Me të tretin konkurs brenda dy vjetësh, janë pesë aktorë që synojnë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për dy konkurrentë, ky është kandidimi i tretë e për njërin i dyti. Aktorja Vlora Merovci-Berisha e Avni Dalipi “debutojnë” e sërish garës i kanë hyrë Xhemail Agaj, Blerim Krasniqi e Kushtrim Sheremeti. Prej TKK-së, situatën me drejtor e cilësojnë edhe si kaos
Historia e konkurseve për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës është në kapitullin e radhës në të cilin pesë kandidatë presin të vlerësohen. Në këtë fazë, ende nuk ka siguri nëse do të ketë repriza të tjera me konkurse. Fiks për dy vjet, qenë hapur e anuluar dy konkurse për këtë pozitë. Ky është i treti.
Aktorja Vlora Merovci-Berisha e ka dorëzuar aplikacionin e saj duke ia mësyrë pozitës së drejtoreshës më 20 janar, dy ditë para se të mbyllej konkursi. E një ditë para përfundimit të afatit, dosjet e tyre i kanë dorëzuar aktorët Xhemail Agaj, Avni Dalipi, Blerim Krasniqi e Kushtrim Sheremeti.
Ministrisë së Kulturës i ka mbetur që të vlerësojë nëse i plotësojnë kriteret e konkursit kandidatët e paraqitur në mënyrë që më pas Këshilli Drejtues i TKK-së – në përbërje të Shkurtë Aliut, Armend Smajlit, Ben Apollonit, Gresa Pallaskës, Rebeka Qenës, Visare Aliut dhe Brikena Mulliqit – ta bëjë vlerësimin e tyre.
Në konkursin paraprak, mungesa e kandidatëve – që gjuha administrative i quan të përgjegjshëm – kishte çuar në anulim të procesit.
Aktorët Kushtrim Sheremeti dhe Blerim Krasniqi i kishin plotësuar kushtet sipas kritereve të MKRS-së, përderisa regjisori Kushtrim Mehmeti dhe aktori Xhemail Agaj kishin dalë se nuk i kanë përmbushur kërkesat e konkursit. Sipas konkursit, ai që ia mësyn të bëhet drejtor i përgjithshëm i TKK-së duhet të kenë shtatë vjet përvojë pune profesionale e katër prej tyre në pozitë drejtuese. I njëjti kriter është edhe në konkursin e ri.
Kushtrim Mehmeti dhe Xhemajl Agaj dilte të mos e kenë plotësuar përvojën e kërkuar të punës pas diplomimit.
TKK-ja tashmë ka bërë dy vjet pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.
Deri në dhjetor të atij viti nuk u hap konkurs fare. Më 27 dhjetor ishte hapur konkursi, i cili ofronte mundësinë e kandidimit deri më 10 janar 2021. Në mars punonjësi i MKRS-së, Naser Shatrolli, u bë drejtor. Fiks dy muaj më vonë, më 12 maj 2021, u anulua krejt procedura. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Konkursi i radhës që u anulua qëndroi i hapur për dy javë, prej 13 deri më 27 nëntor 2021.
E i fundit nëpërmjet të cilit pesë veta presin të vlerësohen qe i hapur prej 8 janarit deri më 22 janar të këtij viti.
Aktualisht MKRS-ja nëpërmjet konkursit është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në. Institucioni më i lartë teatror në vend nuk ka udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019. Fatos Berisha qe zgjedhur, por nuk e kishte pranuar detyrën.
Aktori Shkëlzen Veseli, i cili edhe është kryetar i Shoqatës Sindikale të Punonjësve të TKK-së, ka thënë se nga përvojat e mëparshme ky institucion edhe me menaxhment të kompletuar ka pasur probleme të shumta.
“Mirëpo, kaos të tillë si në këto kohët e fundit unë nuk mbaj mend dhe vetëm njerëzit që punojnë brenda më besojnë se çfarë po flas”, ka thënë ai. Sipas Veselit, tash është koha kur në TKK askush nuk i jep llogari askujt.
“Në një çakordim të tillë, atëherë punëtorët e papërgjegjshëm fillojnë edhe ta vjedhin shtëpinë e vet. Këtë informatë e kam nga brenda dhe shpresoj të mos jetë e vërtetë. Për fund, MKRS-ja nuk bën ta luajë shikuesin”, ka thënë ai. Ka shtuar se Shoqata Sindikale mund të jetë partner në detektimin e problemeve, por zgjidhja vjen nga Ministria e Kulturës.
Në fillim të këtij muaji, kur KOHA kishte raportuar për gjendjen jo të mirë në të cilën gjendet Teatri Kombëtar sa i përket realizimit të projekteve e po ashtu edhe infrastrukturës, ish-drejtori i përgjithshëm, Arian Krasniqi, kishte thënë se mungesa e menaxhmentit ka pasojat e veta.
Sipas Krasniqit, hendikepi që e ka shoqëruar TKK-në prej kohësh është zvarritja, përkatësisht anulimet e njëpasnjëshme të konkurseve për drejtor të përgjithshëm e udhëheqës artistik.
“Nga përvojat e mëhershme është dëshmuar se drejtimi i një institucioni nga zëvendësuesit apo ushtruesit e detyrës nuk është i frytshëm dhe nuk jep rezultatet e pritura”, kishte thënë ai.
Këtë muaj është dorëhequr nga pozita e zëvendësuesit të drejtorit Naser Shatrolli. Pas tij dorëheqjen e ka dhënë edhe zëvendësuesi i udhëheqësit artistik, Shefqet Gjocaj.
Një prej arsyeve të dështimit të konkurseve llogaritet të jetë edhe paga e drejtorëve që varësisht nga përvoja e punës është rreth 600 euro bruto. Qeveria është duke punuar në Projektligjin për paga dhe Ministria e Kulturës ka kërkuar që paga e drejtuesve institucionalë të kulturës e trashëgimisë kulturore të jetë ekuivalente me ato të profesorëve e të rektorëve të universiteteve publike, që shkon mbi 2000 mijë euro.
Hapet thirrja për çmimet në fushën e teatrit për vitin 2021
Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen publike për të pranuar propozimet për çmimet që ndan ky institucion në fushën e teatrit. Për një muaj, nga e enjtja mund të propozohen kandidatë për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore, Çmimin vjetor për shfaqjen më të mirë, Çmimin vjetor për regjinë më të mirë, Çmimin vjetor për aktorin/aktoren më të mirë dhe Çmimin vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, sipas thirrjes, u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së teatrit për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e teatrit. Ky çmim mund t’i jepet edhe pas vdekjes së autorit. Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë ndahet për shfaqjen e cila ka treguar sukses të jashtëzakonshëm për nga vlerat, profesionalizmi, shikueshmëria dhe suksesi në prezantimin kombëtar gjatë vitit paraprak. Sipas thirrjes, Çmimi vjetor për regjinë më të mirë i ndahet regjisorit për regjinë kreative, inovative dhe origjinale, në vitin paraprak. “Çmimi vjetor për aktorin/aktoren më të mirë i ndahet aktorit/aktores më të mirë i/e cila ka pasur performancë të shkëlqyeshme gjatë vitit paraprak, në një rol ose disa role teatrore”, shkruhet në thirrje. E Çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar u ndahet produksioneve teatrore për performancën dhe suksesin në prezantimin ndërkombëtar në vitin paraprak.
Vitin e kaluar në çmimet që ishin ndarë për vitin 2020, Enver Petrovci qe nderuar nga Ministria e Kulturës me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore. Një jetë e tërë me artin teatror e filmik, për Petrovcin ishte një histori e refuzimit dhe nënçmimit në vendin e tij. Fakti që këtë çmim ia dhanë në moshën 67-vjeçare, kishte thënë se ia shtonte mëdyshjen për ta refuzuar. Kishte thënë se vendosi që ta merrte atë, duke besuar se koha e vlerave po kthehet me udhëheqjen e re shtetërore.
“Zgjimi i pranverës”, nën regji të Zana Hoxhës, kishte marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë. Blerta Nezirajt i ishte ndarë Çmimi për regjinë më të mirë, për shfaqjen “Kthimi i Karl May”. Çmimi për aktorin më të mirë i është ndarë Armend Smajlit për rolin e Kara Ben Nemsit në po të njëjtën shfaqje. Çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar e kishte marrë Mentor Zymberaj nga shtëpia teatrore “AKT”.
Konkurrimi për çmimet për teatër mund të bëhet personalisht ose përmes propozimit nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, teatrot publike, ato private, fakultetet e arteve dhe shoqatat e kompanitë teatrore.