Kulturë

Teatri pa lëvizje pagash, me Këshill të ri Drejtues e me akuza politizimi

Me paga të vjetra e Këshill të ri Drejtues, Teatri Kombëtar i Kosovës është bërë skenë përplasjesh midis strukturave udhëheqëse…

Me paga të vjetra e Këshill të ri Drejtues, Teatri Kombëtar i Kosovës është bërë skenë përplasjesh midis strukturave udhëheqëse…

Shfaqjet teatrore të Teatrit Kombëtar të Kosovës janë dramat që shihen në skenë, por përplasjet janë në prapaskenë e ato janë të zëshme edhe tash, kur premtimi për rritje pagash që pezulloi grevën është ende larg e emërimi i përbërjes së re të Këshillit Drejtues u ka dhënë hov akuzave për shkelje ligji, politizim e shkatërrim të qëllimshëm të Teatrit në njërën anë dhe atyre se dikujt në TKK i pengon kërkimi i përgjegjësisë

Më shumë se tre muaj prej pezullimit të grevës, që kishte zgjatur po kaq kohë, s’ka asnjë lëvizje për plotësimin e kërkesave të stafit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Por veprimet e Ministrisë së Kulturës në raport me Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë vazhduar në drejtime të tjera. Duke qenë deputet e njëkohësisht ministër i Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku ka emëruar Këshillin Drejtues të institucionit më të lartë teatror në vend. Madje Këshilli Drejtues dominohet nga anëtarë e simpatizantë të partisë që i takon ministri në detyrë Çeku, Lëvizjes Vetëvendosje. Këshillat drejtues të TKK-së vazhdimisht kanë pasur në përbërje anëtarë ose njerëz të afërt me partitë politike që kanë udhëhequr Ministrinë e Kulturës. Por tash edhe akuzat për këtë janë të hapura.

Më 19 prill janë betuar deputetët e legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës. Midis tyre edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. E më 7 maj ai ka emëruar në Këshillin Drejtues të TKK-së: Rajmonda Ahmetajn, Visare Aliun, Shkurtë Aliun, Vlora Merovcin, Gresa Pallaskën, Molikë Maxhunin dhe Donika Gashin si përfaqësuese të MKRS-së.

Sipas Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me Ligjin vjetor për buxhetin. Po në këtë ligj – të miratuar në vitin 2022 – përjashtohen disa aktivitete sa i përket Qeverisë në dorëheqje.

“Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse”, shkruhet në pikën e tretë të nenit 31 të këtij ligji. KOHA e ka pyetur Ministrinë e Kulturës se përse edhe pas betimit si deputet ministri në detyrë, Hajrulla Çeku, merr vendime, siç është emërimi i anëtarëve të KD-së së TKK-së. Por, MKRS-ja nuk është përgjigjur dy javë. Pos kësaj, në janar të vitit 2024, në Gazetën Zyrtare është publikuar Ligji për artin dhe kulturën nëpërmjet të cilit këshillat drejtues për institucionet veç e veç shuhen. Sipas Ligjit për artin dhe kulturën, rregulloret që e bëjnë të zbatueshëm këtë ligj është dashur të nxirreshin në afat prej një viti nga hyrja në fuqi e tij. Kjo nuk ka ndodhur.

“Një anarki totale dhe shkatërrim i qëllimshëm i Teatrit”

Aktori i TKK-së, Adrian Morina, ka thënë se vendimi i ministrit në detyrë të Kulturës është në kundërshtim me vetë Ligjin për artin dhe kulturën, i cili është dashur të jetë në zbatim nga fundi i vitit 2024.

“Me atë ligj këshillat drejtues (si kancer i institucioneve të kulturës) shuhen. Kjo është shkelja e parë. Prej asaj qe e kemi lexuar nga mediet, si edhe interpretimet nga ekspertët juridikë në Kosovë, ky emërim është edhe në kundërshtim të plotë duke shkelur edhe Ligjin për Qeverinë. Po ta shoshitim deri në fund, është një mal shkeljesh ligjore. Pra, një anarki totale dhe shkatërrim i qëllimshëm i Teatrit dhe institucioneve të kulturës”, ka thënë ai. Sipas tij, Kjo përbërje e Këshillit Drejtues me urdhër të ministrit Çeku ka mbyllur në mënyrë arbitrare Teatrin duke e zhvendosur në një ambient që nuk i plotëson as kushte minimale të punës.

“Aty s’ka as ajrosje. Pra, ka një angazhim super politik e armiqësor ndaj vetë Teatrit, mungesë komunikimi e injorim të Shoqatës Sindikale, mosadresim e mospërfillje të kërkesave të Shoqatës Sindikale, dërgim të mesazheve kërcënuese për ndalje pagash e dënime nëse greva nuk ndërpritet”, ka thënë ai. Ka përmendur edhe vërejtjet ndaj stafit menaxhues të TKK-së.

“Krejt në fund, shqiptim të masave ndëshkuese dhe shqiptim të vërejtjeve deri në parapërjashtim të drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik me arsyetimin se ‘nuk i kanë detyruar aktorët të punonin gjatë kohës sa kanë qenë në grevë’. Të gjitha këto tregojnë një luftë të hapur ndaj Teatrit Kombëtar e ndaj aktoreve. Andaj nuk pres asnjë hap pozitiv pa ndryshuar qasje nga kushdo që vjen ministër”, ka thënë ai.

Sa i përket përbërjes së Këshillit Drejtues, Morina ka thënë se tashmë është zyrtarizuar diçka.

