Kulturë

Rishikimi e shpëton kulturën nga zbritja e buxhetit

Përderisa para gati dy javësh, skena e pavarur kulturore u godit me zbritje buxheti për gati 600 mijë euro, bazuar në listat e projekteve fituese, me Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2021 rikthen shpresat për më shumë mjete në kulturë. Ani pse buxheti i Ministrisë së Kulturës në total, projektohet të zbritet për më shumë se 700 mijë euro, skena e institucionet kulturore nuk preken. Përkundrazi, në disa linja ka rritje të lehta

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit planifikon që sivjet buxheti për kulturën dhe trashëgiminë kulturore të jetë pak më i lartë sesa që ishte paraparë në fillimvit. Nëpërmjet rishikimit të buxhetit institucioni më i lartë kulturor në vend ka paraparë që trashëgimia kulturore në total të ketë 533 mijë euro më shumë, kurse kultura, 152 mijë euro më shumë. Planet e MKRS-së sipas Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2021 janë që rritje të buxhetit të ketë edhe për skenën e pavarur kulturore.

Projektligji që ka kaluar në Qeverinë e Kosovës pret miratimin në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga planeve të MKRS-së sa i përket buxhetit për pjesën e mbetur të këtij viti.

Institucioni më i lartë kulturor në vend në total do të ketë buxhet më të vogël sesa ishte paraparë në fillim të vitit. Ishin 36 milionë e 203 mijë euro, kurse sipas Projektligjit, do të jenë 35 milionë e 475 mijë euro. Janë fiks 727 mijë euro në pak. Por në anën tjetër, trashëgimia kulturore ka përfituar. Nga 6 milionë e 700 mijë euro, do të ketë 7 milionë e 251 mijë euro. Janë 533 mijë euro më shumë. Prej tyre me 100 mijë euro u është rritur buxheti i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Kurse sa u përket subvencioneve dhe transfereve në këtë fushë, ato janë zbritur për 554 mijë euro. E zbritja është më e lehtë te projektet kapitale në trashëgimi kulturore. Shumës prej 4 milionë e 39 mijë eurosh që ishte paraparë i janë hequr vetëm 47 mijë euro. Ministria e Kulturës ka vazhduar të planifikojë buxhet për projektet kapitale që tash e disa vjet rrinë në tablat e ligjeve të buxhetit. Bile, janë shtuar edhe 6 të reja. Nga 61 janë bërë 67.

Muzeu i Historisë së Natyrës është projekti që ka marrë shumën me të madhe. Janë 450 mijë euro për këtë projekt në implementimin e të cilit nuk është punuar fare vitin e kaluar e as sivjet.

Kultura ka përfituar nga Projektligji që do ta ridefinojë buxhetin për këtë vit. Në total ky sektor do të ketë 152 mijë euro më shumë nga 8 milionë e 936 mijë euro sa ishin në fillimvit. Subvencionet në këtë fushë kanë shënuar rritje me 55 mijë euro e projekteve kapitale u janë hequr gati gjysmë milioni euro. Nga 1 milion e 943 mijë euro sa ishin, do të jenë 1 milion e 449 mijë. Por, gjërat kanë ndërruar pozitivisht te subvencionet e skenës së pavarur kulturore që në projektligj figurojnë si “përkrahje të kulturës”.

Nga 1 milion e 954 mijë euro që ishin, janë paraparë 2 milionë e 332 mijë euro. Janë fiks 378 mijë euro më shumë.

Por, pavarësisht këtij planifikimi, skena e pavarur kulturore muajin e kaluar ka marrë një goditje nga Ministria e Kulturës. Vitin e kaluar me 1.5 milion euro janë përkrahur 442 projekte. Sivjet në total, sipas listës së publikuar para gati dy javësh, për këtë vit projektet kulturore kanë 614 mijë euro më pak. Kurse si numër sivjet janë përkrahur fiks 184 projekte më pak. Komuniteti artistik ka pasur pritje që mbështetja për atë që njihet si kulturë e pavarur të jetë më e madhe. Publikimi i listës kishte nxitur reagime.

Ministria e Kulturës më pas ka nxjerrë një listë arsyetimesh për zbritjen e shumës. Listës si prin ndarja e buxhetit për bienalen nomade evropiane “Manifesta”, që vitin tjetër do të mbahet në Prishtinë. Për edicionin e 14-të të ngjarjes më të madhe kulturore, nikoqire e së cilës është Prishtina, MKRS-ja ka treguar se sivjet ka ndarë 700 mijë euro.

