Ministria e Kulturës nëpërmjet përsëritjes së konkursit është vënë prapë në kërkim të kandidatëve për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për institucionin që është tash e dy vjet pa drejtor, konkursi i ri është publikuar të premten.
Hapja e konkursit të ri – në të cilin afati i konkurrimit është prej 8 deri më 22 janar – është bërë në të njëjtën javë në të cilën MKRS-ja ka anuluar konkursin paraprak, të dytin me radhë.
Aktorët Kushtrim Sheremeti dhe Blerim Krasniqi i kishin plotësuar kushtet sipas kritereve të MKRS-së, përderisa regjisori Kushtrim Mehmeti dhe aktori Xhemail Agaj kanë dalë se nuk i kanë përmbushur kërkesat e konkursit. Për këtë arsye Ministria e Kulturës të martën e javës së kaluar kishte bërë të ditur se konkursi i hapur në tetor është anuluar.
Sipas konkursit, ai që ia mësyn të bëhet drejtor i përgjithshëm i TKK-së duhet të kenë shtatë vjet përvojë pune profesionale e katër prej tyre në pozitë drejtuese. I njëjti kriter është edhe në konkursin e ri.
Kushtrim Mehmeti dhe Xhemajl Agaj del të mos e kenë plotësuar përvojën e kërkuar të punës pas diplomimit. Këtë e kanë konfirmuar në Ministrinë e Kulturës. Se nuk janë të paktën tre kandidatë që i plotësojnë kushtet është njoftuar edhe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
TKK-ja është afër vitit të dytë pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.
Deri në nëntor të vitit 2020 nuk u hap konkursi fare. Më pas, në mars të këtij viti, zyrtari ministror e regjisor Naser Shatrolli qe zgjedhur drejtor. Në prill Ministria e Kulturës erdhi në përfundim se procesi nëpërmjet të të cilit qe zgjedhur Shatrolli drejtor nuk ishte në përputhje me ligjin. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces.
Aktualisht MKRS-ja nëpërmjet konkursit është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në. Institucioni më i lartë teatror në vend nuk ka udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019. Fatos Berisha qe zgjedhur, por nuk e kishte pranuar detyrën. Konkursi tjetër për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës po ashtu është në prag të dështimit. Ky institucion është pa drejtor qysh prej gushtit të vitit 2020, kur Arta Agani kishte përfunduar mandatin. Për konkursin për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës ka përfunduar periudha e aplikimit, pritet që të nisë procesi i vlerësimit.
Një prej arsyeve të dështimit të konkurseve llogaritet të jetë edhe paga e drejtorëve që varësisht nga përvoja e punës është rreth 600 euro bruto. Qeveria është duke punuar në Projektligjin për paga dhe Ministria e Kulturës ka kërkuar që paga e drejtuesve institucionalë të kulturës e trashëgimisë kulturore të jetë ekuivalente me ato të profesorëve e të rektorëve të universiteteve publike, që shkon mbi 2000 mijë euro.