysh prej ditës kur nxori vendimin e parë: atë për themelimin e Komisionit për blerjen e veprave të artit.

Por as një muaj e gjysmë pas publikimit të këtij dështimi, MKRS-ja s’ka bërë zë. KOHA ka kërkuar përgjigje nga vetë ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka emëruar përbërjen e organit më të lartë të GKK-së, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe prej të cilëve kërkon llogari dhe mban përgjegjësi që i ka përzgjedhur. Çekut, sikurse këshilltares së tij Zana Fetiu dhe sekretarit të MKRS-së, Bislim Bislimi, pyetjet u janë përsëritur disa herë. 

Ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Fahredin Spahija, ka thënë se për këtë temë “është informuar nga KOHA, pasi ka vite që Galeria Kombëtare nuk komunikon fare me opinionin e gjerë e në veçanti me komunitetin artistik kosovar”, i cili “ka interes të kuptojë se çka po ndodh brenda institucionit më të lartë të artit pamor në Kosovë”.  

“Duke i njohur protagonistët që kanë qenë të implikuar në krejt këtë histori duke filluar nga ministri Çeku; ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Galerisë Kombëtare e emëruar nga ministri i Kulturës; kryetarja e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare, po ashtu e emëruar nga ministri i Kulturës; dhe kryetarja e Komisionit për blerjen e veprave artistike, po ashtu e emëruar nga ministri i Kulturës, më rezulton se ky qark i mbyllur është krijuar me qëllim që ky proces të dështojë dhe nuk kam asnjë dyshim se kemi të bëjmë me një situatë komprometuese që i vjen era korrupsion...”, ka thënë ai. 

Sipas tij, kryefjala e këtij dështimi “është ministri Çeku, i cili është mjeshtër i krijimit të përshtypjes se është vullnetmirë, kurse në prapaskenë i minon proceset”. 

“Kam punuar me të mbi dy vjet si kryetar i Këshillit Drejtues të ansamblit kombëtar ‘Shota’ dhe ia njoh goxha mirë veprimet dhe karakterin... Tash pyetja që duhet të ngrihet është se, kah kanë shkuar ato 400 mijë eurot e kthyera nga Galeria Kombëtare? Sa para janë shpenzuar për angazhimin dhe punën e Komisionit për blerjen e veprave artistike, i cili tani shfajësohet për dështimin e procesit, duke u arsyetuar se ata punën e tyre e kanë kryer dhe tutje nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë?”, ka thënë ai. 

Ka ngritur pyetje se si u bë që kryetare e Komisionit, që thuhet se ishte krijuar me profesionistë të jashtëm, të zgjidhej një person që është e angazhuar si kuratore në Galerinë Kombëtare dhe ajo paguhet nga buxheti i këtij institucioni? 

“Pse nuk bëhet publike lista e veprave artistike të parapara për blerje, bashkë me autorët dhe çmimet e tyre?  Natyrisht, përgjigjet në këto pyetje do të duhej t’i jepnin një auditor i jashtëm dhe një prokuror duke i thirrur në përgjegjësi të gjitha hallkat e këtij procesi të dështuar, duke filluar nga ministri në detyrë, Hajrulla Çeku, Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare (kryesuesja dhe anëtarët), si dhe Komisioni për blerjen e veprave artistike (kryesuesja dhe anëtarët)”, ka thënë Spahija. 

Procesi i pasurimit të fondit publik me vepra të artit ishte tentuar të nisej në vitin 2021. Asokohe Ministria e Kulturës dështoi që ta çojë deri në fund nismën për blerje të veprave të artit me 247 mijë euro. Në marsin e vitit 2022 Qeveria e Kosovës ndau një milion e 50 mijë euro për këtë synim. Sipas vendimit, 300 mijë euro qenë ndarë për vitin 2022, 350 mijë për vitin 2023 dhe 400 mijë për vitin 2024. Më 2022 dhe 2023 Ministria e Kulturës nëpërmjet thirrjeve publike ka blerë vepra të artit. Një herë 80 vepra me 300 mijë euro, kurse në të dytën mbi 60 vepra me 190 mijë euro. Në vitin 2023 nëpërmjet blerjeve direkte Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasuruar koleksionin me veprat e shtatë artisteve, si: Alije Vokshi, Violeta Xhaferi, Valbona Zherka, Lala Meredith-Vula, Feriha Rada, Hyrije Krypa dhe Zake Prelvukaj. 

Sipas politikave të Ministrisë së Kulturës për vitin 2024 qe paraparë që GKK-ja si institucioni më i lartë i artit pamor në vend të shfrytëzojë 400 mijë euro për blerje direkte të veprave të artit. Kjo u mundësia nga vendimi i marrë në nëntor të vitit 2023 nga asokohe ministri i Kulturës, tash ministër në detyrë, Hajrulla Çeku. Por GKK-ja nuk shfrytëzoi asnjë cent. 

Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, KOHA nga Galeria Kombëtare e Kosovës ka marrë vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit për blerjen e veprave, Raportin e Komisionit, si dhe atë që titullohet “Raport dhe planprogram për përvetësimin e veprave për Koleksionin e GKK-së”, i përpiluar nga anëtarët e Këshillit Drejtues të institucionit. Ka marrë përgjigje prej Komisionit, Këshillit Drejtues të GKK-së e prej disa artistëve. Dokumentet nxjerrin në pah përpilime kaotike, shkarje jo të vogla sa u përket vendimeve të marra e po ashtu edhe planifikime të bëra në fund të një procesi, nëpërmjet të cilave synohet njëfarë kthimi prapa për të njëjtën punë.