EXPRESS

Artistët zhgënjehen me zbritjen e buxhetit për MKRS-në

Artistët kot kanë pritur që të përfitojnë nga buxheti shtesë prej pesë milionë eurosh nga pakoja emergjente.

Buxheti i kulturës tash ka pësuar edhe goditjen e radhës. Jo që nuk do të marrin mjetet që u premtuan në mars, por Ministrisë së Kulturës tash i është projektuar zbritja e buxhetit për 6 milionë euro.

Kështu është paraparë me rishikimin e buxhetit për këtë vit.

Me projektligjin për plotësim-ndryshim mbi ndarjet buxhetore për 2020-n, i cili ka kaluar në Qeveri nga 44.1 milionë euro sa ishin në fillim është paraparë të jenë 38.2 milionë euro.

Trashëgimia kulturore do të ketë 1.6 milion euro më pak krahasuar me shifrën e buxhetit që u miratua në fillim të marsit. Më të dëmtuarat janë investimet kapitale në trashëgimi kulturore, ku ishin paraparë 4.2 milionë euro, e janë vetëm 2.8 milionë euro.

E projektet kapitale të kulturës kanë pësuar rënie prej 658 mijë e 547 eurosh.

Shifrat janë rritur te subvencionet e transferet e kulturës institucionale për 1.2 milion euro, ndërsa përkrahja për skenën e pavarur është zbritur për 100 mijë euro.

Me shumë zhgënjim e kanë pritur lajmin pjesëtarët e komunitetit artistik.

Ministria e Kulturës nuk ka pranuar të deklarohet pa kaluar ky projektligj në Kuvend, pasi që deri atëherë mund të pësojë ndryshime.

Qeveria zakonisht ka shkurtuar buxhetin e MKRS-së edhe pa rishikim të buxhetit. Kështu kishte ndodhur në nëntor të vitit 2019, kur përmes dy vendimeve, ishin marrë mjetet e mbi 20 projekteve të trashëgimisë kulturore.