Për një ditë, atë të 31 dhjetorit Ministria e Kulturës ka nxjerrë tri vendime: Komisioni Disiplinor ka pezulluar Kushtrim Sheremetin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, të njëjtën gjë e ka bërë edhe sekretari i përgjithshëm dhe më pas nëpërmjet një tjetër vendimi udhëheqësja teknike e TKK-së, Rrezarta Basha, është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorit. Po atë ditë, Kushtrim Sheremeti ka paraqitur dorëheqjen – e paralajmëruar zyrtarisht katër ditë më herët – dhe më pas do të njoftonte kolegët e institucionit për vendimin. Krejt kjo ka ndodhur pasi Këshilli Drejtues ka kërkuar inicimin e procedurës disiplinore. Në shkurt, Sheremeti do të përmbyllte mandatin 4-vjeçar
Me alamet drame Kushtrim Sheremeti ia kishte dalë që të ulet në karrigen e drejtuesit të institucionit më të lartë teatror në vend para gati katër vjetësh. Një tjetër dramë është zhvilluar në ditët e fundit të dhjetorit deri me epilogun datës 31 dhjetor kur është pezulluar dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita. Historia e nis me kërkesën e Këshillit Drejtues të TKK-së për ta dërguar në Komision Disiplinor. Më pas vjen njoftimi se Sheremeti do të përballet me këtë Komision, paralajmërimi i tij i menjëhershëm për dorëheqje, pezullimi dhe po atë ditë dorëheqja nga pozita.
Inicimi i procedurës disiplinore
KOHA ka parë të gjitha komunikimet midis palëve. Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, kur Kushtrim Sheremeti ishte zyrtarisht në pushim, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës që kryesohet nga Visare Aliu i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës inicimin e procedurës disiplinore ndaj asokohe drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo, pasi Këshilli konstatonte keqmenaxhim nga ana e tij. I njëjti Këshill edhe në pjesën e parë të vitit të kaluar kishte kërkuar inicim të procedurave dhe Sheremeti ishte përballur me Komisionin Disiplinor. Por ai proces ishte i barabartë me zero. Kërkesa e dhjetorit ka ndikuar që Komisioni Disiplinor të hapë rast të ri për Kushtrim Sheremetin. Për këtë rast, ai është njoftuar më 26 dhjetor. I menjëhershëm ka qenë reagimi i tij.
Paralajmërimi për dorëheqje
“Ju kërkoj që të informoni të gjitha palët, të mos lodhen me procedura dhe me krijime të ngarkesave të panevojshme administrative me këto procedura të cilat nuk janë ndalur përgjatë vitit 2025, sepse që nga ky moment, zyrtarisht paralajmëroj se letrën e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së do ta deponoj në MKRS sapo të kthehem në zyrë pas pushimit zyrtar në të cilin gjendem”, kishte shkruar Sheremeti ku nëpërmjet postës elektronike kishte vënë në dijeni një varg zyrtarësh ministrorë për vendimin që do të merrte pas kthimit nga pushimi. Por te MKRS-ja paralajmërimi për dorëheqje, s’ka çuar peshë. Kushtrim Sheremeti ishte në pushim deri në ditën e fundit të vitit. Pikërisht atë ditë, MKRS-ja ka nxjerrë vendimin për pezullim nga detyra deri në përfundimin e procedurës disiplinore.
Pezullimi nga detyra dhe dorëheqja brenda ditës
“Komisioni Disiplinor konstaton se ekziston bazë e mjaftueshme për aplikimin e masës jodisiplinore të pezullimit të përkohshëm nga puna deri në marrjen e vendimit përfundimtar në procedurë disiplinore për drejtorin e përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës z. Kushtrim Sheremeti, si masë parandaluese kundrejt ushtrimit të përshtatshëm të detyrës së tij”, shkruhet në vendimin e datës 31 dhjetor të vitit të kaluar. Po atë ditë vendim për pezullim të Sheremetit ka nxjerrë edhe sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi. MKRS-ja atë ditë ka emëruar udhëheqësen teknike të TKK-së, Rrezarta Basha – e punësuar në këtë pozitë në qershor të vitit 2024 – në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtorit. Po atë ditë, pasi është pezulluar nga detyra, Kushtrim Sheremeti i ka dërguar MKRS-së letrën e dorëheqjes nëpërmjet postës elektronike. Nuk ishte ndalur me kaq. U ka shkruar edhe kolegëve të TKK-së.