Në komunikatë MKRS-ja kishte thënë se rreth 150 mijë euro i janë dedikuar pjesëmarrjes së Kosovës në Bienalen e Venecias. MKRS-ja kishte treguar se 163 mijë euro janë ndarë për të përkrahur librin, ndërsa 35 mijë të tjera për pjesëmarrje në programin “Europa Kreative”.

“Në rishikim të buxhetit kemi propozuar shumën shtesë prej 78,000 eurosh dhe ky buxhet shtesë bashkë me pjesën e pashpenzuar deri tani do të ndahen përmes thirrjes së ardhshme publike gjatë pjesës së dytë të vitit”, shkruhej në njoftim.

Sa u përket institucioneve të kulturës shifrat nuk kanë lëvizur. Në disa raste ka edhe rritje të vogla. Dallimi i vetëm është se në vend të subvencioneve një pjesë e mjeteve ka kaluar në kategorinë e “mallrave dhe shërbimeve” të institucioneve.

“Me këto informata jozyrtare jemi të kënaqur me ndarjen e buxhetit e sidomos që tashmë kemi mjete në ‘mallra e shërbime’ duke marrë parasysh që përgjatë viteve kemi pasur buxhet tejet të vogël, e në fillim të vitit 2021 nuk kishim asnjë cent në këtë kategori të shpenzimeve”, ka thënë Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. BKK-ja, sipas Projektligjit, ka 148 mijë euro për mallra dhe shërbime e 96 mijë si subvencione.

“Tash mbetet të shihet se a do të ndodhë pavarësimi financiar në kuptimin e plotë që të mos i kemi prapë problemet e njëjta me vonesa të mëdha të pagesave siç kanë ndodhur tash e tre vjet”, ka thënë ai. Sipas Musollit, çështje tjetër urgjente është të gjendet mënyra e furnizimit me materialet e nevojshme për realizimin e një projekti.

I kënaqur me rishikimin e buxhetit ka thënë të jetë edhe Shefqet Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”.

“Jemi shumë të kënaqur me riplanifikimin e buxhetit”, ka thënë ai. “Shota” ka 172 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 78 mijë të tjera për subvencione. Rritje të buxhetit do të ketë Qendra kinematografike e Kosovës. Nga 765 mijë euro si subvencione, ky institucion do të ketë 924 mijë. Janë fiks 158 mijë më shumë. Por, QKK-ja numëron mbi 1 milion euro borxh të trashëguar nga vitet 2018 dhe 2019.


Ministria paraqet si arritje projektet e nisura më herët

Ministria e Kulturës për 100 ditët e qeverisjes ka prezantuar projekte që kanë qenë të nisura më herët, e po ashtu edhe nisma që janë vetëm ide. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës javën e kaluar kur është bërë raportimi për arritjet e 100 ditëve të para, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka prezantuar raportin e punës së institucionit që udhëheq.

“Fillimi i procesit të reformimit administrativ të reformimit administrativ të institucioneve kombëtare të kulturës për autonomi financiare”, është paraqitur si e arritur. Kodet buxhetore janë futur në Ligjin për buxhet nga qeveria e kaluar. Institucioneve kulturore u mungojnë zyrtarët që mund të menaxhojnë funksionimin e institucioneve duke përdorur kodet buxhetore. MKRS-ja i ka bërë një shkresë Ministrisë së Financave duke i ofruar shembuj të funksionimit. Shembull është marrë Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Por, ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje dhe institucionet kanë pagesa të pakryera qysh nga dhjetori i vitit të kaluar.

“Është themeluar grupi punues që do të hartojë programin shtetëror për të nderuar veprimtarinë e aktorit Bekim Fehmiu ndërsa veprimtaria e instrumentistit Shaqir Hoti është duke u dokumentuar”, shkruhet te të arriturat e MKRS-së. Përmendet përmirësimi i infrastrukturës së institucioneve kombëtare të kulturës. Rinovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka nisur para se të vijë në pushtet përbërja aktuale e Qeverisë. Në institucionet tjera nuk kanë nisur rinovime. E si e arritur përmendet edhe hartimi i koncept-dokumentit për Ligjin e kulturës.

Te trashëgimia kulturore përmendet plotësimi i kornizës ligjore për mbrojtjen dhe rregullimin e statusit të mbrojtjes së përhershme për asetet e trashëgimisë kulturore. “Janë identifikuar 200 asete të trashëgimisë kulturore në rrezik, do të ndërmarrim masat mbrojtëse për parandalimin e dëmtimit të mëtejmë”, shkruhet në raportin e të arriturave. Asetet në rrezik ka vite që janë identifikuar nga institucionet dhe organizatat joqeveritare. Bashkëpunimet me programet e Bashkimit Evropian për investime në asetet të trashëgimisë kulturore janë po ashtu të paraqitura si rezultate.