Kulturë

Aktori Kushtrim Sheremeti, drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Aktori Kushtrim Sheremeti është zgjedhur për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky është epilogu i sagës për pozitën kryesore në institucionin teatror duke lënë prapa një seri konkursesh të dështuara, me anulime e rishpallje. KOHA ka marrë vesh se Sheremeti është vlerësuar me më së shumti pikë nga Këshilli Drejtues i TKK-së. Ministria e Kulturës, deri të mërkurën vonë, nuk e ka bërë publik vendimin.

Ka qenë konkursi i tretë për drejtor të TKK-së brenda një periudhe prej dy vjetësh. Në garë ishin pesë kandidatë. Këtë pozitë e kishin synuar edhe aktorët Vlora Merovci-Berisha e Avni Dalipi, që kishin “debutuar” në këtë garë, e konkurrentë të serishëm, pos Sherementit, kanë qenë edhe Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi. Aktorja Vlora Merovci nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit.

Këshilli Drejtues i TKK-së ka në përbërje: Shkurtë Aliun, Armend Smajlin, Ben Apollonin, Gresa Pallaskën, Rebeka Qenën, Visare Aliun dhe Brikena Mulliqit.

Ani pse ka marrë më së shumti pikë, Sheremeti i kontaktuar nga KOHA, të mërkurën nuk ka pranuar të shpalosë planet e tij në krye të TKK-së, me arsyetimin se këtë do ta bëjë kur të përfundojë i gjithë procesi i emërimit të tij.

Në konkursin paraprak, mungesa e kandidatëve – që gjuha administrative i quan të përgjegjshëm – kishte çuar në anulim të procesit.

Aktorët Sheremeti dhe Krasniqi i kishin plotësuar kushtet sipas kritereve të MKRS-së, përderisa regjisori Kushtrim Mehmeti dhe aktori Xhemail Agaj kishin dalë se nuk i kanë përmbushur kërkesat e konkursit.

TKK-ja tashmë ka bërë dy vjet pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.

Deri në dhjetor të atij viti nuk u hap konkurs fare. Më 27 dhjetor ishte hapur konkursi, i cili ofronte mundësinë e kandidimit deri më 10 janar 2021. Në mars punonjësi i MKRS-së, Naser Shatrolli, u bë drejtor. Fiks dy muaj më vonë, më 12 maj 2021, u anulua krejt procedura. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Konkursi i radhës që u anulua qëndroi i hapur për dy javë, prej 13 deri më 27 nëntor 2021. E i fundit qe i hapur prej 8 janarit deri më 22 janar të këtij viti.

Aktualisht MKRS-ja nëpërmjet konkursit është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në. Institucioni më i lartë teatror në vend nuk ka udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019. Fatos Berisha qe zgjedhur, por nuk e kishte pranuar detyrën.