Profesori në Universitetin e Dublinit, Gëzim Visoka, ka thënë se njohja nga Siria mund të shërbejë si moment për të nxitur njohje edhe nga katër shtete të tjera për Kosovën.
Sipas tij, momentumi i hapur në botën arabe mund të nxisë njohje nga Libani, Iraku por edhe Azerbajxhani e Armenia, që sipas tij, kanë ndërruar kahe strategjike.
“Momentumi i hapur në botën arabe mund të nxitë njohjen e ardhshme nga Libani, Iraku dhe ka mundësi që të lëvizin edhe Azerbajxhani dhe Armenia. Këto janë katër vende që kanë pësuar ndryshime dhe kanë ndërruar kahen strategjike. Çështja tjetër është që të mundohemi t’i rikthejmë ose t’i fuqizojmë njohjet që Serbia ka aluduar se i ka tërhequr në të kaluarën. Azerbajxhani nuk ka arsye për të vonuar njohjen e Kosovës”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Ndërkaq reagimi jo të ashpër në Serbi, siç ndodh zakonisht kur bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, Visoka e ka parë si frikë të brendshme.
“Arsyeja pse nuk ka një reagim të zëshëm nga MPJ-ja serbe ka të bëjë me frikën se nëse i japin lajm apo jehonë këtij vendimi të Sirisë, do të shpërthejë tutje revolta qytetare dhe qëllimi i tyre është ta mbajnë në nivel të ulët dhe ta kalojnë pa bërë shumë zhurmë. Në këtë fundjavë pritet protestë e madhe në Serbi dhe çdo njohje e Kosovës shihet si disfatë atje”, ka thënë ai.
Visoka ka thënë se për Kosovën më marrëdhëniet me Serbinë s’janë kyçe si më herët. Sipas tij, tani duhet të ketë ndryshim të qasjes, me presion e koordinim të duhur diplomatik.
Një ditë më parë, Siria u bë shteti i 120-të që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ishte njohja e tretë sivjet, pas Sudanit dhe Kenias.