“Ka vazhduar avazi si në të kaluarën, që në këshilla të emërohen edhe emra politikë. Tani është zyrtarizuar se pa librezë partie nuk mund të jesh në institucione”, ka thënë ai.

MST: “...dikujt mund të mos i pëlqejë kërkimi i përgjegjësisë”

Në përbërjen e Këshillit Drejtues është Shkurtë Aliu, anëtare aktive e Lëvizjes Vetëvendosje. Rajmonda Ahmetaj ka qenë anëtare në këtë parti. Visare Aliu të paktën publikisht përkrah këtë parti e Vlora Merovci ka moderuar disa takime zgjedhore në fushatën e kaluar elektorale. Kurse përfaqësuesja e MKRS-së në Këshill, Donika Gashi, më 2018 ishte anëtarësuar në këtë parti.

Aktorja Rajmonda Ahmetaj ka thënë se nuk beson se të qenit më herët pjesë aktive në VV ka ndikuar në këtë emërim.

“Në fakt, tash e pesë vjet nuk jam aktive në Lëvizje. Kohëve të fundit jam fokusuar kryesisht në punë profesionale, si në përkthimin e dy teksteve dramaturgjike dhe në angazhimet jashtë vendit, ku kam qenë pjesë e një rezidence dhe kam punuar në organizimin e një festivali ndërkombëtar të artit (ImPuls Tanz, AT). Besoj se ka ndikuar përvoja ime në fushën e kulturës në përzgjedhjen time”, ka thënë ajo.

Shkurtë Aliu ka thënë se me profesion është regjisore e teatrit dhe së fundmi është riemëruar si anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit.

“Unë jam kujdesur që të mos ngatërrohen rolet e mia si profesioniste dhe si aktiviste. Përgjegjësitë institucionale kërkojnë etikë profesionale, transparencë dhe përkushtim. Është pikërisht përvoja ime si aktiviste në Lëvizjen Vetëvendosje që më ka mësuar të kërkoj llogaridhënie, të mos hesht para padrejtësive dhe të jem e përgjegjshme ndaj publikut”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se aktivizimi e ka formuar si qytetare të ndërgjegjshme, ndërsa profesioni i kërkon të jetë e drejtë, kompetente dhe e pavarur në gjykime.

Visare Aliu, e cila pak ditë më parë në mbledhjen konstituive të Këshillit Drejtues është zgjedhur kryetare e këtij organi, ka thënë se edhe para katër vjetësh ishte emëruar në këtë pozitë nga i njëjti ministër.

“Ndoshta dikush edhe me u koncentru, edhe në punën që po bëhet dhe meritokracinë, nuk kishte qenë keq. Unë nuk kam qenë asnjëherë anëtare e asnjë partie dhe me përgjegjësinë më të madhe po them që politika asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punën e TKK-së, përkundrazi, nuk janë marrë parasysh as deklaratat publike të drejtorit të përgjithshëm lidhur me ofendimet që ia ka bërë partisë që ka qëlluar t’i takojë ministri i Kulturës, i cili e ka miratuar përzgjedhjen e tij në pozitën udhëheqëse”, ka thënë ajo. Ka aluduar se dikujt nuk i pëlqen kërkimi i përgjegjësisë.

“E që tani dikujt mund të mos i pëlqejë kërkimi i përgjegjësisë, pozita e të cilit kompensohet me taksat tona, unë dhe asnjë prej nesh nuk i ndihmojmë dot. Unë kam qenë anëtare e Këshillit Drejtues edhe në kohën e Memli Krasniqit. Edhe atëherë kam kërkuar përgjegjësi, sepse kjo është detyra e anëtares së Këshillit Drejtues. Sa i përket afërsisë, unë shumicën e politikanëve në pozita tash e më herët i njoh, sepse jam aktive në publik që nga viti 2000”, ka thënë ajo. KOHA ka provuar të vërë kontakt me aktoren Vlora Merovci, por ajo nuk është përgjigjur në thirrje telefonike e as në porosi elektronike.

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS.

Premtimi në ajër dhe paralajmërimi për grevë në shtator

Në anën tjetër, procesi i plotësimit të kërkesave të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës për ekuivalentim të koeficienteve të pagës s’ka lëvizur fare. Pezullimi i grevës, duke marrë parasysh një “porosi” verbale të ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, s’ka dhënë kurrfarë rezultati. Përderisa në Ministrinë e Kulturës nuk e komentojnë këtë rast, Shoqata Sindikale e Aktorëve të TKK-së nuk e ka ndërmend të qëndrojë duarkryq. Nuk përjashtohet as rifutja në grevë në shtator.

“Pas një greve tremujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrulla Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tri javësh”, njoftonte Shoqata Sindikale në ditën e 103-të të grevës më 28 shkurt. Në këtë njoftim bëhej e ditur se greva pezullohej. Por, prej atëherë del të mos jetë bërë gjë për ekuivalentimin e koeficienteve të pagave.

Aktori i TKK-së, Adrian Morina, njëherësh anëtar i Kryesisë së Shoqatës Sindikale, ka rikonfirmuar se procesi s’ka lëvizur fare.

“Prej kohës kur i është premtuar Këshillit Drejtues se ‘rregullorja brenda dy javësh do të marrë rrugën drejt DMZP-së realisht drejt miratimit’, ku shumica e anëtarësisë kishte votuar për pezullim të grevës, procesi është në pikën zero”, ka thënë ai.

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit të kaluar, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për Pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e aktorit të kategorisë së parë me koeficient 8 është 880 bruto.