Pezullimi i grevës duke marrë parasysh një “porosi” verbale të ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, s’ka dhënë kurrfarë rezultati. Përderisa në Ministrinë e Kulturës nuk e komentojnë këtë rast, Shoqata Sindikale e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e ka ndërmend të qëndrojë duarkryq. Nuk përjashtohet as rifutja në grevë. Më shumë se tre muaj qëndrim në grevë dhe dy të tjerë pas saj, s’ka shenja të plotësimit të kërkesave të aktorëve të TKK-së
Pas më shumë se tre muajsh në grevë dhe më shumë se dy muaj të pezullimit të saj, procesi i plotësimi të kërkesave të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, s’ka lëvizur fare. Pezullimi i grevës duke marrë parasysh një “porosi” verbale të ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, s’ka dhënë kurrfarë rezultati. Përderisa në Ministrinë e Kulturës nuk e komentojnë këtë rast, Shoqata Sindikale e Aktorëve të TKK-së nuk e ka ndërmend të qëndrojë duarkryq. Nuk përjashtohet as rifutja në grevë.
“Pas një greve tremujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrulla Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tri javësh”, njoftonte Shoqata Sindikale në ditën e 103-të të grevës më 28 shkurt. Në këtë njoftim bëhej e ditur se greva pezullohej. Por prej atëherë, del të mos jetë bërë gjë për ekuivalentimin e koeficienteve të pagave.
Aktori i TKK-së, Adrian Morina, njëherësh anëtar i kryesisë së Shoqatës Sindikale, ka konfirmuar se procesi s’ka lëvizur fare.
“Prej kohës kur i është premtuar Këshillit Drejtues se ‘rregullorja brenda dy javësh do të marrë rrugën drejt DMZP-së realisht drejt miratimit’, ku shumica e anëtarësisë kishte votuar për pezullim të grevës, tanimë kanë kaluar 10 javë dhe çfarë mund t’ju them është procesi është në pikën zero. Pas disa spekulimeve, mashtrimeve, nga ana e MKRS-së ndaj kryetares së Shoqatës Sindikale, se kanë filluar procedurat për miratim, tanimë javën e kaluar e kemi verifikuar se ky dokument asnjëherë nuk ka shkuar në DMZP. Pra jemi ne në mes të asgjëje”, ka thënë ai. Morina në këtë rast ka shtuar se kjo situatë është krejtësisht e pritshme për të.
“Më vjen mirë që kam votuar kundër pezullimit të grevës. Jo prej dëshirës për të grevuar, sepse është e pamundur të grevosh ndaj dashurisë më të madhe të jetës, por kam besuar se me këtë ministër nuk mund të arrihet diçka pos mashtrimit të vazhdueshëm”, ka thënë ai. Sipas Morinës, pas gjithë asaj çfarë ka ndodhur me Teatrin Kombëtar prej fillimit të mandatit e deri sot nuk pret asgjë. Ka thënë se më e mira është se dëmi s’mund të jetë më i madh, sepse tanimë s’ka ministër të Kulturës.
“Vërtet s’ka dëm më të madh sesa të mbyllesh në mënyrë arbitrare Teatrin duke e zhvendosur në një ambient që nuk plotëson as kushte minimale pune ku s’ka as ajrosje dhe as pas 3 vjetësh s’po i shihet fundi renovimit”, ka thënë ai. Në këtë rast ka numëruar edhe ato që i përshkruan si dëme të tjera. Ka thënë se ka pasur deklarata publike për shpërbërje e shkatërrim të ansamblit rezident të aktorëve.
“Angazhim të një bordi super politik e armiqësor ndaj vetë Teatrit, mungesë komunikimi e injorim të Shoqatës Sindikale, mosadresim e mospërfillje të kërkesave të Shoqatës, dërgim të mesazheve kërcënuese për ndalje pagash e dënime nëse greva nuk ndërpritet. E, krejt në fund shqiptim të masave ndëshkuese dhe shqiptim të vërejtjeve deri në parapërjashtim të drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik me arsyetimin se ‘nuk i kanë detyruar aktorët të punojnë gjatë kohës sa kanë qenë në greve. Të gjitha këto tregojnë një luftë të hapur ndaj Teatrit Kombëtar e ndaj aktorëve”, ka thënë ai. Ka treguar se për hapat e mëtutjeshëm, ka kërkuar një takim të kryesisë së Shoqatës Sindikale.
“Është e vështirë, sepse fatkeqësisht ende nuk kemi as Kuvend, as ministër, e as Qeveri funksionale. Dëmet e mashtrimet të cilat janë bërë vështirë mund të adresohen në një Ministri jofunksionale. Megjithatë, vendimet e mëtutjeshme do t’i marrim bashkë me kolegët në Shoqatë Sindikale”, ka thënë ai.
Sikurse gjatë grevës, MKRS-ja as të hënën nuk është përgjigjur për këtë çështje. Shoqata Sindikale kishte paralajmëruar se mund t’i kthehen grevës.
“Sindikata vendos ta pezullojë grevën dhe t’i rikthehet skenës. Nëse brenda afatit të përcaktuar kjo çështje nuk zgjidhet, duke pasur mirëkuptim për pengesat eventuale, ne do të presim edhe tri javë të tjera. Nëse edhe pas kësaj periudhe nuk kemi një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja për aprovimin e kërkesës sonë për ekuivalentimin e pagave, ne rezervojmë të drejtën për të rifilluar grevën dhe veprimet e tjera sindikale, në përputhje me të drejtat tona ligjore”, shkruhej në njoftimin e shkurtit.
Gjatë asaj jave, para se të vendosej për pezullim të grevës, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte pritur në takim Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Krejt aktivitetet e tjera të asaj dite janë bërë publike, pos këtij takimi. Nga dy burime brenda takimit, KOHA kishte marrë vesh se ministri Çeku ka folur me përbuzje për grevistët dhe ka thënë se për dy-tri javë do të zgjidhet kjo çështje. Synimet qenë që nëpërmjet një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës të bëhet ngritje e pagës për aktorët. Por, KOHA ka mësuar se nëpërmjet një akti nënligjor është e vështirë të ngrihen koeficientet që janë nga 8 e sipër.
Po atë javë, aktori Shkëlzen Veseli kishte thënë se pavarësisht kërcënimeve e shantazheve, ata nuk tërhiqen. Aktori Adrian Morina kishte përmendur edhe grevën e urisë si masë radikale. Por në këtë rast kishte folur vetëm për veten.
Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit të kaluar aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e aktorit të kategorisë së parë me koeficient 8 është 880 bruto.
Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.
Para 24 muajsh, kur ishin ngritur pagat me zbatimin e Ligjit për paga në sektorin publik, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji, renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.
Kërkesa për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës.
Asokohe, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtoheshin.