Kulturë

Përplasje e politikë për drejtorin e Teatrit në proces

Edhe kapitulli i radhës për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës zor t’u shpëtojë përfshirjes e akuzave që vijnë prej politikës. Përderisa Kushtrim Sheremeti është kandidati që ka marrë më së shumti pikë për këtë pozitë, dhe emërimi është çështje procedurale, në ditën kur Ministria e Kulturës njoftoi për të “si kandidat i suksesshëm” fill pas nisjes së debatit, doli edhe me një njoftim se procesi nuk ka përfunduar. Për njerëz të teatrit MKRS-ja është para testit nëse dëshiron të bjerë pre e militantëve partiakë dhe thirrjeve të tyre apo ta përmbyllë këtë proces

Ka mjaftuar njoftimi i Ministrisë së Kulturës se aktori Kushtrim Sheremeti është kandidati i suksesshëm për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës që të shpërthejnë edhe akuzat se ai nuk është i duhuri. Nëpër rrjete sociale, diskursi është kryesisht politik, nga anëtarë të partisë në pushtet ka pasur të ashtuquajtura distancime prej përzgjedhjes, e Ministria e Kulturës ka shpejtuar të sqarojë se “procesi ende nuk ka përfunduar”. Aktorit që është nisur drejt postit të kreut të institucionit më të lartë teatror në vend, i janë “nxjerrë nga arkivi” edhe sharje që dikur ia bënte VV-së a militantëve të saj.

Aktori Sheremeti është vlerësuar me më së shumti pikë nga Këshilli Drejtues i TKK-së në konkursin në të cilin këtë pozitë e kishin synuar edhe katër kandidatë të tjerë. Sipas procedurave, emrin e tij, Këshilli Drejtues ia propozon ministrit të Kulturës, i cili e zyrtarizon emërimin.

MKRS-ja të premten pasi ka njoftuar se ai është kandidati i suksesshëm, fill pasi kanë nisur debatet, ka dalë me njoftim se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar dhe se do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, që është një muaj.

Aktori Sheremeti nuk ka pranuar të prononcohet as të premten me arsyetimin se pret që të përfundojë procesi.

Pos Sheremetit, për drejtor të TKK-së kishin konkurruar edhe aktorët Vlora Merovci-Berisha e Avni Dalipi, që kishin “debutuar” në këtë garë, e konkurrentë të sërishëm, njashtu sikurse Sheremeti, kanë qenë edhe Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi. Aktorja Vlora Merovci nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit. Me pikë, pas aktorit të lindur më 1980, qenë ranguar kolegët e tij Avni Dalipi, Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi.

Vlerësimet janë bërë prej Këshillit Drejtues të TKK-së në përbërje të Shkurtë Aliut, Armend Smajlit, Ben Apollonit, Gresa Pallaskës, Rebeka Qenës, Visare Aliut dhe Brikena Mulliqit.

Në krejt këtë situatë dhe akuzat që janë nisur, së paku administrata e MKRS-së, deklarativisht ka mbajtur distancë. Në një përgjigje për KOHËN ka shkruar se “kandidati ka dalë i pari në vlerësime dhe nuk e paragjykojnë procesin”.

“Do të respektohet procedura siç e kemi obligim ligjor, dhe do të përfundojë afati i ankesave. Siç nuk e paragjykojmë procesin, nuk i paragjykojmë as ankesat”, thuhet në përgjigjen e administratës së Ministrisë së Kulturës.

I habitshëm për dramaturgun Jeton Neziraj ka qenë njoftimi i MKRS-së se “procesi nuk ka përfunduar”. “Çka po paralajmërojnë? Kisha me thanë: asgjë, sall pasigurinë e vet, e cila i ka shoqëru prej fillimit. Por ndoshta edhe jo! Ndoshta është përnime edhe paralajmërim, kërcënim”, ka shkruar ndër të tjera Neziraj në profilin e tij në Facebook. Autori i dhjetëra dramave të inskenuara edhe nëpër skena botërore, në një përgjigje për KOHËN, e ka komentuar procesin për drejtor të Teatrit e debatin që ka nisur.

“Ky është një test i vërtetë për Ministrinë e Kulturës nëse dëshiron të bjerë pre e militantëve partiakë dhe thirrjeve të tyre për ‘rënie kokash’, apo thjesht, të përfillë rregullat fer dhe t’i vërë kapak një procesi, edhe ashtu të komplikuar”, ka thënë Neziraj, prej vitit 2008 deri në gushtin e vitit 2011 udhëheqës artistik i TKK-së, i shkarkuar nga asokohe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Zgjedhja e udhëheqësve të TKK-së asnjëherë deri më tani nuk ka kaluar pa zvarritje e pa përfshirjen e thellë të politikës në krejt procesin. Gjithherë qe shoqëruar me akuza. Njësoj del të ngjajë edhe tash. Dhe dramaturgu Neziraj nuk duket optimist për të kundërtën.

“Kam frikë që kjo Ministri s’e ka kapacitetin të veprojë përtej thirrjeve të kokave të nxehura të militantëve – e kjo është – do të ishte për keqardhje”, ka thënë Neziraj në përgjigje me shkrim.

Ky ka qenë konkursi i tretë për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës brenda një periudhe prej dy vjetësh. Edhe institucione të tjera kulturore – si Galeria Kombëtare e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës e Qendra Kinematografike – “garojnë” me njëra-tjetrën me zvarritje e periudha pa drejtorë e udhëheqës.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë në pritje. Shoqata Sindikale e TKK-së ka uruar e përgëzuar, ani pse procesi ende nuk ka epilog zyrtar, përkundër faktit që kur emri i kandidatit për drejtor të TKK-së i dërgon ministrit të Kulturës për miratim, është gati se punë e kryer.

“Na vjen mirë që pas dy vjetësh pa drejtor, është përzgjedhur drejtori i ri, mes katër kandidatëve që kanë aplikuar. Cilido që Këshilli Drejtues ka vlerësuar se është kandidati më adekuat për pozitën e drejtorit, besojmë se ka bërë përzgjedhjen e duhur dhe përgëzojmë Këshillin dhe Ministrinë që pas kaq shumë kohësh do ta kemi udhëheqësin e Teatrit”, ka thënë Shkëlzen Veseli, kryetar i Shoqatës Sindikale të TKK-së.

TKK-ja tashmë ka bërë dy vjet pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.

Deri në dhjetor të atij viti nuk u hap konkurs fare. Më 27 dhjetor ishte hapur konkursi, i cili ofronte mundësinë e kandidimit deri më 10 janar 2021. Në mars punonjësi i MKRS-së, Naser Shatrolli, u bë drejtor. Fiks dy muaj më vonë, më 12 maj 2021, u anulua krejt procedura. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Konkursi i radhës që u anulua qëndroi i hapur për dy javë, prej 13 deri më 27 nëntor 2021. E i fundit qe i hapur prej 8 janarit deri më 22 janar të këtij viti.

Aktualisht MKRS-ja nëpërmjet konkursit është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në. Institucioni më i lartë teatror në vend nuk ka udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019. Fatos Berisha qe zgjedhur, por nuk e kishte pranuar detyrën.

Sindikata pret që edhe për këtë pozitë të ketë epilog. “Shpresojmë se do ta kemi edhe udhëheqësin artistik së shpejti, ngase jemi qe dy vjet e gjysmë pa udhëheqës artistik, dhe të mund të dalim nga ngërçi që e ka kapluar Teatrin pa fajin e tij, herë për faj të procedurave e herë për arsye të treta në përzgjedhje të udhëheqësve të institucionit më të lartë kulturor në vend”, ka thënë Veseli.