Qeveria e Kosovës ka ardhur në përfundim se Ministrisë së Kulturës duhet t’i zvogëlohet buxheti për hiç më pak se 6 milionë euro. Këtë e ka zyrtarizuar duke miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit. Buxheti u është shkurtuar projekteve kapitale në kulturë e trashëgimi kulturore. Po ashtu më pak sesa në fillim të vitit është paraparë edhe për skenën e pavarur kulturore.
Projektligji i miratuar të mërkurën në Qeveri, i cili do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Kosovës, përcakton fiks 5 milionë e 934 mijë e 570 euro më pak për institucionin më të lartë kulturor në vend. Përderisa në fillim të vitit për MKRS-në ishin ndarë 44 milionë e 176 mijë e 109 euro, Qeveria në rishikim të buxhetit ka vendosur që shuma për sivjet të jetë 38 milionë e 241 mijë e 539 euro.
Përgjysmimi i mjeteve për investime kapitale
Trashëgimia kulturore do të ketë 1.6 milionë euro më pak. Në mars të këtij viti, kur ishte miratuar buxheti i sivjetshëm, ishin përcaktuar 7.1 milionë euro për këtë fushë. E me Projektligj ajo shifër është zëvendësuar me 5.4 milionë.
Më të dëmtuarat janë investimet kapitale në trashëgimi kulturore. Ishin paraparë 4.2 milionë euro e janë vetëm 2.8 milionë euro. Qeveria ka vendosur që të jenë 1.4 milionë më pak. Numri i projekteve nuk është prekur shumë. Ishin 70 e janë bërë 69 projekte kapitale. Por shumicës u është zbritur buxheti. Madje deri në 50 për qind.
Sa u përket subvencioneve dhe tranfereve në trashëgimi, shifra e fillimvitit nuk është prekur. Ka ngelur 1.1 milionë. Në këtë sektor rritje ka vetëm te buxheti për mallra dhe shërbime. Nga 376 mijë euro që ishte, janë bërë 633 mijë euro.
Në shifrat totale, sektorit të kulturës i është rritur buxheti. Nga 7.2 milionë është bërë 8.7 milionë euro. Por kanë pësuar projektet kapitale për 658 mijë e 547 euro. Në fillimvit ishte përcaktuar që investimet kapitale në këtë fushë të jenë 3.4 milionë. E me rishikim, Qeveria i ka parë të arsyeshme vetëm 2.7 milionë euro. Kanë qenë dhe ngelin 21 projekte. Por është zbritur buxheti i shumicës prej tyre.
Rritje për institucionet kulturore, zbritje për skenën e pavarur
Shifrat janë rritur te subvencionet e transferet e kulturës institucionale për 1.2 milionë euro. Buxheti i Qeverisë së kaluar përcaktonte vetëm 2 milionë e 85 mijë euro në këtë kategori. Rritje ka edhe te mallrat e shërbimet. Ishin vetëm 45 mijë euro, kurse tash janë 249 mijë euro. Rritje e ndjeshme është bërë te pagat dhe shtesat. Nga 1.7 milionë euro duke llogaritur 258 veta si punonjës të kulturës institucionale, janë paraparë 567 mijë euro më shumë. Tash llogariten 365 veta në punë.
Ministria e Kulturës në fillim të këtij viti ka paguar borxhe të organizatave të pavarura kulturore. Ishin obligime të vitit të kaluar. Tash kriza është thelluar. Me gjithë borxhet, përkrahja për kulturën e pavarur është zbritur për 100 mijë euro. Përderisa në fillimvit ishin 1 milion e 337 mijë e 851 euro, tash janë 1 milion e 237 mijë e 851 euro. Ministria e Kulturës ende nuk ka publikuar vlerësimet për projektet e skenës së pavarur kulturore që do të përkrahen për sivjet. Janë mbi 700 projekte që janë dorëzuar në konkursin publik.
Gazeta pasditen e së enjtes i ka adresuar pyetje ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Por ajo nuk është përgjigjur.