Kulturë

Ministrisë së Kulturës i projektohet zbritje buxheti për 9.2 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se kulturës, rinisë dhe sportit për vitin e ardhshëm u mjaftojnë shumë më pak sesa sivjet. Këtë e ka bërë kur ka projektuar financat e shtetit për vitin 2021. Sipas Projektligjit për ndarjet buxhetore të vitit që vjen, Ministria e Kulturës do të ketë fiks 9 milionë e 270 mijë euro më pak sesa kishte në dispozicion për sivjet. Projektligji i cili tashmë është dërguar në Kuvend përcakton se Ministria e Kulturës do të ketë 34 milionë e 905 mijë euro buxhet për vitin e ardhshëm. Në anën tjetër, ekzekutivi planifikon që shteti nga 2.3 miliardë euro, sa ishin projektuar sivjet, për vitin e ardhshëm të ketë 2.4 miliardë euro.

Goditja e radhës për kulturën e trashëgiminë kulturore

Shkurtimi i financave të MKRS-së nga kjo Qeveri kishte nisur me të marrë mandatin. Në qershor të këtij viti gjatë rishikimit të buxhetit, Qeveria aktuale kishte ardhur në përfundim se MKRS-së duhej zbrazur kuleta për 6 milionë euro.

Shifrat e renditura në Projektligjin të cilin Qeveria e ka miratuar javën e kaluar, tregojnë se vitin e ardhshëm do të pësojnë sektori i kulturës dhe ai i trashëgimisë kulturore. Goditet buxheti për projektet kapitale në kulturë. E shpresa më të vogla për financim nga shteti do të kenë edhe bartësit e asaj që njihet si kultura e pavarur. Krejt çfarë mund të shihet pozitive në Projektligjin për buxhetin e vitit që vjen janë kodet e veçanta për institucionet e kulturës dhe ato të trashëgimisë kulturore.

Kultura në total sivjet kishte 9 milionë e 714 mijë euro. Por për vitin që vjen i janë planifikuar 8 milion e 936 mijë euro. I bie të jenë 777 mijë euro më pak. Por dallimi thellohet brenda kategorive të këtij sektori. Goditja më e madhe u është bërë investimeve kapitale. Për projekte MKRS-ja do të ketë 1 milion e 457 mijë euro më pak. Kësisoj nga 3.4 milionë do të jenë 1 milion e 943 mijë euro. Numri i projekteve kapitale në kulturë është zbritur nga 21 në 18. Janë kryesisht projekte të cilat Ministria ndër vite i riciklon si teatri i operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”, Muzeu i Artit Bashkëkohor, rinovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” e projekte të tjera.

Buxheti i kulturës institucionale është rritur për 516 mijë euro, duke shkuar në 2.1 milionë. Por kanë pësuar fondet për kulturën e pavarur duke u zbritur për 131 mijë euro.

Sa i përket trashëgimisë kulturore, Qeveria ka planifikuar që të mos e prekë shumë në buxhet. Por sikurse në sektorët e tjerë, planet janë për zbritje të buxhetit. Si kategori më vete trashëgimia kulturore për këtë vit kishte 7.1 milionë e për vitin që vjen do të ketë 6.7 milionë. Janë 382 mijë euro më pak. Prej tyre, 188 më pak janë ndarë për investimet kapitale. Nga 4.2 milionë euro që kishte për këtë vit, kjo kategori do të ketë vetëm 4 milionë euro.

Edhe sa i përket trashëgimisë kulturore Ministria e Kulturës ka ricikluar shumicën e projekteve të viteve të kaluara. Nga 70 projekte kapitale që ishin paraparë sivjet, numri ka rënë në 61 për vitin e ardhshëm. Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, ajo e Hynilerëve në Prishtinë, disa kulla të Dukagjinit, Qendra Historike e Prizrenit dhe ajo e Prishtinës janë midis projekteve kapitale të Ministrisë së Kulturës. Këtu përfshihet edhe Muzeu i Historisë së Natyrës që ka nisur së ndërtuari vitin e kaluar.

Të mërkurën gazeta i ka adresuar pyetje ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, sa u përket planeve të Qeverisë për zbritje të buxhetit të MKRS-së. Por Dumoshi nuk është përgjigjur.

Por në këndvështrimin e artistëve të pavarur qasja e Qeverisë është krejtësisht jashtë pritjeve.

Zhgënjimi i radhës i artistëve që pritën dyfishim për shkak të pandemisë

“Lajm shumë i mirë për kulturën në Kosovë. Madje, them se buxheti do të duhej të ishte edhe më i vogël. E për të kursyer, do të propozoja mbylljen e, ta zëmë, Teatrit Kombëtar apo edhe të Galerisë Kombëtare”, ka ironizuar dramaturgu Jeton Neziraj. Ai e ka vazhduar ironinë duke thënë se “rritja e buxhetit është e rrezikshme, u jep shpresa të rreme krijuesve dhe artistëve kosovarë”.

“Prandaj, zbritja e buxhetit ka kuptim dhe shpresoj ua hap sytë njerëzve, që më në fund duhet ta kuptojnë, qe ky vend e urren kulturën, ky shtet kulturën e konsideron barrë. Mendoj që kemi pasur shpresa të rreme se një Qeveri e LDK-së do ta kthejë vëmendjen kah kultura. E turpshme, qe në një kohë kur krijuesit kanë nevojë më së shumti për mbështetje, Qeveria e ul buxhetin për kulturën”, ka thënë ai.

Florent Mehmeti, i cili e menaxhon teatrin “Oda”, ka thënë se shteti ende nuk ka arritur që ta shohë kulturën si sektor të zhvillimit, por vetëm si harxhim.

“Nuk e thonë kështu, por e konsiderojnë luks. E shohin si një shtëpi që ka një veturë të shtrenjtë e kur ka krizë vendosin që ta heqin atë veturë”, ka thënë ai. Sipas tij, problem nuk është vetëm planifikimi. Ka thënë se ka shumë të meta edhe te ndikimi që kanë mjetet e parapara gjatë implementimit.

“Nuk është fer kur parashikohet rritje e buxhetit të mos bëhet edhe për kulturë. Duhet ofruar njëpërqindëshit që është një masë kudo në Evropë. Është qasje e koncepteve dhe mënyrës se si shihet kultura”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, në kohën kur kultura është sektori më i dëmtuar, vendoset që t’i shkurtohet buxheti.

“Është dashur që buxheti i kulturës së pavarur të dyfishohet shkaku i pandemisë. Një përqindje e vogël e mjeteve të kulturës së pavarur shkon në vendin që duhet. Pjesa më e madhe shkon me logjikën për të gjithë nga pak. Kështu i bie që impakti të jetë edhe më i vogël”, ka thënë ai.