“Po ju shkruaj për herë të fundit nga zyra e drejtorit të përgjithshëm të Tetarit Kombëtar të Kosovës për t’ju falënderuar për bashkëpunimin dhe punën e bërë në tejkalimin e sfidave të mëdha që i kemi kaluar këto vite së bashku! Unë nga data 26 dhjetor 2025 jam tërhequr nga kjo pozitë”, shkruhet në këtë porosi të dërguar nëpërmjet postës elektronike.
“Nuk kisha çfarë të jap më shumë”
Të hënën, Sheremeti i ka thënë KOHËS se është dorëhequr.
“Më datë 26 dhjetor 2025 e kam informuar zyrtarisht Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes emailit për dorëheqjen time. Në rrethana të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira pune, jam krenar për sukseset e arritura në Teatrin Kombëtar të Kosovës gjatë kësaj periudhe. Vendimin për t’u tërhequr e kam marrë që në maj të vitit 2025, por vendosa të qëndroj në detyrë me këmbëngulje që, pavarësisht sfidave, festivali ‘Moisiu’ të organizohej në Prishtinë, gjë që u realizua me shumë sukses”, ka thënë ai. Sipas Sheremetit, ky edicion i festivalit ishte motivi i tij dhe pas realizimit ndihet plotësisht i përmbushur.
“Për periudhën e mbetur nuk kisha çfarë të jap më shumë, andaj kam vendosur të tërhiqem nga pozita. Ky ishte një vendim personal, i mirë-menduar dhe besoj edhe i drejtë. Koha dhe konteksti gjithmonë i qartësojnë gjërat, andaj besoj se detajet janë të parëndësishme në këtë moment. E rëndësishme është mirëqenia dhe suksesi i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dorëheqjen dhe arsyet e saj i kam sqaruar edhe publikisht. Aktualisht jam i përqendruar në punë artistike dhe nuk planifikoj deklarime të tjera”, ka thënë ai prerazi.
Mungesa e bashkëpunimit midis Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të TKK-së e ka sjellë institucion në situatë me shumë telashe. TKK-ja për një kohë të gjatë ka probleme të mëdha.
Më 7 maj të vitit të kaluar ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku e ka emëruar në Këshillin Drejtues të TKK-së në përbërje të Rajmonda Ahmetajt, Visare Aliut, Shkurtë Aliut, Vlora Merovcit, Gresa Pallaskës, Molikë Maxhunit dhe Donika Gashit si përfaqësuese të MKRS-së. Midis tyre janë dy aktiviste aktive të partisë që i takon ministri në detyrë Çeku dhe një ish-aktiviste e po kësaj partie, Lëvizjes Vetëvendosje.
Akuzat për keqmenaxhim
Kur më 16 dhjetor të vitit të kaluar Këshilli Drejtues kërkoi inicimin e Komisionit Disiplinor, renditi disa pika. Sipas Këshillit Drejtues, Kushtrim Sheremeti ka vonuar dërgimin e kërkesave për miratim, gjatë muajit qershor, TKK-ja s’ka pasur repertor, e po ashtu është evidentuar mospërmbushje serioze e obligimeve ndaj bashkëpunëtorëve të jashtëm.
“Një rast tjetër domethënës është dështimi i shfaqjes “Emira”, e cila u ndërpre pesë ditë para premierës për shkak të grevës së një pjese të ansamblit rezident të TKK-së. DP nuk ka treguar vullnet për të gjetur zgjidhje që do të mundësonte kryerjen e obligimeve financiare ndaj ekipit krijues, i cili mbeti pa u kompensuar për punën e kryer deri në ndërprerje”, shkruhet në arsyetime. Midis të tjerash shkruhet se planifikimi i festivalit “Moisiu” është bërë në mënyrë “ad hoc”, pa koordinim të duhur me Këshillin Drejtues dhe pa transparencë në proces.
“Informatën e parë se festivali do të zhvillohej, KD e ka marrë jo nga menaxhmenti, por përmes një postimi në rrjete sociale, çka tregon për mungesë serioze të komunikimit institucional”, shkruhet në arsyetimin e kërkesës për Komision Disiplinor. Më pas janë përmendur një klimë armiqësore dhe joprofesionale, favorizime brenda TKK-së e deri te konstatimi se institucioni është dëmtuar shumë.
Historia e largimit të Kushtrim Sheremetit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së ngjan me zhurmën e madhe që ishte bërë në kohën kur ishte ulur në karrigen e drejtorit.
Zhurma e 2022-s
I zgjedhur më 16 shkurt të vitit 2022, ai nuk e kishte nënshkruar kontratën deri më 5 prill të atij viti. Ai kishte marrë pikë maksimale nga përbërja e atëhershme e Këshillit Drejtues në raport me kundërkandidatët Avni Dalipi, Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi. Aktorja Vlora Merovci – tash anëtare e Këshillit Drejtues –nuk i kishte plotësuar kushtet e konkursit.
TKK-ja asokohe u bë me drejtor pas një zvarritjeje dyvjeçare. Në shkurt të 2022-s kishte mjaftuar lajmi se aktori Kushtrim Sheremeti është kandidati i suksesshëm për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës që të shpërthenin edhe akuzat se ai nuk është i duhuri. Nëpër rrjete sociale, diskursi qe kryesisht politik, e nga anëtarë të partisë në pushtet kishte pasur të ashtuquajtura distancime prej përzgjedhjes.
Gjuhë të ashpër kundër Sheremetit kishte përdorur asokohe deputeti i VV-së, Haki Abazi. Reagimet ishin të shumta nga anëtarë e militantë të partisë që asokohe e edhe tash është në pushtet. E Ministria e Kulturës kishte shpejtuar të sqaronte se procesi nuk kishte marrë epilog.
“Procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar. Këshilli Drejtues i TKK-së ka përfunduar vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit (me shkrim dhe me gojë). Ministria e Kulturës do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm…”, shkruhej në njoftimin e MKRS-së që për shumë artistë ishte i panevojshëm.
Edhe Sheremeti është provuar në politikë si pjesë e Lëvizjes për Bashkim. Ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Diasporës, Valon Murati.
MKRS-së i janë dashur gati dy muaj që të shqyrtojë ankesat e Avni Dalipit dhe të Xhemail Agajt. Dyshja kishte pretenduar që gjatë procesit nuk ishin përfillur rregullat ligjore, por sipas MKRS-së ka ndodhur e kundërta.
Ministria e Kulturës shkaku i reagimeve të partiakëve të vetë ministrit Çeku nuk kishte nënshkruar kontratë me Sheremetin deri në prill duke pritur një moment të përshtatshëm. Kur kishin shpërthyer akuzat për punësime partiake në KEK në prillin e 2022-s MKRS-ja shfrytëzoi rastin për të nënshkruar kontratën me Sheremetin. Sheremeti kishte aplikuar për drejtor të TKK-së edhe më 2020 e edhe më 2008. Në mars të atij viti ai kishte çuar pluhur në raport me procesin që po zhvillohej. Fillimisht nuk ishte ftuar në intervistë për këtë pozitë. Sheremeti kishte ngritur zërin se ishte larguar nga lista qëllimshëm, përderisa Këshilli Drejtues i asaj kohe kishte thënë se në aplikacion nuk kishte paraqitur diplomën. Më pas ishte vendosur që të realizohen intervista dhe kandidatët t’i sillnin diplomat për t’i parë anëtarët e KD-së. Por Sheremeti nuk kishte shkuar fare në intervistë. Për dallim prej tij, gjashtë kandidatët e tjerë – Faik Ispahiu, Hazir Myftari, Xhavit Muçaj, Arian Krasniqi, Emine Toska dhe Qemajl Sokoli – kishin dalë para panelit që drejtohej nga Luan Daka, asokohe kryetar i Këshillit drejtues të TKK-së. Por pas 14 vjetësh Sheremeti ia kishte dalë të ulet në karrigen e drejtorit të TKK-së.